Rënia drastike e Shqipërisë në testin PISA ngre alarmin për arsimin

0
84

Gjuha e përdorur në analizën e rezultateve të testit PISA për Shqipërinë nuk lë hapësirë për shumë diskutime.

“Gjatë analizës, Shqipëria është përmendur disa herë si një anormalitet negativ”, thuhet në pjesën e konkluzioneve që përmbledh në fakt rënien drastike të rezultateve të nxënësve nga Shqipëria në test.

Bazuar në raportin e detajuar, të publikuar në fillim të dhjetorit, Shqipëria kishte rënie në të gjithë treguesit krahasuar me rezultatet e veta në vitin 2018. Rënia nuk është vetëm në tre fushat e testimit (matematikë, shkencë dhe lexim) por edhe në tregues të tjerë, përfshi ato që i ndajnë nxënësit sipas kritereve ekonomike.https://e675de55e57413c8c3792c5d17dde46d.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-40/html/container.html

Raportuesit e shënojnë këtë me nota gati dramatike, duke cilësuar si rënien më të madhe që PISA kishte regjistruar përgjatë kohës që zhvillohet ky testim. “Këto modele sugjerojnë se rënia në performancës së Shqipërisë – një nga më të mëdhatë të regjistruara ndonjëherë në PISA – reflekton, të paktën pjesshëm, mungesën e angazhimit të nxënësve”, thuhet ndër të tjera në raport..

Për ekspertët kjo situatë është tregues i neglizhencës së qeverisjes ndaj arsimit. “Ministria e Arsimit duhet të mbante përgjegjësi për reformat kurrikulare në sistemin parauniversitar, reformat stukturore, por edhe investimet e reklamuara në shkolla të reja apo laboratore, pse nuk kanë kontribuar për rezultate më pozitive. Pra, kemi të bëjmë me përgjegjësi të munguar, politika të dështuara dhe investime joeficente”, thotë Migen Qiraxhi, nga Qëndresa Qytetare.

BIRN i kërkoi në dhjetor Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë një qëndrim në lidhje me situatën në arsimin parauniversitar, rezultatet e testit PISA dhe masat që do të merreshin, por nuk mori përgjigje.

Testi PISA është një nismë mbarëbotërore nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, OECD, për të matur aftësinë e nxënësve 15-vjeçarë për të përdorur njohuritë e tyre në matematikë, shkencë dhe lexim.

Testet eksplorojnë se sa mirë nxënësit mund të zgjidhin probleme komplekse, të mendojnë në mënyrë kritike dhe të komunikojnë në mënyrë efektive, duke dhënë një pasqyrë se sa mirë sistemet arsimore të vendeve të tyre i përgatitin ata për sfidat e jetës reale.

Qiraxhi e sheh mungesën e përgjegjësisë edhe te fakti se pavarësisht rezultateve të këqija, nuk ka një reagim serioz nga Ministria e Arsimit apo qeveria dhe nuk ka ndonjë plan për ta ndryshuar situatën. “Tashmë ka kaluar më shumë se një muaj nga rezultati i PISA-s dhe nuk ka asnjë komunikim për një plan masash, plan i cili u komunikua nga kryeministri i vendit se po përgatitet në Ministrinë e Arsimit. Vonesë e cila na bën të kuptojmë se arsimi nuk është në prioritet e kësaj qeverie”, thotë ai.

Shkruaj nje koment