Rënia e industrisë së qumështit, tregu po zëvendësohet nga importet, rriten me 9% në janar-shkurt

0
120

Sasia e qumështit të prodhuar në vend nuk po e plotëson kërkesën e fabrikave përpunuese për prodhim të produkteve të bulmetit.

Kërkesa e lartë për shkak të mungesës së stokut të operatorëve dhe ofertës së ulët ka shtuar presionin për rritje të çmimit të qumështit të freskët të prodhuar nga fermerët.

Operatorët pohojnë se me nisjen e sezonit të pranverës qumështi i deles po shitet nga blegtorët me çmim mbi 160 lekë për litër, duke arritur deri në nivelin e 190 lekë për litër. Shqetësuese për sektorin është edhe marrja e lartë e sasive të qumështit nga baxhot informale

Mosplotësimi i kërkesës nga prodhimi vendas ka detyruar kompanitë të importojnë qumështin. Për muajt janar shkurt 2023 importet u rritën 9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar sipas të dhënave të Doganave. Tendenca rritëse e importeve nisi që në vitin 2022. Totali i importeve të 2022 u rrit rreth 2% më shumë se 2021.

Kompanitë përpunuese ngrenë shqetësimin e shtrenjtimit të qumështit të deles, por edhe të lopës në nivele shumë herë më të larta se shtetet e tjera. Aktualisht sipas të dhënave të kompanive çmimi i qumështit të lopës për shtet si Itali, Francë dhe Gjermani është ulur nga 68 cent për litër në 58 cent për litër (58,6 lekë për litër), ndërsa çmimi mesatar i shitjes së qumështit të lopës nga fermeri vendas është 75 lekë për litër.

Shkruaj nje koment