REPORT TV siguron pamjet kur ekstremisti grek qëlloi mbi policinë në Gjirokastër (VIDEO)

0
151

REPORT TV siguron pamjet ekskluzive të momentit kur ekstremisti grek Konstantinos Kaçifa hapi zjarr mbi efektivët e policisë së Gjirokastrës mesditën e djeshme. Pamjet janë siguruar nga gazetari i Report Tv, Artan Hoxha. Videoja është filmuar nga brenda lokalit të fshatit Bularat.

Nga pamjet duket ekstremisti grek i veshur me uniformë ushtarake dhe që qëllon në drejtim të automjetit ku është vendosur patrulla e policisë së Gjirokastrës. Pra, Kaçifa nuk ka qëlluar në ajër, por në drejtim të policisë, por fatmirësisht nuk mbeti asnjë i lënduar, ndërsa janë terrorizuar edhe banorët.

Dy janë detajet që duhen veçuar në video; e para lidhet me armën që greku përdori në ngjarjen e djeshme. Ajo është një automatik i modifikuar me dylbi, që ka brenda shënjestrën holografike, e cila është një pajisje ushtarake që e përdor edhe NATO.

Modifikimi i automatikut që përmirëson shënjestrën tregon se asgjë nuk ka qenë rastësore dhe se ushtari grek ka qenë i përgatitur më parë për gjithçka. Ndërsa detaji i dytë lidhet me pretendimin e ngritur nga grekët se ushtari u vra për flamur.

Por në fakt sikur duket në pamjet e siguruara nga Report Tv, greku që po qëllonte me një armë ushtarake moderne nuk kishte asnjë flamur në dorë, por kallashnikov. Flamujt grek nuk janë prekur dje në fshatin Bularat duke u valëvitur normalisht, ndërsa sulmi duket se ka qenë i përgatitur.

Pas sulmit fillimisht në qendër të fshatit, ushtari grek u arratis në malin e fshatit Bularat, ndërsa pas rrethimit nga RENEA nuk pranoi që të dorëzohej, por u kundërpërgjigj me breshëri ndaj efektivëve duke u ekzekutuar.

Pas publikimit të videos, gazetari i Report Tv u shpreh se kjo është një provë e qartë se autori nuk ishte amator apo banor i thjeshtë i fshatit Bularat sikur shprehen grekët. Hoxha thotë se videoja rrëzon pretendimet e grekëve se ai u vra se u irritua nga heqja e flamurit, pasi shton ai, sikur duket nga pamjet nuk ka flamuj në dorë, por kallashnikov, ndërsa simbolet greke valëviten normalisht.

Filmimi që kam paraqitur për Report Tv dëshmon skenën e vërtetë. Kemi dëgjuar shumë versione nga grekët, që është thënë se viktima ka qëlluar në ajër, por pamjet tregojnë se autori i veshur me uniformë del me armë të modifikuar, shënjestër holografike, që ndihmon për të qëlluar gjatë natës, por edhe për të përmirësuar shënjestrën gjatë ditës. Nuk kemi të bëjmë me një banor të thjeshtë të fshatit. Ai del me një automatik të modifikuar, që nuk e drejton në ajër, por drejtpërdrejt makinës së policisë së Gjirokastrës.

Për fat të mirë policët nuk janë goditur. Për asnjë moment ai nuk qëllon në ajër, por drejtpërdrejt. Është thënë se ai është irrituar se i hoqën flamurin, por sikur duket nga pamjet flamujt janë valëvitur qetësisht. Në pamje duken tre flamuj grek që valëviten. Nuk e di ku është gjetur ajo gënjeshtër që Kaçifas u irritua, pasi i hoqën flamurin. Ai kishte në kallashnikov 90 fishekë. Ai duket se e kërkon objektivin, pasi qëllon ku është patrulla e Gjirokastrës.

Ai shkaktoi terror dje në fshat. Kacifas tentoi edhe në momentin e fundit kur tre pjesëtarët e RENEA tentuan të negocionin, por hapi zjarr, ndërsa u godit dhe humbi jetën. Viktima nuk ka qenë sikur dëshmohet, banor i thjeshtë i fshatit dhe që u indinjua se i hoqën flamurin. Pamjet dëshmojnë me zë dhe figurë terrorin që përjeton fshati nga breshëria e kallashit të Kacifas. Ai duket se nuk është amator, pasi e kishte modifikuar armën, ndërsa i kishte vendosur tre karikatorë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here