Qeveria miratoi hartën e re gjyqësore, KLGJ: Siguron marrjen e shpejtë të shërbimeve gjyqësore për publikun

0
10

Këshilli i Lartë gjyqësor ka reaguar pas miratimit të hartës së re gjyqësore nga qeveria. Përmes një reagimi zyrtar, KLGJ shkruan se ky institucion e përshëndet këtë vendimmarrje, e cila është tregues i bashkëpunimit të ndërsjelltë midis pushteteve, me qëllim garantimin e një demokracie funksionale në Shqipëri dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Po ashtu më tej në deklaratë thuhet se vendimi i sotëm i hap rrugën një procesi i cili synon rritjen e efikasitetit dhe efektshmërisë të gjykatave dhe dhënies së drejtësisë në mënyrë të barabartë e pa vonesa për të gjithë qytetarët. Miratimi i hartës së re gjyqësore përmbush jo vetëm një detyrim ligjor, po garanton ndërhyrjen e duhur për rritjen e aksesit në drejtësi dhe siguron marrjen e shpejtë të shërbimeve gjyqësore për publikun.

Njoftimi i KLGJ: Sot më datë 21.07.2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë kurorëzuan punën pothuajse 3 vjeçare të Grupit Ndër-institucional të Punës për Riorganizimin e kompetencave tokësore të gjykatave.

Këshilli i Ministrave miratoi propozimin e përbashkët për Hartën e re Gjyqësore, e cila synon riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave në përputhje me standardet me të mira ndërkombëtare të efiçencës gjyqësore. Harta e re gjyqësore bazohet në metodologjinë e propozuar nga Komisioni Europian për Eficencën në Drejtësi (CEPEJ) dhe është hartuar me asistencën teknike të ekspertëve të Këshillit të Europës, USAID dhe Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Ligjzbatimit e Ambasadës së SHBA në Shqipëri dhe Delegacionit të BE-së.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, përshëndet këtë vendimmarrje, e cila është tregues i bashkëpunimit të ndërsjelltë midis pushteteve, me qëllim garantimin e një demokracie funksionale në Shqipëri dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Vendimi i sotëm i hap rrugën një procesi i cili synon rritjen e efikasitetit dhe efektshmërisë të gjykatave dhe dhënies së drejtësisë në mënyrë të barabartë e pa vonesa për të gjithë qytetarët. Miratimi i hartës së re gjyqësore përmbush jo vetëm një detyrim ligjor, po garanton ndërhyrjen e duhur për rritjen e aksesit në drejtësi dhe siguron marrjen e shpejtë të shërbimeve gjyqësore për publikun. Qytetarët të cilët jetojnë në qytetet ku gjykatat riorganizohen do të vijojnë të marrin shërbimet si më parë nga Zyrat e shërbimeve gjyqësore.

Po ashtu, përmes zbatimit të Hartës së Re Gjyqësore synohet një shpërndarje e ekuilibruar e ngarkesës mes gjykatave dhe gjyqtarëve, përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe specializimin e profilizimin e gjyqtarëve.

Këshilli i Lartë Gjyqësor mbetet i angazhuar për të vijuar bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë dhe aktorë të tjerë për të siguruar një plan zbatimi të mirëmenduar që do të mundësojë jetësimin e plotë dhe me sukses te Hartës së Re Gjyqësore dhe të garantojë gjykata funksionale e shërbime e të efektshme për qytetarët.

Shkruaj nje koment