PS propozon shefin e shtabit të FA për postin e Presidentit

0
26

Shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj, është kandidati i propozuar i PS për President të Republikës.

Emri i Bajram Begajt pritet të kalojë për votim në seancën e nesërme të Kuvendit. 

Ishte vetë kryeministri Edi Rama, që bëri me dije emrin e Bajram Begajt, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PS. Kreu i qeverisë e konsideroi Begajn si shëmbëlltyrë të normalitetit dhe qytetarisë. 

Kemi përmbyllur procesin e përzgjedhjes së kandidaturës që do çojmë në Kuvend për të votuar Presidentin e ri të Republikës. Janë ndarë kandidaturat në tre grupe. Është përjashtuar dhe nuk është futur në tavolinë blloku i kandidaturave nga brenda grupit parlamentar. Është hequr edhe blloku i kandidaturave që janë që të gjithë gra dhe burra shumë të nderuar, por që i përkasin kësaj force politike dhe që kanë pasur aktivitet në PS. Sot jemi dakordësuar që PS-së i takon që të shohë dhe të shkojë përtej vetes sepse duhet t’u japë shqiptarëve një kryetar shteti që nuk ka një karrierë politike në PS, por që rrezaton atë normalitet, atë qytetari dhe mirësi për të cilën kanë nevojë qytetarët. Jemi përqëndruar te blloku i tretë me 26 kandidatura që janë shoshitur me një numër të caktuar xhirosh, për të arritur te Bajram Begaj, shefi aktual i FA për të qënë Presidenti i ri i Shqipërisë. Është shëmbëlltyra e normalitetit dhe qytetarisë”.

Kush është Bajram Begaj 

Në vitin 2020, Bajram Begaj mori rolin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.

Ai më parë shërbeu si Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Armatosur Shqiptare

Shkruaj nje koment