Restorante, apartamente dhe makinë/ Fierakes i sekuestrohen 1.5 mln euro pasuri, burri në burg

Pasuria e një 49-vjeçareje nga Fieri është sekuestruar nga policia ditën e sotme. Mësohet nga policia se pasuria e paluajtshme e saj kap vlerën e 1.5 milonë euro. Bëhet me dije nga blutë se këto pasuri janë vendosur nga aktiviteti kriminal i bashkëshortit të fierakes, i cili është i dënuar në Itali.
Policia njofton:
Në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave, gjurmimit dhe identifikimit të aseteve që janë përfituar nga veprimtari kriminale u finalizua operacioni policor i koduar “Kuadrati”.
Vendoset sekuestro preventive mbi disa pasuri me vlerë rreth 1.500.000 euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e subjektit.
Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, pas një hetimi disamujor, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Kuadrati”, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, datë 26.11.2020, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të shtetases R. H.,(Z)., 49 vjeçe, banuese në Fier.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, ku vlera totale e pasurive të sekuestruara në Vlorë dhe Pogradec shkon rreth 1.500.000 euro, konkretisht:
Një bar restorant në Skelë, Vlorë;
Një apartament në Vlorë;
Një apartament në Pogradec;
Një automjet tip “Benz”.
Shumat e konfiskuara dyshohet se janë produkt i veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, për të cilën ish-bashkëshorti i saj, shtetasi Shaban Zenaj, i ekstraduar në Itali, është dënuar nga autoritetet italiane me 14 vjet burg.
Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal, ndaj shtetasit Shaban Zenaj, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Vijojnë hetimet dhe verifikimet për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtij shtetasi dhe personave të lidhur me të.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment