Pse monumenti i diktatorit Enver Hoxha u hoq në Gjirokastër në korrik ’91 dhe jo në shkurt si gjithë të tjerët?!

0
673

Nga Roland Bejko

Duke u nisur nga një postim i mikut tim Sokol Karaulli bërë dje në faqen e tij në facebook mbi rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës në Gjirokastër më 28 korrik 1991, doja ta plotësoja rëfimin e tij me disa fakte të tjera të panjohura më parë nga publiku.
Dihet që në shkurt të 1991-it monumentet dhe bustet e diktatorit Enver Hoxha u rrëzuan njëri pas tjetrit në gjithë Shqipërinë.
Vetëm në Gjirokastër, në vendlindjen e tij ai qëndroi ulur mbi gur sipër te kodra për një kohë të gjatë sikur donte të na thoshte “këtu do më keni përjetë.Unë diktatori do bashkëjetoj me demokracinë”.
Rruajtja e bustit të diktatorit në Gjirokastër nga shembja dhe shkatërimi, kishte një simbolikë me vlerë shumë të rëndësishëme për regjimin. Nëse ai monument shembej edhe në vendlindje, binte simboli i enverizmit në të gjithë vendin. Prandaj ata e mbronin me shumë forca të armatosura me ushtarë, policë dhe të ashtuquajturit sampistë, që ishin forca speciale të zgjedhura, me një uniformë laramane, e veçantë për kohën dhe me një nam të keq dhune.
Në Gjirokastër, në fakt, në ditët e 20 shkurtit e më pas, nuk është se pati ndonjë lëvizje, a revoltë popullore antikomuniste siç ndodhi në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Kavajë, Durrës, Korçë, etj ku populli i atyre rretheve u çua dhe menjëherë pas Tiranës i rrëzuan njëri pas tjetrit të gjitha monumentet e diktatorit aty nën efektin domino.
Të vetmit që ishin në protestë të organizuar në ato ditë ishim ne studentët e ish Institutit të Lartë Pedagogjik, sot Universiteti “Eqrem Çabej”.
Ne e kishim filluar protestën tonë në datën 11 shkurt 1991 dhe 20 shkurti, kur populli i Tiranës rrëzoi dhe hoqi zvarë bustin e Enver Hoxhës, na gjeti duke u futur në sallën ku do të fillonim grevën e urisë në mbështetje të grevës së studentëve në Uiniversitetit të Tiranës dhe do të dilnim prej andej vetëm kur të plotësoheshin kërkesat e studentëve të Tiranës, por edhe kërkesat tona me karakter specifik.
Në stadiumin e qytetit pranë Institutit atë ditë po luhej një ndeshje futbolli midis Luftëtarit dhe Burelit e vlefshme për Kupën e Republikës. Mbaj mend, isha te kangjallat e stadiumit nga krahu ku sot gjendet pallati i sportit, me Bexhet Serianin të cilin e njifja nga vëllai i tij Lushi, dhe po debatonim mbi lëvizjen tonë, të studentëve. Ndërkohë dikush na thotë që në Tiranë, studentët dhe populli i Tiranës ka rrëzuar bustin e Enverit. U largova nga stadiumi dhe pas një ore u mblodhëm si shtab drejtues të lëvizjes sonë studentore dhe vendosëm që ta shtynim nisjen e grevës së urisë në pritje të zhvillimit të ngjarjeve të reja…. Por, atë natë, ne, komisioni drejtues i protestës vendosëm që edhe ne studentët e Gjirokastrës ta hiqnim të nesërmen bustin e Enverit nga holli i Institutit.
Kështu u bë. Në 21 shkurt rreth orës 9 00 gjithë audutori ishte plot me studentë dhe grupin e vogël të pedagogëve mbështetës . Kemi folë njëri pas tjetrit unë, Syria Barçi, Rexhep Shkurti, Mond Stamati, Jordan Deda, në mos gaboj, Çelo Hoxha, Beni nga Vlora, Beni nga Lukova,Meçja,etj dhe të gjithë kemi qenë në një mendje, që heqja e bustit të diktatorit nga holli i universitetit ishte e vonuar ndaj tani duhej bërë menjëherë. Ai duhej të ishte hequr sapo e rrëzoi Tirana.
Kështu u bë. Dolëm në holl. Në fillim ishim katër vetë të parët. U bëmë gjashtë, tetë, dhjetë, pesëmbëdhjetë, një grumbull i madh. Të tjerët prisnin në auditor kthimin tonë triumfator.
Nuk e haroj dot momentin kur u vendosëm para bustit të madh e të bardhë prej mermeri. Zumë vend në një gjysëm rrethi. E shikonim. Pastaj shikonim njëri tjetrin në sy. Pastaj shikonim prapë nga ai. Ishin disa sekonda. Por dukeshin si vite. Kishte hije të rëndë dreqi. Askush nuk guxonte ta prekte i pari. Na dukej sikur kush e prekte i pari do ta ndiqte për jetë ndonjë mallkim i zi….Ndoshta do përndiqej a vritej më shpejt se të tjerët nga falangat e sigurimit që i kishim përditë përreth universitetit. Dalloheshin nga kostumet gri, apo kafe të dokut. Frika ishte e madhe.Askush nuk dinte ta thoshte me siguri që rënia e bustit të diktatorit ishte njëherësh edhe rënia përfundimtare e regjimit… Këtë nuk e thoshin dot as pedagogët tanë më të rritur, sado entuziastë të ishin për të ardhmen. Nejse.

  • Kështu do rrimë? Do ta heqim apo jo,-u them miqve të mi studentë e pedagogë duke thyer heshtjen. Në krah kisha Syrja Barçin, një pedagog të ri që fliste 3 gjuhë të huaja në atë kohë, dhe që së bashku me Rexhepin, Mondin, Dhimon, Llambin,me Sadikun e Mersinin pak më në prapavijë, dhe studentin Gëzim Basha ishin truri i lëvizjes tonë studentore. Sotiraq Hroni ishte i angazhuar me ne, por ndaheshim me të në disa pikpamje me mënyrën se si ne kishim zgjedhur ta zhvillonim dy herë në ditë nga 4 orë protestën tonë në auditor.
    -Ta heqim,- thotë njëri prej studentëve çfarë presim.
    Nuk pritëm më, e kapëm disa vetë njëherësh. Ju hodhëm sipër sikur do ta shqyenim. Ishte një bust gjysëm trup i vendosur mbi një podium të lartë me rimeso druri ngjyrë kafe. Kujtuam se do ishte i rëndë, por ishte i lehtë, me allçi, bosh brenda. Menjëherë kaloi dorë më dorë të studentëve dhe katër prej tyre e çuan në një depo në katin e tretë poshtë shkallëve aty ku ishte departamenti i bio-kimisë. U thamë ta thyenin. Por kur vullnetarët e Enverit e vendosën dhunshëm të nesërmen që sulmuan mjediset tona, morëm vesh që busti nuk ishte thyer, por vetëm sa ishte dëmtuar në sup dhe i ishte këputur njëri prej veshëve.
    ( Për më tepër për këto ngjarje, ata që do jenë të interesuar do të lexojnë në librin me kujtime dhe dokumenta që po bëj gati të botoj në fund të shtatorit me mbështetjen e fondacionit gjerman Konrad Adenauer Stiftung, Albania)
    Pra, i vetmi moment historik në shkurt të 91 në Gjirokastër ka qenë vetëm lëvizja e studentëve të Institutit e cila u përkrah pjesërisht edhe nga punëtorët e ndërmarrjeve dhe PD lokale që kishte vetëm disa ditë që ishte themeluar nga një komision nismëtar me figura të spikatura të këtij qyteti dhe rrethi. ( Emrat e tyre do ti gjeni në libër, por i ka publikuar disa herë edhe ish kryetari i parë i PD dr. Xhelo Beqiri)
    Por, përveç themeluesve dhe përkrahësve të PD, lëvizje qytetetare antikomuniste aktive në Gjirokastër që të ketë lënë gjurmë si në Kavajë, Shkodër, Tiranë etj, në atë kohë, nuk ka pasur.
    Terrori i rregjimit komunist nëpërmjet Degës famëkeqe të Punëve të Brendshme, apartatit të Partisë së Punës, sigurimit të shtetit dhe levave të tij, organizatës së rinisë, komitetit egzekutiv dhe ushtrisë, ishte i pashembullt.
    Tani të vijmë te heqja e bustit më 28 Korrik 1991.
    Jemi në kohën kur ishin zhvilluar zgjedhjet e para pluraliste më 31 mars. Kishin ndodhur vrasjet e martirëve të 2 prillit në Shkodër. Por, pas rreth 40 ditësh, nga presioni i grevave të minatorëve të Valiasit, manifestimeve të mëdha të opozitës dhe të sindikatave të pavarura Ramiz Alia, pranoi krijimin e një qeverie të përbashkët me opozitën që u quajt Qeveria e Stabilitetit.
    Ndërsa muajt kalonin, busti i diktatorit vazhdonte të qëndronte stoik. Enveristët ndiheshin të kënaqur. Demokratët të turpëruar në pafuqinë e tyre për ta hequr. Qyteti i tensionuar. Kudo nëpër kafene e dyqane dallohej një gjendje ankthi edhe pse në pamje të parë gjithçka dukej e qetë. Të mençurit e qytetit e dinin që herët a vonë ai bust nuk do ishte më aty. Pyetja ishte sa do rrinte akoma? Kur do hiqej, kush do ta hiqte dhe si do ta hiqte. Me dhunë? Me përleshje? Me vrasje? Apo me paqe, me mirëkuptim?
    Për këtë arsye, kryesia e PD Gjirokastër u mblodh enkas një mbasdite. Debatuam dhe u dhanë mendime dhe ide nga më të ndryshmet se si mund ta hiqnim sa më parë diktatorin prej asaj kodre dominante të qytetit. Na dukej sikur mbanim mbi shpatulla një barrë të rëndë, sikur qëndronte ulur mbi supet tona, jo mbi një kodër prej dheu.
    Si përfundim, duke parë se drejtimin e Komitetit të Qytetit e kishim ne të PD-së dhe nomeklatura e vjetër komuniste lokale dukej se kish filluar të tërheqej, u vendos që të thirrej një tryezë e rrumbullakët e të gjitha partive politike. Prej kësaj tryeze do të dilej me një vendim dhe me një qëndrim publik të përbashkët për heqjen e monumentit.
    Kryesia vendosi që PD të përfaqësohej në tryezën politike të partive nga Sitiraq Hroni dhe unë. (Nuk jam i sigurt nëse kishte dhe ndonjë tjetër..)
    Kështu u bë. Pas një apo dy ditësh nga mbledhja jonë e kryesisë u mundësua takimi.
    U gjet një vend neutral, jo sinor politik. U takuam te zyra e sindikatave të pavarura, ish zyrat e bashkimeve profesionale, aty përballë Gjykatës së Apelit sot.
    Me sa më kujtohet, (i bindur që nuk jam shumë i saktë në emrat e pjesëmarrësve, le të më korrigjojë dikush që ka qenë prezent nga palët) partitë politike në takim u përfaqësuan nga:
    Partia Demokratike- Sotiraq Hroni dhe Roland Bejko. Ndoshta dhe Dino Çiço. ( nuk jam i sigurt)
    Partia Socialiste – I ndjeri Resul Llogo dhe dikush midis Lefter Ligut, Besnik Shehut a Elvira Shapllo. ( më korrigjoni)
    Partia Republikane: Edmond Koçiu dhe dikush midis Edmond Fico, Odise Kote, ose Dhimitër Shoni.
    Partia Social- Demokrate: I ndjeri Petrit Aliko, dhe Spiro Kaçi.
    Sindikata e Pavarur: Asqeri Boçi dhe i ndjeri Fejzi Bineri i cili kujdesej edhe për zyrën aty.
    Nga partia ambientaliste dhe partitë e tjera nuk më kujtohen emrat.
    Takimi kaloi përgjithësisht mirë. Të gjitha palët shprehën qëndrimin e tyre pro heqjes së bustit të diktatorit. Më bëri përshtypje njëri prej përfaqësuesve të Partisë Socialiste i njohur deri disa muaj më parë për qëndrimet e tij të forta pro figurës së Enverit. Ishte ndërgjegjësuar se busti i tij duhej hequr tashmë, por siç tha dhe vetë ” tu ruhemi akteve vandale dhe ta heqim me qytetari, siç i ka hije Gjirokastrës së kulturës…” Në fakt mua mu duk se meraku i shokut X, më shumë se si kujdes për imazhin paqësor të qytetit, ishte te fakti se mos dikush i përdhoste Enverin.E mbaj mend mirë këtë detaj. Mu duk si nderi i fundit që po i bënte udhëheqësit, si kujdesja e fundit, si mirënjohja e fundit. Më erdhi keq për të në ato çaste. Kishte shumë emocion kur fliste. Ishte skuqur në fytyrë, dhe zëri i dridhej. Por ama kaq. E pranoi që kish ardhur koha ta përcillte “babën” për në banesën e fundit, përgjithmonë. Thjesht na kërkoi dhe ne me mirësjellje një nder të fundit. Të mos e përdhosnim.
    Ne të PD folëm të parët në fakt, dhe ua bëmë të qartë që në fillim se në dash me hir, në dash me pahir, busti i diktatorit do të hiqej prej andej një orë e më parë sepse koha e tij kishte mbaruar. Komunizmi dhe diktatura që ai instaloi kishte marrë fund, dhe mbajtja e bustit të tij aty mbi atë kodër ishte një njollë turpi për të gjithë qytetin dhe qytetarët e saj, ashtu siç ishte njëherësh edhe burim i mundshëm konflikti midis qytetarëve demokratë dhe enveristëve nostalgjikë që vazhdonin të vinin, tanimë më rrallë, por prap vinin, nga gjithë Shqipëria e bënin pelegrinazh te busti i tij duke vënë buqeta ma lule.
    Këta ishin dhe të vetmit gjynafqarë që lejoheshin nga sampistët ti afroheshin bustit prej guri të monumentit të bërë nga skluptori Muntaz Dhrami. Duhet përmendur fakti se regjimi komunist për të ndërtuar bustin e diktatorit mbi atë kodër kishte shembur një godinë me arkitekturë të veçantë që kishte shërbyer si Prefektura e Qytetit para luftës dhe më pas si vatër kulture me një ansambël lokalesh e restorantesh rinore përreth, ku kishte muzikë live dhe një pistë vallëzimi.
    Si përfundim, tryeza e partive vendosi që brenda disa ditëve të merreshin masat për çmontimin e tij nga specialistët përkatës të xhenjos, dhe ushtria në bashkëpunim me ish ndërmarrien NSHN të bënin të mundur çmontimin dhe transportin pjesë pjesë të masivit shkëmbor të monumentit, që, qysh prej shkurtit të atij viti ishte i fundmi monument i diktatorit Hoxha që vazhdonte të ishte ende “gjallë”.
    Por, sapo u hap lajmi në qytet nga Radio Gjirokastra se partitë lokale kishin rënë dakord që brenda disa ditëve do hiqej busti i diktatorit, rinia antikomuniste e demokrate e qytetit u organizua një natë të diel më 28 korrik 1991 duke e përcjellë mesazhin gojë më gojë se do mblidheshin e do ta hiqnin atë, pa pritur për vinça e matrapikë ndërmarjesh e ushtrie.
    Dhe kështu u bë.
    Unë vet nuk kam qenë në Gjirokastër atë natë. Por të nesërmen që në mëngjes herët sapo zbrita nga autobuzi në sheshin “Çerçiz Topulli”, prej aty kam dalluar bustin e nxirë sterë nga gomat e djegura të makinave. Kur e kam parë Diktatorin ashtu të përçudnuar nga varetë e qusqitë që ishin përdorur mbi të, më kujtohet që kam përjetuar një emocion të çuditshëm. Atë ditë u binda përfundimisht që komunizmi kishte ikur pa kthim edhe nga Shqipëria jonë siç kish ikur nga Polonia, Çekia e Rumania. ( Tani në fakt nuk mendoj tamam ashtu)
    -Më në fund iku për fare, – i kam thënë vetes. Ndoshta dhe miqve që kam pasur pranë në ato çaste. Mbaj mend që rrugën nga Sheshi i Çerçizit deri te kodra ku gjendej diktator mavria, e bëra me një frymë. Aty kishte pak njerëz. Dukej si një çast armëpushimi midis palëve. Midis atyre që e kishin dhunuar, dhe fanatikëve që s’dukeshin gjëkundi. Aty pranë ishin ca fëmijë kureshtarë, ndërsa pak metra më tej dallova tre pensionistë që e kundronin nga larg të mërzitur.
    Turp,-tha njëri prej tyre,- si e kanë katandisur kështu.
    Kur shkova në kafenenë tip rostiçerie në Qafën e Pazarit, takova mikun tim Thimjo Fili, njërin prej themeliesve të PD. Më qerasi me një pastë. Ai më tregoi për ç’kishte ndodhur një natë më parë. E sbythëm policinë, rrezistuan goxha, por u bëmë shumë dhe i vumë përpara. Por edhe ata nuk ishin aq të vendosur sa më parë-më tha. Më tregoi si kishin djegur goma makinash dhe kartoserë mbi prehrin e tij me idenë se temperatura e lartë do ta shpërbërë lidhjen e copave të mëdha të gurit. Ishin përdorur varé të rënda, por materiali shkëmbor ishte shumë i fortë. Ishte një llij guri që nuk para thyhej.
    Si përfundim,për fat të mirë, ai monument u shkul prej andej me metoda “shkencore” i ngarkuar pjesë pjesë në mjetet e tonazhit të rëndë të NSHN dhe ushtrisë me vinçat e verdhë emblematikë të njohura si TADANO dhe TDK me të cilat ishte ndërtuar njëherësh gjithë brezi i bunkereve dhe tuneleve prej betoni anembanë kodrave e vijës kufitare të rrethit Gjirokastër.Madie, edhe copat e prera të gurit gjigant njëri prej këtyre vinçave i kish puthitur kur e montuan skluptorët me brigadën e tyre. Tani po i njëjti vinç, e çmontoi. Besoj se sdhe vinçi e mësoi që pjedestalet janë të përkohshme. Njerëzit akoma.
    Miku im Thimio Fili, pas lutjeve të mia më dhuroi dy copa të vogla nga mermeri i diktatorit që pak muaj më vonë edhe unë ja dhurova me naivitet një gazetari francez së bashku me një foto ku dallohej qartë Çimua me një vare duke e goditur në kokë diktatorin.
    Duke qenë se vet nuk kam qenë atë natë aty, nuk marr përsipër të përmend emra protagonistësh, por në kafenetë e qytetit enveristët akuzonin “vandalët” e PD si organizatorë të dhunimit të diktatorit duke përmendur dhe disa emra të spikatur si antikomunistë, demokratë e ish të burgosur politikë nga qyteti si Fredi Shehu, Mondi Zoga, Sokol Karaulli, Thimjo Fili, Agron Memushi etj, etj plot të rinj e burra nga lagjet e qytetit. Duhet theksuar se në atë kohë qyteti dhe fshatrat përreth ishin zbrazur nga rinia që kish emigruar pothuajse e gjitha kryesisht në Greqinë fqinje. Ndaj të organizoje manifestime të mëdha në një qytet të vogël administrativ ishte e vështirë.
    Si përfundim, pyetja që bëhej dhe bëhet me të drejtë nga opinioni publik akoma edhe sot ka qenë dhe mbetet e njëjta: Pse u hoq kaq vonë monumenti i diktatorit nga Gjirokastra?
    Pa pretenduar se po jap një përgjigje shteruese, një gjë mund ta them me siguri të plotë.
    Edhe pse në atë kohë isha vetëm 22 vjeç, duke qenë student i angazhuar në lëvizjet politike të kohës, kisha mundur ta njifja mirë qytetin dhe elitën e saj të shkëlqyer, plot intelektualë të spikatur në fushat e tyre si mjekë, inxhinierë, sportisët, aktorë, mësues, pedagogë, shkrimtarë, historianë, etj, etj siç kisha filluar të njihja edhe historitë e familjeve gjirokastrite të cilat ishin goditur jo thjesht nga regjimi, por personalisht nga Enver Hoxha; ishin shpronësuar, ishin burgosur, ishin internuar dhe jo pak prej tyre ishin pushkatuar edhe me urdhër a dijeninë e tij personale. Enver Hoxha i ka pasur kompleks sidomos bashkëmoshatarët e tij, por mbi të gjitha familjet e shtëpive të mëdha me shumë oxhaqe. Dhe siç thotë Kadare kur flet për Gjirokastrën, familjet dalloheshin për peshën e tyre, nga numri i oxhaqeve në shtëpi.
    Këto familje dhe pinjollët e tyre e urrenin në masë Enver Hoxhën.
    Por vetpërmbajtja e tyre në ato kohë ishte emblematike. Enigmatike. E pakuptueshme po të doni. Nëse doni ndonjë përgjigje se pse ky vetkontroll, për ti kuptuar gjirokastritët, kush nuk e ka bërë akoma, duhet të lexojë me patjetër Kronikë në Gurë, Breznia e Angonatëve, apo Dialog me Alain Bosquet ( Alen Boske) të Ismail Kadaresë. Vetëm atëherë secili do të mund ta kuptonte dhe shjegonte më mirë vet se si ka funksionuar dhe funksionon sociologjikisht Gjirokastra dhe gjirokastriti.
    Pra, me këtë dua të them se monumenti i diktatorit Enver Hoxha qëndroi gjatë në Gjirokastër jo se gjirokastritët e familjeve të mëdha ishin enveristë, por sepse rregjimi në qytet-lindjen e diktatorit ishte shumë herë më i dhunshëm, më vital, më i organizuar, më vigjilent se kudo tjetër dhe ishte i prirur ta mbronte me çdo çmim emrin dhe figurën e diktatorit. Besoj se kjo ishte arsyeja e parë. Arsyeja e dytë ka të bëjë me faktin që Gjirokastra si qytet nuk ishte më vetëm e gjirokastritëve autoktonë. Por duke qenë një qytet dhe rreth kufitar dhe ushtarak, rregjimi sundues ishte kujdesur për vite me rradhë ta shtonte numrin e popullsisë me besnikët e vet të ardhur si oficerë e kapterë jo vetëm nga zona e parë operative Tepelenë-Vlorë-Labëri-Toskëri, por edhe nga Skrapari, Elbasani, Korça, Përmeti, Erseka, Leskoviku etj.
    Pra, shbërja sociologjike e shoqërisë lokale deformoi dhe shumicën urbane duke e kthyer atë nga një shumicë me prirje antiregjim, në një shumicë ruralo-agrare me prirje militante komuniste të dëshmuara për besnikëri përgjatë 50 viteve sundimi dhe përpunimi laburatorik të njeriut të ri që gatoi ai sistem.
    Nuk ishte e rastësishme që të parët që iu bashkuan lëvizjeve demokratike dhe antikomuniste në Gjirokastër ishin pikërisht intelektualët dhe pinjollët e familjeve me emër të qytetit në shumicën e tyre si Karagjizatët, Zekatët, Topullarët, Kokalarët, Selfatët, Babametot,Koton
    ët, Babaramot, Baboçët, Çiçajt,Çabejtë, Çoçolatët, Asqeritë, Xhikajt, Shtinot, shumica e Angonatëve etj. (Ndjesë për ata që kam haruar).Intelektualët më të mirë nga familjet orthodokse shqiptare, greke, e vëllahe, por edhe pinjollë të familjeve të mesme të qytetit të papërziera me punët e pista të regjimit komunist.
    Ndërsa pjesa e enveristëve vinin pikërisht nga ajo kategori sociale që përmenda më sipër. Pra ishte pjesa më pa taban e shoqërisë, ose “elita” e re komuniste e përzgjedhur me kujdes nga regjimi, kryesisht administratë e regjimit, ushtarakë, anëtarë të shtresave ruralo-agrare besnikë të diktatorit që ardhjen nga fshati në qytet ia dinin për nder partisë, një pjesë e mirë të lidhur fort që nga koha e LANÇ-it, etj. Punistët u kujdesën që me anë të prapagandës dhe thashethemit të krijonin idenë se PD-në e mbështesin reaksionarët, klasat e përmbysura, pronarët që duan ti marrin tokën dhe shpitë fshatarit, të burgosurit ordinerë dhe politikë, agjentët e botës kapitaliste, imoralët, ballistët, zogistët, agjentët e grekut, etj.
    -Çfarë gjuhë të huaj flet ti, -më pyeti në dhjetor të ’90-ës Flamur Çani, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv, të nesërmen e ditës që u ktheva nga Tirana ku mora pjesë në mbledhjen e PD-së në Kinoklubin Studenti ku u zgjodh Kryesia e saj.
    -Fërngjisht,-i thash.
    -Aaa,- tha,- pse nuk thua që ti je agjent i francezëve.
    Nëse i besonin vërtet këto që thonin, kjo ishte paranojë e frikshme. Nëse i përhapnin kastile, kjo ishte strategji dinake për të banalizuar opizitën që po rritej mu në sytë e “masave punonjëse”
    -Duhet tu përgjigjemi me të njëjtën strategji, do ti godasim me të njëjtat armë,- tha një ditë në një mbledhje kryesie mjeku humanist dr. Robert Asqeri.
    Në vetvete, në Gjirokastër, kjo ndarje shoqërore dhe ideologjike ndoshta mund ti ketë rrënjët edhe më thellë në histori, pse jo që në kohën e mbëretit Zog, kohë kur komunizmi filloi të futej si ideologji duke u përqafuar së pari kryesisht nga të rinjtë dhe familjet e varfëra, intelektualët me nivel mesatar, zanatçinjtë, familjet jo besimtare në fetë përkatëse në qytet apo në perifertë rurale, argatët, si dhe nga tregëtarët e falimetuar, spekullantët dhe kontrabandistët. Ishin të rrallë pinjollët e familjeve të fisme që përkrahën idetë komuniste. Edhe ata që e përkrahën komunizmin, nga këta pinjollë pjesa më e madhe e tyre kishin rënë në kontakte me to në shkollat që kishin bërë në perëndim, dhe besonin se komunizmi do tu ofronte një shoqëri më të drejtë…ndryshe nga ç’përbindësh doli në të vërtetë.
    Në fakt, edhe sot pas 30 vjetësh në një perceptim sipërfaqësor jo analitik, ndoshta jo racional, të duket sikur në këtë zonë të jugut gjithçka ka mbetur e pandryshuar, si një sahat që ngec dikur dhe ti e gjen atë pas shumë vitesh si të ngecur në kohë pra.
    Shumë njerëz vashdojnë të mendojnë se vërtet busti i diktatorit u hoq një ditë nga Gjirokastra sipas parimit më mirë vonë se kurrë, por diktatori duket sikur jeton në zemrat dhe mendjet e tyre….
    Për këtë të fundit pse egziston ku perceptim dhe nëse është real apo jo, rezervohem ta jap sot një opinionin tim, por në një kohë tjetër më të përshtatshme dhe më me nge, po, patjetër.
    Tiranë më 29 korrik 2020

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here