
Qeveria ka shtyrë edhe me një vit kontratën e markimit të karburanteve.
Në Fletoren e fundit Zyrtare, është publikuar vendimi për “Miratimin e kontratës shtesë për ndryshimin e kontratës së koncesionit “Për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Global Fluids International” S.A. dhe “Petroleum Consulting Partners” A.G”, miratuar me vendimin nr.200, datë 13.3.2013, të Këshillit të Ministrave”.
Sipas vendimit, kontrata e koncesionit është 11 vjet, duke filluar nga data efektive. Më parë, kontrata kishte afat 10-vjeçar.
Vendimi nuk i jep arsyet e e shtyrjes, por thotë vetëm që kjo erdhi si rezultat i kërkesës së Autoritetit Kontraktues, pa pasur asnjë paragjykim mbi pretendimet e koncesionarit të rrjedhura nga zbatimi i Kontratës së Koncesionit.
Kontrata duhet të përfundonte më 1 gusht 2023, por edhe pas kësaj date kompanitë kanë vijuar të paguajnë, përndryshe nuk u bëhej zhdoganimi.
Argumenti që ka dhënë koncesionari për shtyrje lidhet me mosmarkimin e naftës bruto, e cila praktikisht është e pamundur që të kryhet sipas operatorëve të tregut.