Viti 2020 nis me më shumë shpresa për këdo. Shpresa për një punë më të mirë, për më shumë të ardhura, për rritje në detyrë, avancim në karrierë. Duket e vështirë në një ekonomi që po rritet shumë ngadalë apo ku hyrjet e kompanive të huaja novatore mungojnë.
Por, mos prisni shumë, pasi kërkesat më të mëdha, ashtu si në 2019-n, pritet të jenë për profesione të tilla si punonjës krahu, Punonjës shërbimi apo Punonjës shitjesh në terren. Për punonjësit e krahut, paga maksimale është deri në 40 mijë lekë në muaj, për ata të shërbimeve deri në 70 mijë lekë, ndërsa më mirë shpërblehen agjentët e shitjeve në terren deri në 180 mijë lekë në muaj. Të dhënat për pagat janë nxjerrë nga EPPC Albania & Kosovo, kompania e rekrutimeve dhe trajnimeve.
Për ekonomistët, kontabilistët, marketingun, call center, programuesit, IT madje edhe për punët nga shtëpia, kërkesa nuk do mungojë, me paga që variojnë nga 45 mijë lekë/muaj (punë nga shtëpia), në 200 mijë lekë (programues me përvojë).
Gjatë vitit 2019 kërkesat më të mëdha kanë qenë për 3 kategori kryesore:
- Punonjës krahu– punonjës që punojnë nëndërtim, në projekte të mëdha infrastrukture si shtrirje tubacionesh, tunele, fasoneri, rrobaqepësi, etj.
- Punonjës shërbimi –hoteleri, restorante, dyqane, shitje me pakicë, shërbim klienti, etj.
- Punonjës shitjesh në terren – shitës biznes me biznes (B2B), në shitje të produkteve ushqimore, elektronike, farmaceutike, medikamenteve dentare, produkteve të sigurisë, shërbimeve financiare, etj.
Këto qenë 3 kategoritë më të mëdha të punësimit gjatë 2019.
Përtej këtyre kategorive, kërkesa në 2019, që pritet të vazhdojë edhe në 2020, sipas EPCC, është për pozicionet më poshtë: - Profile teknologji informacioni
(kryesisht profile zhvillues
softëare /programues) – kompani të huaja kryesisht brenda, por dhe jashtë vendit. - Financë& Kontabilitet – nga nivelet e specialistit në nivele drejtuese.
- Burime njerëzore (rekrutues-trajnues-zhvillues karriere dhe stafi – administrues i dokumentacionit të burimeve njerëzore)–nga niveli i specialistit deri në nivel drejtues departamenti.
- Marketing (tradicional-dixhital-media sociale, etj.) – nga niveli specialist deri në nivel drejtues.
- Call center – operatorë të shërbimit ndaj klientit në gjuhët: Gjermanisht, Italisht, Anglisht, Suedisht, Hollandisht, Polonisht, etj.
- Punë nga shtëpia– kryesisht profile shitjeje nga telefoni, punë administrative-koordinuese, asistent financier& kontabilist, profile designer, etj.
- Logjistike–magazinier/ supply chain /import-eksporte, dogana, etj (nivele kryesisht specialist).
Pagat për pozicionet më lart synohet të shënojnë një rritje midis 3 dhe 10% në 2020, sipas parashikimeve të EPCC, ku rritja më e lartë vlerësohet se do të jetë për programuesit, me deri në 10%, teksa ky profesion sa vjen e po bëhet më i kërkuar me zhvillimin e teknologjisë.
Për pozicionet drejtuese, më të paguarit janë drejtorë komercial, nga 200-450 mijë lekë në muaj, me një rritje të pritshme prej 5% sipas EPCC. Drejtorët e shitjeve, marketingut, burimeve njerëzore, logjistikës paguhen minimalisht 150 mijë lekë dhe për ata me përvojë deri në 300-350 mijë lekë. Edhe për drejtorët e prodhimit nëpër fabrika, paga arrin deri në 400 mijë lekë në muaj, duke qenë ndër punët më të paguara.