Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 18 gusht 2022 ku një 51-vjeçar me iniciale Y. T, humbi jetën në spital, disa orë pasi ishte gjetur në një kanal afër banesës së tij nga familjarët.
Policia njofton se është vënë në pranga një 59-vjeçar, pasi nga hetimet e thelluara ka rezultuar se, pas një konflikti të çastit me shtetasin Y. T., ky i fundit ka rënë në kanal ndërsa i ndaluari është larguar menjëherë pa i dhënë ndihmë mjekësore.
“Si rezultat i veprimeve hetimore të thelluara të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, nën drejtimin e Prokurorisë së Kurbinit, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes së ndodhur më datë 18.08.2022, në Kurbin, ku në një kanal afër banesës së tij, nga familjarët e tij, është gjetur me shenja jete shtetasi 51 vjeç, i cili pas dërgimit në spital ka humbur jetën.
Bazuar në prova, u bë ndalimi i shtetasit I. L. 59 vjeç, banues në fshatin Shullaz, Kurbin, i shpallur në kërkim gjatë hetimeve. Ndaj tij, Gjykata e Kurbinit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.