Raporti i KLSH për Covid-19, Alimehmeti: Keqmenaxhim, MSH mashtroi për jetët e humbura

0
89

Drejtuesi i departamentit të Shëndetësisë, në PD Ilir Alimehmeti,  në një deklaratë për mediat duke cituar raportin e KLSH-së për situatën gjatë pandemisë tha se Ministria e Shëndetësisë mashtroi popullin shqiptar me numrin e humbjeve të jetëve.

DEKLARATA E PLOTE

Miq, qytetarë e bashkëkombas,

Kontrolli i Lartë i Shtetit, ushtroi një auditim me temë “Efektiviteti i menaxhimit të situatës pandemike Covid-19” në subjektet Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe në Institutin e Shëndetit Publik.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në përfundim të auditimit deklaruar për publikun se:

Menaxhimi i COVID-19 në vendin tonë nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me institucionet e varësisë, nxorri në pah problematikat e shumta të sistemit shëndetësor, si:

1. kapacitete spitalore rajonale të pamjaftueshme për trajtimin e rasteve me COVID-19, të cilat i kemi denoncuar vazhdimisht dhe janë nën sytë e të gjithë shqiptarëve;

2. funksionimin joeficient të qendrave shëndetësore të njësive të vendore të kujdesit shëndetësor, të cilat i kemi denoncuar vazhdimisht dhe janë nën sytë e të gjithëshqiptarëve;

3. kapacitete profesionale të specialistëve të sëmundjeve infektive në kujdesin shëndetësor parësor shumë të kufizuara, të cilat i kemi denoncuar vazhdimisht dhe janë në sytë e të gjithë shqiptarëve;

4. fonde financiare të pamjaftueshme, të cilat i kemi denoncuar vazhdimisht dhe janë nën sytë e të gjithë shqiptarëve;

5. mangësi në stokun e materialeve të mbrojtjes personale, të cilat i kemi denoncuar vazhdimisht dhe janë nën sytë e tëgjithë shqiptarëve;

6. pamjaftueshmëri në trajnimet e stafit mjekësor, të cilat i kemi denoncuar vazhdimisht dhe janë nën sytë e të gjithëshqiptarëve;

7. pasiguri në vendin e punës të mjekëve dhe infermirëve, tëcilat i kemi denoncuar vazhdimisht dhe janë nën sytë e tëgjithë shqiptarëve; etj.

Vazhdon Kontrolli i Lartë i Shtetit duke deklaruar se:

“Përballë një virusi të panjohur, shoqëruar me humbje jete të njerëzve, menaxhimi i situatës nga sistemi ynë shëndetësor, nuk ishte shumë efektiv.”

Dhe në fakt, që në 16 Prill 2022, në revistën prestigjioze britanike The Lancet u botua përllogaritja e humbjeve të jetëve nga COVID-19 në Shqipëri në vitin 2020 dhe 2021.

Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë deklaronte zyrtarisht 3.220 humbje jete dhe pretendonte menaxhimin më të mirë në Europë, shifra e vërtetë rezultoi 17.300, pra 5.4 fish më shumë nga deklarimi zyrtar.

Ky raportim fals, kjo gënjeshtër, ishte në nivelin më të lartë nëbotë, i kaluar vetëm nga Afganistani, Iraku, Azerbajxhani, Kirgistani, Taxhikistani, Uzbekistani, Bjellorusia, Bolivia, Haiti, Nikaragua, Venezuela, Bangladeshi, Pakistani, India e vende tëtjera ekonomikisht të prapambetura të Afrikës dhe Azisë.

Sot e kësaj dite është politikë e qëndrueshme e Ministrisë së Shëndetësisë që të mos ofrohet blerja e testeve të shpejta në farmaci, si kudo në botë, me qëllimin e vetëm të mosevidentimit të rasteve, të mosdeklarimit të rasteve dhe të vazhimit të mashtrimit të madh, mashtrim i cili rëndohet nga pasojat që ka mbi jetën dhe shëndetin e shqiptarëve.

Jo më kot Kontrolli i Lartë i Shtetit del në përfundimin e qartë, dhe po citoj:

“Politikat e ndjekura nga MSHMS dhe institucionet shëndetësore publike dhe jopublike nuk realizuan ofrimin e shërbimit shëndetësor si një e mirë publike, qëllim i ekzistencës dhe politikave të tyre, për të rritur cilësinë e jetës së qytetarëve.”

Miqtë e mi,

Jeta dhe shëndeti janë tonat, të të gjithëve ne, dhe ne nuk mund të pranojmë apo lejojmë të luhet me to me prioritetin e vetëm të propagandës së pak zyrtarëve të lartë të politikave shëndetësore.

Të gjithë ne kemi pësuar goditje të panevojshme nga menaxhimi i pandemisë COVID-19!

Të gjithë ne kemi pësuar humbje që mund të ishin evituar!

Të gjithë ne duhet duhet të reflektojmë e të mos lejojmë më përsëritjen e një drame të këtyre përmasave!

Miqtë e mi,

Fatkeqësitë natyrore nuk i kemi në dorë ne, por

• Menaxhimin e fatkeqësive e kemi në dorë ne!

• Minizimin e dëmeve e kemi në dorë ne!

• Ky është prioriteti ynë siç duhet të jetë prioritet i çdo njeriu, prioritet i çdo kryefamiljari, prioritet i çdo drejtuesi!

Faleminderit

Shkruaj nje koment