Qeveria është lëshuar

Nga Frrok Cupi 

Domethënë ka kapur një qoshe muri dhe duket se vetëm pret ta godasin, por nuk godet. Ç’kishte për të bërë, e ka bërë; tani vetëm mbledh rraqet e fundit. Agresivët e kanë lëshuar domenin e tyre- agresionin; arrogantët e kanë lëshuar arrogancën. Më të marrët brenda qeverisë kanë nxituar dhe kanë marrë armët e lëshuara nga të tjerët…

Nëse do të kuptosh cilët ishin të marrët që nuk i kishe njohur për katër vjet, shiko me kujdes ditët e fundit: Cili do të rrëmbejë armët me të cilat janë turrur të fortët e qeverisë kundër të vobektëve… ja ata janë më të marrët. Njëri nga udhëheqësit liberal socialist, për shembull; e dini çfarë bëri?… Doli para disa pallateve dy- katëshe të ndërtuara për “kombinatin Stalin” në vitet ’50 dhe iu sul (s’e di se kujt…) me fjalë marrëzie: “Shikoni- tha- ne socialistët do t’i blejmë prapë votat edhe nën një qeveri teknike. A i kemi ne paratë?.. E të mos i blejmë, si thoni!?”.

Vetë kryeministri e ka lëshuar arrogancën e hapët. Sa e lëshoi ky, ditën e  fundit e kapi ai tjetri. Një tjetër iu sul aleatit të kryeministrit, që quhet LSI, dhe i tha “ju e mbollët drogën”. As vetë Rama nuk guxon të jetë kaq trim, sepse e di se aty është fundi i tij; por të marrët janë shumë trima. Po sa shumë ka si këta; dhe sa shumë do të shikojmë në ditët që vijnë.

Kur po liroheshin të marrët nga kështjellat e Europës në shekullin 15, 16; atëherë u kuptua se sistemi i asaj kohe po binte. Kështu ndodh edhe me qeliza më të vogla, siç janë shtetet ose edhe qeveritë, ose edhe partitë.

Këta janë lëshuar; dhe efektin e parë e dëshmojnë te fakti që pasi të fortët e katër vjetëve i kanë hedhur armët; vijnë disa që i ngrenë nga balta e u duket se paskan qenë këta në atë vendin e lartë.

Si nuk kuptojnë gjë!? Të paktën sot në punimet e Kuvendit si nuk kuptuan se “kryetrimi”  ishte bërë sa një grusht: Aleati i tij- kryetar i LSI, i iku nga salla dhe ky vetëm e pa me melankoli; edhe aleati i ri- lider i Çamëve- po kështu e la. Miku i afërt që tashmë ka partinë LIBRA, i tregoi se si kishte qarë për t’u bërë kryeministër; dhe ky u duk se po i lutej “mos fol më”. Ministren ia sulmuan dhe ky nuk mori as guximin e thjeshtë që të merrte një armë për ta mbrojtur. Kryeministri nuk shfaqet më në zyrën e tij…

Lëshimi duket kudo ku kishte ngrefosje- më shumë se askund tjetër. Polici në rrugë nuk është më ai që ka qenë; polici tani edhe ta fal një gabim. “Zogjtë e rinj” tani bëjnë mimikë si “policë të vjetër”; vajzat që mbronin kryeministrin si policet që mbronin Gadafin, tani rrinë në rrugë dhe shkruajnë sms që të “gjuajnë” ndonjë koleg… A nuk duket më njerëzore kështu?!

A nuk iu duket më mirë që ministrja e Kulturës është “humanizuar”, nuk mund të flasim për “kulturizim”, por të paktën nuk i zgurdullon më sytë si e çmendur. Në ministri thonë se nuk shqyhet më shkallëve si për të dëshmuar fuqi, por struket në zyrë dhe pret orarin që të dalë. Disa të tjerë kanë pranuar të bëhen ministra vetëm për ditët “e lëshuara” dhe iu thonë miqve rrugës: “Haj mo, se mos do të më vinte radhë herë tjetër”.

Është një pamje shumë e bukur kur lëshohet qeveria. Nga një herë merr pamje tragjike, por kjo varet nga cilësia e qeverisë. Në vitin 1991, qeveria komuniste ra me plagë të mëdha dhe me humor- njëkohësisht. Ndërsa tani bien vetëm si qesharakë. Më qesharake bëhen qeveritë arrogante; por edhe më të vërteta kur bien.

Tani, për shembull, kuptohet se qeveria nuk ka pasur asgjë në dorë as në mendje për t’u kujdesur për njerëzit. Por ka bërë “kot”… sikur. Tani duket se qeveria kishte ngritur stuhi nacionaliste, por kishte bërë kot… sikur. Tani duket se qeveria kishte menduar se do të plakej në zyrat e veta, por edhe kjo “kot”. Qeveria kishte menduar se do t’i priste shpata në të katër anët…, e çfarë?… Burgosi nja dy a tre mijë fukarenj; kush ishte me zemër të dobët – vdiq në burg; kush mendoi se vërtet qeveria ishte e fortë- gjeti një mënyrë tjetër tragjizmi. Po çfarë?…, ja që qeveria u lëshua; sot mund t’ia vjedhin gjithë energjinë dhe qeveria nuk bën zë.

Sot një ministre del nga zyra dhe bën foto para Çadrës së Protestës; pastaj shkon te kryeministri: “E shikon sa pak njerëz ka çadra!?”- i thotë. Me këtë ajo do që të gëzojë kryeministrin, por në fakt e tërbon. Ai kupton se ka ardhur fundi, përderisa një Çadër pa njerëz brenda i ka sjellë fundin. Më tha një mik: “E di, ajo Çadër është si gishti që tjetri ta vë para syrit, as ta fut në sy, as ta largon”. Dhe ti çmendesh kur nuk je i zoti të veprosh para atij gishti të vogël. Nuk është e zonja, e shikon!?

Qeveria, aq pompoze dhe e frikshme, është kthyer në të frikësuar. Këto ditët e fundit e kam parë se si po ndjek fantazmën e diktatorit që u rrëzua nga studentët në vitin 1991. Nuk them për mënyrën si u rrëzua, por them për aktet që kreu qeveria komuniste para se të binte: U lidh me aleatët e bllokut komunist- por ata kishin devijuar. U përpoq të lidhej me Perëndimin, por me idotësira lindore. U përpoqën të mohonin Enverin, por nuk i linte e shoqja dhe Lenka- dy gra për gjynah…

Nuk e shikoni ngjashmërinë sot? Kanë ngritur një ngrehinë mediash që po thonë se “na rrezikon Rusia!”. Sido që të jetë, duan ta lënë fajin diku larg. Zonja Merkel e Gjermanisë nuk u përgjigjet më; as zoti Vucic nuk ua vërshëlleu për lodra. Erdogan po del zbuluar për vete… Në Amerikë nuk ua mban dhe … prandaj thonë “Rusia, Rusia!”. Por Rusinë e ngacmojnë edhe si “dashnorë”, që t’i bëjnë isharete duke e zgjuar për t’i thënë “Hajde na merr, këtu po presim”. Politikanët e huaj kanë shterur vizitat…

Kur vjen puna në këtë pikë, atëherë mbetet vetëm një gjë: Që dikush të shkojë në Kombinatin Stalin dhe të dëshmojë se po merr armët e lëshuara.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment