Revista norvegjeze: Shqipëria, destinacioni më i kërkuar i momentit

0
134

Fluksi i jashtëzakonshëm turistik i këtij viti në Shqipëri ka marrë vëmendjen edhe të mediave norvegjeze.

Revista “NTB Kommunikasjon” shkruan se interesi i turistëve norvegjezë për vendin tonë arriti kulmin verën e këtij viti, të cilët ishin në kërkim të destinacioneve me kosto të ulët.

Numri i prenotimeve drejt Shqipërisë u rrit me 34% në verën e 2023 krahasuar me një vit më parë.

Interesi nga turistët norvegjezë ka qenë aq i lartë duke i detyruar ata të heqin dorë nga destinacione të njohura europiane. Sipas të dhënave zyrtare të Unionit Ndërkombëtar i Turizmit, ka patur një tendencë në rritje të numrit të norvegjezëve që rezervojne pushimet e tyre në Shqipëri krahasuar me Greqinë.

“Rezervimet janë në të njëjtin nivel si për Majorka në verën e vitit 2024”, thekson kjo media.

Shqipëria ofron plazhe të mrekullueshme me rërë, veçanërisht përgjatë rivierës së Durrësit dhe bregdetit të Vlorës. Me një histori interesante në të shkuarën vendi ynë ofron një gamë të gjerë aktivitetesh në natyrë.

Përveç natyrës, thotë kjo media, Shqipëria ka një ushqim fantastik dhe mikpritje të veçantë ndërsa çmimet në restorante janë shumë më të lira. Në të njëjtën kohë, çmimet e hoteleve janë përgjithësisht më të ulëta se në Spanjë dhe Greqi.

Duke qenë se Shqipëria po kthehet në një destinacion të preferuar për turistët norvegjezë, shumë prej tyre të kënaqur me pushimet e këtij viti kanë vendosur të kthehen sërish.

Prandaj një numër i lartë norvegjezësh po rezervojnë pushimet e tyre verore të vitit të ardhshëm në Shqipëri.

Inflacioni i lartë ka bërë që norvegjezët të përjashtojnë mundësinë për të kaluar pushimet e tyre jashtë vendit, por  Shqipëria ofron një arratisje të paharrueshme dhe me kosto të ulët.

Shkruaj nje koment