Prodhimi i dobët po sjell çmime më të larta për gështenjat këtë vit

0
121

Pas një disfate që krijoi superprodhimi në çmimet e gështenjës vitin e kaluar, këtë sezon situata paraqitet më optimiste për fermerët.

Në zonat prodhuese të vendit, grumbulluesit po blejnë një kilogram gështenjë në male mbi 100 lekë për kilogram, nga 50 lekë që ishte vitin e kaluar. Shkak për çmimet më të mira po bëhet mungesa e theksuar e prodhimit në Europë dhe Itali duke bërë që të rikthehet kërkesa në vendin tonë. Mirëpo pas çmimit të mirë, fitimet për mijëra fermerë në zonat më të varfra të vendit po cenohen nga prodhimi i ulët.

“Çmimet janë super të mira për fermerët. Prodhim ka shumë pak. Ka shumë kërkesë për eksport nga që prodhimi kudo në Europë është shumë i ulët”, tha Adrian Çitozi një nga eksportuesit më të mëdhenj të gështenjave.

Kushtet atmosferike të këtij viti, me pranverë shumë të lagësht, dhe verë të thatë, bashkë me sëmundjen që u shfaq në masivin e Tropojës kanë ulur sasitë e prodhimit. Për shumë fermerë është më mirë që të kenë më pak prodhim dhe çmime më të mira sa si vitin e kaluar, që prodhimi mbeti stok.

Gështenja është një frutë e egër që rritet në malet e Veriut dhe Juglindjes, ka fitime të larta, pasi nuk ka kosto shërbimi, duke bërë që çmimi të përkthehet në fitim, ndryshe nga prodhimet e tjera bujqësore që kultivohen.

Masivet me gështenja shtrihen në zonat me popullsi të varfër, ndaj hapja e tregjeve të eksportit në dekadën e fundit ka përmirësuar ndjeshëm të ardhurat e familjeve në këto zona. 

Mirëpo vitet e fundit po haset vështirësi në vjelje për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Terrenet ku rritet gështenja janë shpesh të vështira, ndaj braktisja e zonave nga të rinjtë e ka vështirësuar vjeljen.

Shkruaj nje koment