Raporti i fundit i Moneyval, kritik për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Hetimet e nisura pezullohen ose mbyllen. Gjithë shpresat, te Reforma në Drejtësi. Reagojnë institucionet, ja masat që kemi marrë.
Komiteti i Ekspertëve mbi masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, MONEYVAL, është një autoritet i përhershëm pranë Këshillit të Europës, të cilit i është besuar përputhshmëria e standardeve kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. MONEYVAL ndjek efektivitetin e zbatimit të rekomandimeve për autoritetet kombëtare, për të përmirësuar sistemet e tyre. Së fundmi, është publikuar raporti i raundit të 5, përfshirë edhe Shqipërinë, si një vlerësim i përditësuar i efektivitetit të masave që ka ndërmarrë kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
MONEYVAL e ka të qartë se autoritetet shqiptare kanë një kuptim të drejtë të risqeve që ka vendi për pastrimin e parave në ekonominë formale dhe ka një mekanizëm kombëtar për politikëbërësit për të adresuar për zgjidhje. Gjithsesi, ky mekanizëm nuk është provuar të ketë qenë plotësisht efektiv.
Sipas raportit, korrupsioni paraqet një risk të madh për pastrimin e parave në Shqipëri. Shpesh të lidhura me organizata me aktivitet kriminal, ai gjeneron shuma domethënëse nga vepra kriminale dhe komprometon funksionimin efektiv të sistemit gjyqësor. Autoritetet shqiptare janë të ndërgjegjshme nga risqet e korrupsionit, por deri tani, zbatimi i ligjit ka marrë vëmendje të kufizuar për të shënjestruar korrupsionin, si të lidhur me pastrimin e parave.
Raporti vlerëson se reforma sinjifikative e drejtësisë që ka ndërmarrë Shqipëria do të adresojë më mirë risqet e korrupsionit. Autoritetet kompetente, në mënyrë sistematike, përdorin Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave për të raportuar në shkallë të gjerë sinjalet nga burimet e informacionit, për të filluar procedurat kundër pastrimit të parave, shoqëruar me masa kundër financimit të terrorizmit. Hetime paralele janë hapur si për rastet e pastrimit të parave, ashtu dhe procedimeve kriminale.
Por Moneyval thotë se këto investigime, vetëm në raste të rralla kanë pasur rezultate dhe pjesa dominuese janë pezulluar ose mbyllur nga prokuroria. Raporti nënvizon se Shqipëria ka një kuadër të plotë ligjor për konfiskimin e pasurive nga aktivitetet kriminale, por asetet e konfiskuara duket se janë shumë larg nivelit të kriminalitetit që ka vendi. Lidhur me financimin e terrorizmit, MONEYVAL shënon se perceptimi i risqeve nuk është adresuar në mënyrën e duhur, duke pasur parasysh karakteristikat e financimit të aktiviteteve terroriste në Shqipëri dhe vendet e rajonit. Nuk ka një qasje sistematike për të identifikuar dhe për të hetuar aspektet e financimit të terrorizmit.
Raporti nënvizon se Banka e Shqipërisë ka një kuptim të mirë të pastrimit të parave dhe risqeve të financimit të terrorizmit dhe së fundi, ka përmirësuar raportimin e sistemit offsite, për të mbështetur vlerësimet e risqeve për entitete të ndryshme. Nga ana tjetër, sipas raportit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është në procesin e tranzicionit drejt metodologjisë së bazuar në risk.
Moneyval bën të ditur se, megjithëse janë bërë përpjekje të rëndësishme, as Banka e Shqipërisë dhe as AMF nuk përdorin në mënyrë të vazhdueshme perspektivën e bazuar në risk kur vlerësojnë aplikimet për licencë nga institucionet financiare, ose të marrin qasje sistematike për t’i monitoruar ato, për të shmangur plotësisht riskun e infiltrimit kriminal.
BSH: Ndryshuam rregulloret për të shmangur krimin te subjekte financiare
Banka e Shqipërisë, verifikime për aksionerët dhe personat e lidhur për të shmangur pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit
Banka Qendrore ka ndryshuar një sërë rregulloresh sipas rekomandimeve të raportit të Moneyval, kryesisht kërkesa shtesë të autoritetit për subjektet aplikuese, gjatë procesit të licencimit, lidhur me integritetin e aksionerëve/ortakëve (duke përfshirë edhe aksionerët/ortakët indirektë dhe përfituesit e fundit), por duke e zgjeruar fokusin edhe te personat e lidhur me aksionerët, nëse kanë rekorde kriminale, si dhe kërkesa për subjektet mbi procesin e rivlerësimit në vazhdimësi të integritetit të aksionerëve/ortakëve.
Banka Qendrore ka sqaruar në intervistën e posaçme për “Monitor” se në ndryshimet rregullative është mundësuar që, në disa raste kur Banka e Shqipërisë mund të refuzojë dhënien e licencës, kryesisht nëse subjekti që parashikohet të licencohet mund të cenojë interesat e publikut, ose nëse aksionerët/ortakët e subjektit të propozuar paraqesin rrezik të lartë, janë një bankë guaskë, zotërojnë aksione të mbajtësit (bearer shares), janë aksionerë përfaqësues (nominee shareholders), ose kanë një strukturë komplekse pronësie.
Një vëmendje e veçantë në këto ndryshime i është dedikuar nga Banka e Shqipërisë, edhe procesit të vazhdueshëm të monitorimit të aksionerëve/ortakëve të bankave, subjekteve financiare jo banka dhe zyrave të këmbimit valutor, si dhe organeve drejtuese të subjekteve financiare jo-banka, shoqërive të kursim-kreditit dhe zyrave të këmbimit valutor, në kushtet kur ky proces aktualisht parashikohet vetëm për organet drejtuese të bankave në kuadrin rregullator në fuqi.
