Rama paralajmëron mbylljen e Institutit të Agron Tufës, për krimet e së shkuarës

0
130

Përveç Spartak Brahos që e konsideron “vrasës me pagesë”, edhe kryeministri Edi Rama i ka shfaqur hapur sot në një takim me veteranët e LANÇ, rezervat e tij ndaj kreut të Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa.

Në vazhdën e debatit të ashpër që vijon prej mëse një muaji, Rama ka sulmuar drejtpërdrejtë në ditën e dëshmorëve Tufën, duke parlajmëruar edhe mbylljen e institutit që ai drejton.

Shefi i qeverisë tha se nuk i beson historisë së shkruar nga fitimtarët dhe se veprimtaria e institutit të drejtuar nga Agron Tufa nuk duhet të shtrihet përpara datës 29 nëntor 1944.

“Unë nuk i besoj historisë së shkruar nga fitimtarët, por domosdoshmërisë që ta kapërcejmë atë histori duke mos rënë në grackën e asnjë rehabilitimi të bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe nazizmit dhe mos lejuar që në emër të studimeve të krimeve të komunizmit të cenohet një fije floku kujtdo që mori armët dhe luftoi armët për të luftuar fashistët e nazistët. Qëndrimi është shumë i qartë, çfarë ndodhi dhe si në pikëpamjet të luftës për çlirim deri në 29 nëntor 1944 nuk mund të jetë objekt i një instituti që paguhet nga taksat e shqiptarëve. Çfarë erdhi pas ka qenë objekt i punës së atij instituti dhe i takon Kuvendit që të bëjë vlerësimet e nevojshme në raport me ligjin apo shkeljen e ligjit, apo dënimin e shkaktuar nga një i tillë institute”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se ne “nuk e vlerësojmë si duhet luftën antifashiste dhe gjakun e dëshmorëve nëse i hyjmë në hak kujtdo që ka qenë në një pozicion ndryshëm dhe ka synuar çlirimin e vendit nga okupatorët e huaj”.

Dhe fjalinë e mësipërme e pati për figura të caktura, ku siç tha ai bën pjesë edhe Mithat Frashëri. Për të, Rama thekksoi se do ta bënte sërish ceremoninë e rivarrimit.

“Unë do ta bëja prapë, njësoj ceremoninë për Mid’hat Frashërit. Vija është e qartë. Nuk ka asnjë ekuivok. Ne kurrë nuk do të jemi si socialistë të gatshëm të mbyllim sytë përpara asnjë vepre kolaboracionizmi dhe kolaboracionisti që pikërisht se ka hyrë në rrugën qore, nuk ka vend në nderimet tona. E vërteta është pak më komplekse dhe është mirë që sot t’i ndajmë me sa mundemi që të mos ua trashëgojmë brezave të tjerë, asgjë nga e keqja që regjimi komunist futi”, tha Rama.

Kryeministri duket se me sulmin e sotëm ndaj Tufës eci në linjën e shtruar nga deputeti Braho, i cili në Komisionin e Ligjeve, kërkoi në fillim të muajit prill edhe shkarkimin e drejtorit të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa, pas qëndrimeve të tij në lidhje me Luftën Antifashiste dhe dëshmorët e saj.

“Janë “vrasës me pagesë”. Unë të thashë se ata nuk janë për pushkë, pasi edhe të parët e tyre nuk dinin të zbraznin pushkë. Por këta janë shumë të djallëzuar dhe i bëjnë atentat historisë. Duan ta shuajnë të kaluarën tonë historike, pikërisht pjesën tonë më të lavdishme. E kjo me dy fjalë  don të thotë: të zbresim nga piedestalet heronjtë dhe dëshmorët dhe të ngjisim antiheronjtë dhe kolaboracionistët si Mit’hat Frashëri, Pater Anton Harapi, Hamit Matjani e kriminelë të tjerë.  Ta thashë pak më sipër që Tufa është një shpifës ordiner. Etiketimet që bën nuk e bëjnë atë aspak të besueshëm”, shprehej Braho pak ditë më parë në një intervistë për gazetën “Dita”.

Nga ana tjetër shkrimtari Tufa, publikoi reagoi duke thënë: “Miq të nderuar, Dhuratën më të çmuar sot për ditlindje ma ka bëre direkt nga salla e Kuvendit bash perfaqësuesi i zi i ish Sigurimit të shtetit, deputeti Spartak Braho. Dëgjojeni dhe, ju lutem, shpërndajeni sa më gjerë ta dinë të gjithë, se si na rezikohet jeta nga këta neandertalë të komunizmit!”.

Burimi: gazeta-shqip.com

Shkruaj nje koment