Nga Ergys Mertiri
As Rama dhe as Berisha nuk u kujtuan të bëjnë asgjë sot për Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, as dy rreshta shënim në fb. Ndoshta jo më kot. Që të dy, por Rama më shumë, përfaqësojnë profilin politik të një lideri totalitar, dhe ndoshta në subkoshiencë, i bezdis përkujtimi i kësaj date.
Të dy janë shquar në politikën shqiptare për instalimin e kultit të individit, për politika revanshiste, revolucionare, përmbysëse, për politikë të tokës së djegur që shkatërron trashëgiminë, si dhe për politikën e shndërrimit të publikut në turmë në shërbim të një projekti social mesianik. Të dy bëjnë politikë nëpërmjet asgjësimit të kundërshtarit, mospranimit të tjetrit, ndarjen e botës në “ne” dhe “ata”, ku konflikti është ai që përcakton termat që shenjojnë githçka dhe çdo aktor në skenën politike.
Shqipëria është realisht vendi që duhet ta përkujtojë më fort këtë ditë, pasi jemi vendi me pasojat më të rënda prej një diktature që konsiderohet më e egra në Europë. Pasojat e kësaj të kaluare janë sot më të prekshme se kurrë dhe fakti që jemi në një gjendje kaq problematike, jo vetëm nga aspekti politik, por kulturor, social, ekonomik etj. është rrjedhojë pikërisht e kësaj të kaluare. Ndërkohë, jemi vendi që kemi bërë më pak se çdo vend tjetër në Europë për zbardhjen, njohjen, vlerësimin dhe dënimin e së kaluarës, teksa xhelatët e regjimit komunist vazhdojnë të trashëgojnë privilegjet në demokraci.
Qeveria do të duhet të kish organizuar sot konferenca, takime, ceremoni përkujtimore në shërbim të kujtesës, reflektimit dhe zhvillimit të mendimit mbi të kaluarën e vendit dhe natyrën e sistemeve totalitare. Por asgjë nga këto nuk u bë. Përkundarzi, ashtu si dikur shoku Enver, Rama na zbuloi sot se ku ka naftë dhe sesi do ta krrejmë atë për të pasuruar vendin.
Në fakt, nuk kemi përse të mbajmë pritshmëri tek kjo politikë. Duhet që vetë shoqëria të ndërgjegjësohet, të reagojë dhe ti detyrojë liderët e saj të mbajnë qendrimet e duhura. Pa presionin publik, kjo politikë nuk bën asgjë të mirë.
Problemi është se edhe intelektualët, gazetarët, analistët e shumëkush me peshë publike, nuk e ka thuajse aspak shqetësim këtë aspekt të rëndësishëm për një shoqëri që kërkon të ecë përpara për të qenë e zhvilluar. Kemi një mirkëputim të gjerë në këtë apati midis thuajse të gjithë shtresave dhe grupeve shoqërore, për ta mbajtur vendin në batakun ku vazhdojmë prej tre dekadash tranzicion.