RAPORTI i plotë i Iniciativës Globale: Shqipëria, qendër e drogës dhe e pastrimit të parave!

Ballkani Perëndimor është një udhëkryq që të ofron komoditete të shumta, për çdo gjë që mban emrin “paligjshmëri”.

Një raport i fundit investigativ i Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional, nën titullin: “Flukset e njerëzve, drogës dhe parave”, e paraqet rajonin e Ballkanit si një pikë kyçe për kontrabandën e emigrantëve të paligjshëm dhe azil-kërkuesve drejt vendeve të BE-së, prodhimin dhe trafikun e drogave nga Lindja në Perëndim dhe pastrimin e parave të krimit të organizuar.

TRAFIKU I DROGËS

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten një nga rajonet më të rëndësishme dhe më të mëdha të trafikut të kanabisit, heroinës dhe gjithnjë e më shumë i kokainës dhe drogave sintetike. Shqipëria është vendi ku kanabisi lëviz drejt Lindjes, ndërsa heroina lëviz drejt perëndimit nga Turqia, për të ndjekur më pas një rrugë të kryqëzuar drejt Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës para se të dërgohet në veri, perëndim dhe Evropën Qendrore.

Raporti investigativ i Iniciativës Globale thekson se Shqipëria është vendi tradicional i prodhimit dhe kultivimit më të madh të kanabisit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Zona ku kanabisi lulëzon, sipas raportit, është Dukagjini, lartësitë e Krujës, Vlora, Memaliaj, Tepelena dhe Gjirokastra, pa përjashtuar Fierin, Librazhdin, Lezhën, Mallakastrën, Bulqizën, Devollin dhe Laçin.

Sipas tabelës ilustruese, Shqipëria mbetet vendi i dytë në rajonin e Ballkanit për rrugën e trafikut të drogës. Këtë e tregon sasia e drogërave të sekuestruara përgjatë vitit 2019.

HEROINA

Sipas Zyrës së Drogës dhe Krimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, rreth 60 deri në 65 tonë heroinë rrjedh përmes jug-lindjes së Evropës çdo vit. Indiciet tregojnë se sasi të mëdha të dërgesës magazinohen në rajon para se të ndahen në sasi të vogla për tu shpërndarë në veri të Serbisë drejt Hungarisë, apo nga lindja drejt Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për të Shqipëri.

Raporti i Iniciativës Globale thotë se pas mbërritjes së heroinës në Shqipëri, droga e fortë dërgohet për në Itali apo në Mal të Zi drejt Bosnjë-Hercegovinës dhe Kroacisë. Një tjetër rrugë transit për heroinën është përmes Shqipërisë nga kufiri Qafë Thanë-Kjafasan, ku më pas transportohet për në qytetin e Elbasanit, ku tregtohet me një çmim shumice prej afro 17 mijë euro për kilogram.

KOKAINA

Ndonëse grupet kriminale që operojnë në Ballkanin Perëndimor luajnë një rol madhor në biznesin e kokainës globale, raporti i Iniciativës Globale thekson se informacionet e fundit të policisë tregojnë një ulje të sasive të sekuestruara të kokainës në Ballkan. Gjithnjë referuar informacioneve, Shqipëria kryeson listën e sekuestrimit të kokainës.

Kokaina në Shqipëri vjen përmes Portit të Durrësit dhe çmimi i kësaj lënde narkotike vlerësohet se kap një shumë prej 25 mijë euro, deri në 30 mijë euro kilogrami. Cilësia e kokainës që transportohet në vendin tonë është 90 përqind e pastër.

Edhe sekuestrimi i drogave sintetike, ka pasur një rritje gjatë kohëve të fundit.

PASTRIMI I PARAVE

Krimi i organizuar gjeneron miliarda euro të paligjshme në vit nga kontrabanda e emigrantëve ilegalë dhe trafiku i drogës. Paratë e paligjshme që gjenerohen në Ballkanin Perëndimor ose në vende të tjera të Europës pastrohen në ekonomitë lokale të rajonit ose investohen sërish në aktivitete të tjera kriminale.

Sipas raportit, të ardhurat nga kontrabanda e kanabisit në Shqipëri investohen në droga më të forta si kokaina apo heroina, duke bërë të mundur që grupet  kriminale të kapin një pjesë të konsiderueshme të tregut të këtyre drogave në Europën Perëndimore dhe të kenë fitime më të mëdha.

Të ardhurat që vijnë nga trafiku i drogës, mbështesin kontrabandën e armëve të zjarrit dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

Shuma e parave të fituara nga paligjshmëria është marramendëse, sidomos kur vendoset në perspektivë. Për shembull: Në 2021, buxheti i Ministrive të Brendshme në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, për secilën ministri, ishte ekuivalente me 168 milionë euro. Kriminelët pastrojnë paratë e tyre duke joshur burimin, thekson raporti. Korrupsioni dhe ryshfeti janë mënyra më e përshtatshme e të bërit biznes të zi.

Zgjedhjet janë një tjetër mënyrë mjaft e rëndësishme për të joshur burimin. Raporti thekson se në Shqipëri u raportua për tjetërsim të vullnetit të popullit, apo siç njihet rëndom: shit-blerja e votës, në zgjedhjet lokale të 2016-tës, por edhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2017. Aktivitetet dyshohet se përfshinin bashkëpunim me grupe kriminale për të blerë vota, frikësimi i mësuesve dhe punonjësve të tjerë të administratës publike për të votuar për partinë apo kandidatët dhe ndërhyrja e policisë në votuesit e mundshëm të opozitës.

Shumica e aktivitetit ekonomit në vendet e Ballkanit kryhet përmes ekonomisë informate. Sipas raporteve të ndryshme të përpiluara nga Komisioni Evropian, informaliteti në Ballkanin Perëndimor përbën midis të paktën 25% dhe 33% të PBB.

Në krye të listës së informalitetit, me 33.3- përqind të PBB, listohet Shqipëria.

Sipas këtij raporti, në 6 vendet e BP pastrohen nga 1.8-4.6 miliardë Euro në vit nga kontrabanda e emigrantëve dhe trafiku i drogës.

Ndërtimi, agjencitë imobiliare dhe ato të taksive janë aktivitetet në Shqipëri, ku kryesisht pastrohen paratë e rrjeteve të krimit të organizuar në vendet e BP. Raporti sjell në vëmendje të dhëna nga Instituti i Statistikave në Tiranë, sipas të cilave rezulton që lejet e ndërtimit, edhe pse në kushtet e pandemisë COVID-19, arritën numrin më të madh në gjysmën e dytë të vitit 2020. Që nga viti 2008 që konsiderohet viti i lulëzimit në industrinë e ndërtimit.

Legjislacioni në vendet e Ballkanit Perëndimor kundër pastrimit të parave ka zbrazëti, sidomos lidhur me zbatimin e ligjit, thekson raporti.

KONTRABANDA E EMIGRANTËVE TË PALIGJSHËM

Raporti investigativ i GI vë në dukje që “vlera totale e tregut të kontrabandës së emigrantëve ilegalë në pikat e hyrjes në vendet e BP arrin nga 20-28 milionë Euro, kurse vlera vjetore në pikat e daljes, drejt vendeve të Bashkimit Europian (BE) shkojnë nga 14.4 – 21.4 milionë Euro.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment