Requiem për Nebil Cikën

0
167

Requiem për Nebil Cikën

Nuk të gënjej dot vëlla! Nuk të gënjej dot, pasi aty ku ke shkuar je në dritën e së vërtetës e arrin të shohësh jo vetëm dëshirat, por edhe qëllimet. Dje mora pjesë në varrimin tënd, e nuk pata kohë të qaja dhimbjen time. Ajo u shkri me dhimbjen e madhe duke humbur në të.
Aq shumë humbi, sa humba dhe unë, tek të pashë ashtu të paqtë, sa dukej sikur flije.
Ti ike. Ike ashtu pa pritur. A thua se të kishte mbetur qefi nga kjo botë e marrë, që I pëlqen të mbulojë me vello mashtrimi të vërtetën lakuriq, ndërkohë që rend pas mashtrimit duke vrarë shpirtin e saj.
Ti ike dhe unë mbeta. Mbeta, dhe sot ndjeva se nuk jam i tëri. Hapa sytë dhe mendimi i parë që kaloi në trurin tim të mpirë nga dhimbja ishte: Nebili nuk është më. Dje derdha lot që më lehtësonin dhimbjen, ndërsa sot zbulova se di të qaj edhe pa zë, pa lot e kjo qënka dhimbja që nuk ja uroj as hasmit.
Ky është egoizmi vëlla. Unë sot nuk qaj ty. Qaj dhimbjen time, boshllëkun që më la ikja jote e pa besë. Qaj vehten tek shoh që më duhet të capitem i vetëm në rrugën e mundimshme të vetëdijes e koherencës, pa ndihmën e kompromisit.
Nuk të mbaj inat vëlla. Ndonëse desha që barrën e kohëve ta ndaja me ty, ashtu sic ndanim shpesh kafene, cigaret, e zhgenjimin. Zhgënjimin e iluzioneve të shpresës, që nuk është tjetër vec dëshires që pret të rrealizohet.
Jo nuk të mbaj inat vëlla. Ti ike drejt gjithësisë prej nga kishe ardhur, e ku të gjithë do të këthehemi një ditë, për të mbledhur copëzat me dritë të shpirtit të madh te së vërtetës, që aq shumë e deshe.

Gjergj Hani

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here