Rekord në rajon/ Rriten kërkesat e shqiptarëve për azil, mbi 2 mijë aplikime vetëm në një muaj

Numri i shqiptarëve që aplikojnë për azil në Evropë ra në tetor dhe nëntor, por u rrit ndjeshëm gjatë 11 muajve të 2021-shit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Azilin, në muajin nëntor janë paraqitur 1121 kërkesa për azil nga shqiptarët në vendet anëtare të BE-së. Kjo është pothuajse gjysma e atyre që aplikuan në shtator, më shumë se 2000 persona kërkuan të ikin nga vendi.

Megjithatë, gjatë periudhës janar-nëntor, u depozituan më shumë se 10,000 kërkesa për azil, një rritje prej 66% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shqipëria mban rekordin për vendin me më shumë azilkërkues në rajon.

Sipas EUAA, në nëntor 1001 maqedonas, 405 serbë, 349 boshnjakë, 77 malazezë dhe mbi 200 shqiptarë të Kosovës kanë aplikuar për azil në BE.

Javën e kaluar, rojet kufitare të BE dërguan 50 shqiptarë në shtëpi në Tiranë në fluturimin e parë të organizuar nga agjencia.

“Agjencia ishte përgjegjëse për përcaktimin e afatit kohor, procedurat operacionale dhe, nëpërmjet Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe Oficerit Ndërlidhës të Frontex, për të kontaktuar autoritetet shqiptare. Në të njëjtën kohë, bashkëpunimi i shkëlqyer me autoritetet spanjolle dhe italiane siguroi suksesin e fluturimit”, thekson agjencia.

Shqipërisë i është kërkuar vazhdimisht të shtojë përpjekjet kundër “emigrimit të paligjshëm dhe azilkërkuesve të pabazë”. Raporti i tretë i Komisionit Evropian që vlerëson përputhshmërinë me kriteret e para-anëtarësimit, i publikuar në korrik 2020, tha se qeveria duhet të kërkojë të kuptojë pse kaq shumë qytetarë po përpiqen të largohen nga vendi.

Komisioni Evropian ka refuzuar vazhdimisht të adresojë pyetjen se pse njerëzit kërkojnë azil në Evropë. Disa qindra kërkesa për azil u pranohen shqiptarëve çdo vit në Evropë dhe në Britani të Madhe.

Burimi: Euroactiv

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment