Kryeministri Edi Rama i dorëzoi medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike” Komandantit të Komandës Operacionale të NATO-s, Gjeneral, Tod Daniel Wolters.
Gjatë ceremonisë së organizuar për nder të tij, Rama e cilësoi atë si avokatin më të mirë të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Donim t’i shprehnim përgëzimet tona gjeneralit, si personit më të shquar që ka përfaqësuar këtë marrëdhënie, sepse e ka treguar me vepra që e ka përzemër këtë marrëdhënie. Ai mbështeti transformimin e bazës së Kuçovës në një bazë të NATO si dhe vend pritës të stërvitjes Defender”, tha Rama.
Po ashtu, kreu i qeverisë foli për krijimin e një baze detare të NATO-s në Shqipëri.
“Kemi disa ide të mira e çka është më me rëndësi kemi disa miq të mirë. Jemi shumë besimplotë sot që mund të gjejmë vërtet vendin tonë për të qenë vlerë e shtuar në këtë aleancë.
E lashë për këtë moment që ti them gjeneralit që nesër do kemi mundësi t’i tregojmë disa prej ideve e në këto kohë mjaft specifike të rrezikshme besoj që ai sërish do konsiderojë për të pasur një bazë detare të fjalës së fundit të NATO-s në Shqipëri.
Na takon ne që ti paraqesim projektin atij e ti tregojmë atë për çka kemi punuar e më pas ai më pas që prej fillimit do jetë avokati e mbështetësi i kësaj ideje”, tha Rama.