Projekti i mafies për Shqipërinë, në dosjen “Re Mida”

0
336

Nga Poli Hoxha

Prej 12 vitesh në duart e drejtësisë italiane, gjendet ajo që është pagëzuar me emrin “Dosja Re Mida”. Shumë ka zbuluar ky hetim gjigant për mafien e plehrave italiane dhe ndërkombëtare, por fundi ende nuk po i del.

Pas asaj që ndodhi në parlament, me regji dhe aktrim në rolin kryesor të kryeministrit Rama kam parë shumë njerëz në mendime dhe në dilemë; Çfarë është dhe nuk është e ndershme në gjithë këtë histori, kush ka të drejtë?

Për të ndihmuar veten, por edhe të gjithë ata që habiten nga rritja “misterioze” e pandalshme e vdekshmërisë apo lëngimit nga sëmundje “të papritura”, i hoqa pluhurin dosjes së famshme, “Re Mida”, e mbushur me mijëra faqe ku përshkruhet mafia e plehrave.

Shumëkush nga njerëzit e thjeshtë, populli pra, pasi dëgjon kryeministrin kur deklaron plot patos se kundërshtarët e “biznesit të mbetjeve, demonizojnë dhe janë edhe vetë demonë, e ndërlidh në përfytyrimin e tij këtë lloj mafie nga e cila kemi frikë të gjithë, (edhe Sazan Guri që bën sikur jo), me Toni Montanën përshembull.

Por në fakt njerëzit që ka qetësuar kryeministri për rrezikun “Montana”, duhet të mësojnë se koha tregoi në Itali, se një pjesë e mirë e kësaj mafie janë, politikanë, kimist, doganier, ambientalist, nëpunës të shtetit.

Ky investigim gjigant, ka brenda vite të tëra hetimesh mbi trafikun ndërkombëtar të mbeturinave siç i quan sot kryeministri Edi Rama. Harta e vendeve, që synon, apo tashmë i ka arritur, mafia e sofistikuar e plehrave dhe mbetjeve të rrezikshme është shumë e gjerë. Edhe Shqipëria jonë që më datë 22 shtator, i dha një “infrastrukturë” ligjore, është aty mes mijëra faqeve.

Ky material që do të paraqesim të koncentruar më poshtë ka qenë edhe në tavolinën e Edi Ramës, në kohën kur ishte në krye të opozitës dhe çështjen e importit të plehrave e kishte kalin kryesor të betejës, kundër qeverisë Berisha dhe synimit për të kapur karrigen e kryeministrit. Madje është kujdesur në atë kohë për ta shpërndarë personalisht në mediet, të cilat e mbështesnin, siç ishte edhe gazeta “Shekulli” e Koço Kokëdhimës, i cili për hir të vërtetës në këtë çështje, ka ngelur në pozicion stoik.

Situata e sotme e kultivimit dhe trafikut të drogës në gati gjithë territorin e Shqipërisë, “çuditërisht” përkon me planet e mafies së Kampanjës, për të cilën u krijua dosja në fjalë.

Shqipëria ka një vend të “respektuar”në hartën e trafikut të mbetjeve toksike, me të cilat operon kjo organizatë. Bëhet fjalë për fitime shumë herë më të mëdha se sa ato të drogës, fusha tradicionale ku vepron.

“Mafia e Kampanjas”, e cila e ka marrë emrin nga rajoni ku është themeluar në Itali është një grupim i sofistikuar kriminal, i cili njihet nga drejtësia italiane për veçantinë nga simotrat e tjera që veprojnë në “biznesin” e mbetjeve, sepse përdor rrugët e narko-trafikut, për të gjetur territore të reja, ku synon të hap varreza të plehrave të rrezikshme. Sa më të rrezikshme të jenë, siç janë ato radioaktive, aq më i madh është fitimi i tyre dhe i ortakëve me të cilët bashkëpunojnë, në vendin respektiv.

“Mafia e Kampanjës”, për të arritur synimet e saja, ka projektuar në detaje që në fillim të viteve 80-të dhe e ka sofistikuar pas viteve 90-të pas hapjes së vendeve ish-komuniste, një plan-biznes në të cilin përfshihen vende të Europës Lindore, Ballkanit dhe të Afrikës. Mundësisht ato më të varfrat, me klasë politike dhe qeveritare të korruptuar. E gjitha kjo nuk do të ishte mësuar kurrë dhe ndoshta sot do të ishte e realizuar edhe në vendin tonë prej kohësh ( Ndoshta është realizuar sporadikisht?!), nëse nuk do të dekonspirohej nga një kapriço e natyrës në vitin 2004, vit kur në Shqipëri qeveria e socialistëve kishte bërë çdo gjë gati për të kaluar ligjin që miratuan dje nëpërmjet Edi Ramës. Ndërkohë plani i tyre po funksiononte në mënyrë perfekte, sidomos në vende të Afrikës.

Por në muajin dhjetor të vitit 2004, një cunam i fuqishëm, pas një tërmeti nën ujor, përmbyti brigjet e Somalisë. Tronditja pas pasojave, ka qenë mbarë botërore. Mes të të shokuarve nga pamjet e tmerrit që pushtuan ekranet e botës ishin edhe krerët e “Mafies së Kampanjës”, por për një arsye krejtësisht tjetër, nga ajo e pjesës tjetër të globit.

Mes pamjeve të shumta të transmetuara nga televizionet “surprizuan” ato të plazheve në Obbia,  ku pas stuhisë dhe tërheqjes së ujit, u shfaqën me qindra e qindra arka të mbushura me mbeturina ( jo plehra zoti Rama) shumica radioaktive, të cilat siç rezultoi gjatë hetimit ishin “groposur” aty në fund të detit,  në dekadën e fundit të viteve 80-të dhe në fillim të viteve 90-të.

Për herë të parë, bota u trondit edhe më shumë se nga vetë cunami, pasi zbuloi se çfarë ishte në gjendje të bënte mafia e mbetjeve (jo plehrave, zotërinj bashkëkryetar të aleancës) dhe çfarë rreziku përfaqësonte ajo.

Pas zbulimit të këtij projekti kriminal, hetuesit e çështjes arritën të shtien në dorë, edhe shumë dokumentacion të organizatës, mes tyre, edhe hartën se ku vepronin dhe do synonin në të ardhmen të shtrinin veprimtarinë e tyre.

Dhe aty përfshihet edhe Shqipëria jonë. Pjesa ku planifikohet, se si do të shndërrohemi ne në një “parajsë” të varrezave të mbetjeve të rrezikshme, gjendet në dosjen “Re Mida”, nën etiketën “Toka e zjarreve”.

Pra me pak fjalë në kapitullin për vendin tonë, “Toka e Zjarreve” shkruhet “e zeza mbi të bardhë”, se organizata ishte e përgatitur për të organizuar një trafik të madh mbeturinash të rrezikshme, përveçse në vende të Afrikës si Mozambiku, Somalia dhe Nigeria ku vepronte prej kohësh, edhe në Shqipëri dhe Kosta Rika. Kjo do të realizohej si fazë e dytë, pas ngritjes së një infrastrukture efikase për kultivimin dhe trafikun e drogës. Shqipëria, nuk do të ishte e para në Evropë në planet e saj. Siç u mësua, kjo organizatë funksiononte, deri sa u zbulua, edhe drejt Rumanisë, ku mafia nëpërmjet korrupsionit dhe pagesave të majme, e maskuar nëpërmjet “investitorëve të huaj” kishte siguruar qindra e qindra hektarë terrene, shumica ish-shtetërore.

Ju kujton gjë, edhe Shqipërinë ky fakt?!

Nëse dakortësohemi me argumentet e kryeministrit dhe grupit të tij që mbrojtën dhe votuan dje “ligjin për importin e mbetjeve”, të gjitha ato pak gjëra që nxorëm nga pluhuri i dosjes “Re Mida”, duket sikur nuk kanë lidhje fare me njëra tjetrën. Rama flet për një listë mbetjesh të riciklueshme, të cilat vijnë nga ato urbane apo industri të ndryshme.

Por çfarë ndodhi në Italinë e viteve 90-të?

Një konsorsium gjigant i përbërë nga organizata kriminale, zyrtarë të pushtetit qendror dhe lokal, dhe politikanë të korruptuar krijuan atë që u pagëzua nga qytetarët italian “Plehrat SHPK”. Pasi e mbushën Italinë e jugut duke i lëvizur plehrat nga qytetet e zhvilluara të veriut drejt jugut të varfër, nisi edhe faza tjetër, ajo e shkrirjes së kamorristëve (lexoni Roberto Savianon) me sipërmarrësit e ligjshëm të biznesit të përpunimit të mbetjeve. Kjo është faza e rritjes dhe sofistikimit të trafikut, të mbetjeve të rrezikshme.

Në dosjen e operacionit “Re Mida”, i cili u udhëhoq  nga zv/prokurori i Republikës për Napolin, u zbulua se trafikantët e plehrave në një kohë të shkurtër arritën të groposnin nëpër shpella dhe gropa të hapura enkas në toka djerrë apo gjoja të blera për ti “zhvilluar”, rreth 40 mijë tonelata plehra të çdo lloji, që nga ato urbane e speciale që gjenden edhe në listën e miratuar dje nga Rama me të tijët dhe deri te ato më të rrezikshmet, siç janë ujëra industrial apo mbetjet me element radioaktivë të spitaleve, qendrave shkencore etj.
Vite më vonë në rajonin e Umbria-s, gjatë operacionit të koduar “Mosca” u zbulua groposja e 120 tonelatave te mbeturinave të industrisë metalurgjike dhe siderurgjike që vinin nga veriu i Italisë për në Napoli. Edhe këto lloj mbetjesh (jo plehra zoti Shalësi) janë shumica në listën që po lejohen me ligj të vijnë nga veriu e jugu, jo vetëm i Italisë por i gjithë botës. Aq shumë u shkri ky aktivitet kriminal me politikën dhe shoqërinë civile, saqë tashmë në Itali, ky konsorsium i fuqishëm që qarkullon edhe sot qindra miliarda euro, njihet si “Ekomafia”.

Po ju citojmë një pasazh nga dosja në fjalë për mënyrën se si funksiononte ajo;

“Fillimisht pasi sigurohej malli, ndiqej rruga e falsifikimit të dokumenteve nga një qendër trajtimi plehrash tek një tjetër. Përmes një rrjeti të analistëve të veçimit, kimistësh, nëpunësish dhe transportuesish, plehrat hynin me pullën e prodhuesit dhe një kod të përcaktuar CER (Katalogu Evropian i Plehrave) në një qendër grumbullimi. Më pas me një pullë të re nga e njëjta qendër, plehrat pa asnjë trajtim dhe në shumë raste, edhe duke u përzier me plehra të tjera çoheshin për përpunim pasi kishin ndërruar identitet. Një përbërës toksik i destinuar për të përfunduar në një vendpërpunim të mbetjeve të rrezikshme (që Shqipëria gjithsesi, nuk i ka), pas ndërrimit të pullës përmes një përzierjeje ishte transformuar në një mbetje urbane dhe ishte dërguar në vendtrajtimin e mbetjeve urbane. Në shumë raste, nuk çoheshin fare për përpunim, por  hidheshin në vendshkarkimet ilegale, ose në vendkompostimet për tu përdorur si pleh në terrene bujqësore, ose si bazamente per trasete e rrugëve. Sasitë në lojë janë impresionuese. Në harkun e një viti u trajtuan në këtë mënyrë rreth 200 mijë tonelata mbetjesh, të çdo lloji…”.

Kaq e thjeshtë është njerëz, opozitë, por edhe kushdo që e mbështeti dhe e mbështet Ramën në këtë perspektivë të zezë për vendin.

Lexojeni skemën e mësipërme me vëmendje, disa here madje. Nëse heqim të vërtetën e tmerrshme që zbuluan pas dekadash hetuesit italianë çdo gjë tjetër, fasadën, mbulimin, e keni fjalë për fjalë të shkruar edhe në ligjin dhe mbrojtjen që i bëri kryeministri;

Analistë, laboratorë, kimistë të certifikuar, nënpunës të shtetit, pullë, kod CER të Bashkimit Evropian, qendra grumbullimi, qendra përpunimi…

Prandaj ai slogani i lodhur dhe qaraman i opozitës, “Shqipëria, më e mirë pa Edi Ramën”, duhet të bëhet urgjentisht, nga qytetarët në radhë të parë, “Shqipëria, në rrezik me Edi Ramën”.

SYRI.net

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here