Pse masakra e 21 Janarit dhe jo vetëm, ka nisur që në takimin “sekret” Berisha-Rama-1991

0
116

Katër të vrarët 12 vite më parë në protestën e 21 janarit, me duar në xhep dhe duke ikur në shtëpitë e tyre, sërish janë rrotulluar në varr. Sepse ka nisur një histeri me SPAK e përgjime radiosh të gardistëve, nga të njëjtët protagonistë që shkaktuan në thelb atë tragjedi.

Rituali është bërë edhe më i egër këtë herë pasi pas pak muajve, kemi zgjedhjet. Edi Rama përsëriti spektaklin e turpshëm dhe bajat me karafila të kuq, kurse Sali Berisha vazhdon avazin e vetëmbrojtjes “parimore” për atë gjak të pafajshmish.

Kështu politika e vjetër dhe uzurpuese e çdo gjëje në këtë vend vazhdon skenarin e shpalosur në bisedën e 4 janarit 1991 mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, ku bien dakord se çdo gjë bëhet për pushtetin.

Masakra e asaj mbrëmjeje ka nisur shumë më herët. Që në fillim të viteve 90-të kur etjen dhe revoltën e shqiptarëve dhe studentëve për demokraci perëndimore, një grup njerëzish e shfrytëzuan për të kapur dhe mbajtjtur edhe me gjak kur të ishte nevoja, të gjitha pushtetet; atë politikë, partiakë dhe atë ekonomikë. Ka nisur me amoralitetin, hipokrizinë dhe bashkëpunimin e tyre hapur dhe prapa skene, në kurriz të demokracisë, pluralizmit dhe të prosperitetit të shqiptarëve.

Që të ketë drejtësi për 21 janarin, duhet të vihet gishti te rrënja që prodhon tragjedi në mënyrë sistematike në këtë vend. Dhe kjo rrënjë janë pikërisht këta të tre, (Berisha, Rama, Metaj), me strukturat e tyre politiko- financiare- kriminale, që mbajnë peng votën, pluralizmin, ekonominë e tregut dhe mirëqenien e shqiptarëve.

Në 21 janar kishim nga një anë protagonistë Edi Ramën, Erion Velinë, Saimir Tahirin, Tom Doshin e të tjerë, të cilët i kishin sytë të kuq nga etja për të marrë pushtet. Përball kishin Sali Berishën dhe Ilir Metën që ishin po aq “sykuq” dhe po aq të tërbuar nga frika e lënies së pushtetit të tyre, të cilit i kishte plasur korrupsioni sheshit.

Gjithçka nisi me sebepin e “bllokut” korruptiv të Ilir Metajt. Por vetëm 2 vite më pas ky që i quante “kokëpalarë” viktimat e etjes së Ramës për të ardhur në pushtet me çdo kusht, i futi me “kryekokëpalarin” ca shishe verë të mirë të shoqëruar ngjalat e freskëta të Nard Kokës dhe kaloi nga krahu tjetër.

Edhe Tom Doshi e harroi që Ilir Metaj kërkonte dhe kishte paguar për ta vrarë. Edhe Erion Veliaj që nëpërmjet çunave të tij lyente me bojë të kuqe kokat e protestuesve atë ditë, vetëm pak kohë më pas u bë grup i pandashëm me “Liken e bllokut 700 mijë dollarë”.

Kthjellohuni pak minuta dhe ktheheni kokën pas për të kujtuar, se çfarë ka ndodhur në këtë vend gjatë këtyre 32 viteve tranzicion.

Për pushtet dhe pasuri u lejuan skemat piramidale të cilat kjo klasë politike nuk i hetoi kurrë, sepse ishin brenda të gjithë. Ridvan Bode i Berishës, sot është i Edi Ramës. Ose i të dyve bashkë me një tufë oligarkësh, më saktë.

Pushteti si qëllim në vetvete e çoi Sali Berishën që të kryente masakrën e parë zgjedhore në vend; atë të vitit 1996. Kjo dhe Piramidat shkaktuan luftën e paprecedentë civile në vend, me mbi 3000 të vrarë. Edhe këta prej 25 vitesh vazhdojnë që të rrotullohen në varr!

Padurimi dhe etja për pushtet shkaktoi edhe ngjarjet e 14 tetorit 1998, ku me armë dhe tanke duke përdorur si “kokë dashi” arkivolin e Azem Hajdarit, u pushtuan institucionet.

Për këtë të shkretë pushtet që prodhon pasuri të pafund, Ilir Metaj kryeministër i PS në atë kohë, shkaktoi vrasjet përpara komisariatit të Bajram Currit, (edhe këta vazhdojnë të rrotullohen në varr), si dhe realizoi me polici dhe banda, në gjurmët e Berishës, masakrën zgjedhore të vitit 2021.

Sot ja bën “qepalla” Sali Lushës të cilit ju vra i vëllai, kurse Berishën të cilin e “arrestoi” si ordiner me forcat e RENEA, sot e ka aleat dhe vëlla e shkuar vëllait!

Edhe thelbi i tragjedisë së Gërdecit me 26 të vdekur të pafajshëm nuk ka asnjë arsye tjetër pse ndodhi, përveç makutërisë për pasuri, kapjes së sistemit politik dhe atij ekonomik. Më pas u mbulua në funksion të mbajtjes së statukuosë së pushtetit klanor, për të cilin Rama-Berisha flisnin me pathos në studion e piktorit Karanxha që në vitin 1991.

Ishte pikërisht skema dhe loja për pushtet që “detyroi” Edi Ramën, që ti rrihte shpatullat Berishës të cilin më pas nëpër fushata elektorale, do ta pagëzonte “Sali Gërdeci”. Ky është shkaku që këta dy “armiq të betuar”, në vitin 2008 bënë një Kushtetutë vetëm për veten dhe përjetësinë e klaneve të tyre në pushtet.

Nuk ka asnjë motiv tjetër përveç devizës, “pushtet për tu pasuruar, pasuri për të kapur votën dhe votën për të pasur pushtet”, që shpjegon vijë-sjelljen e Sali Berishës me dorë të hekurt dhe me

spastrime sistematike brenda Partinë Demokratike. Vetëm një hipokrizi e paimagjinueshme dhe mungesa e moralit deri në legenllëk, (i dyanshëm në fakt), në funksion të pushtetit personal të bën që Pashkon, Imamin, Cekën, Pollon, Rulin, Selamin, e qindra të tjerë, herë ti shpallësh armiq e herë asete të partisë. Kjo është gjithashtu arsyeja e vetme që Edi Rama si një klon i modifikuar dhe më i sofistikuar i Berishës bën të njëjtën gjë me socialistët, PS-në dhe me pushtetin.

Ndaj mos u hallakasni kot me zhurmën elektorale për 21 Janarin. Në këtë vend drejtësia do të vihet vetëm kur këto monstra të tranzicionit, ti hiqen qafe përfundimisht nga shpina shqiptarëve. Gjithçka “ka nisur” që në takimin e 4 dhjetorit 1991 mes Ramës dhe Berishës. Të tjerat janë derivate të një skeme e cila nëse nuk shkallmohet, ky vend do të përjetojë edhe një tranzicion të dytë, por edhe më vrastarë se i pari.

Dhe koha ka ardhur sepse e kërkon historia, shumica e shqiptarëve të ndershëm dhe Perëndimi. Po ndodh, pavarësisht se po përpëliten nën peshën e mëkateve, krimeve dhe plaçkës së paprecedentë që kanë vjedhur.

Për këto “hallall”. Le të luftojnë me njëri- tjetrin dhe le ta ndajnë vetë se cili e për çfarë e ka radhën i pari, për tu paraqitur në SPAK!/Alfapress.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here