Roland Bejko/ Mendime mbi Gjirokastrën, motivuar nga “Breznia e Angonatëve” e Ismail Kadaresë.

0
146

Nuk kish gjë më të bukur sot se rileximi i Breznisë së Hankonatëve të Ismail Kadaresë në natyrën e mrekullushme pranverore në Gjirokastër ku hareja e cicërimës së zogjve që më shoqëronte vazhdimisht në sfond më ngjante me një sinfoni të ëmbël vjeneze.

Kisha disa javë që doja ta rilexoja edhe njëherë këtë vepër madhështore të shkrimtarit tonë të madh nxitur nga një debat në Këshillin Bashkiak mbi të sotmen e trishtë dhe të ardhmen e paqartë të Qytetit me shpresën se duke gërmuar në skutat e historisë dhe legjendave të së shkuarës do të kuptoja diçka më specifike se çfarë do ti ndodhë këtej e tutje qytetit tonë në kushtet kur braktiset për ditë e më shumë nga qytetarët e vet që largohen nga sytë këmbët; në kushtet kur ekonomia është rënuar dhe papunësia është rritur; kur ka humbur shpresa dhe për më tepër, kur me një “Ferman të Kryepadishahut të Madh” po largohen të gjitha institucionet duke rrudhur në maksimum numrin e nëpunësve të saj, paçka se Kryepadishahu ka emëruar për Vali një ushtarak që nuk ka bërë asnjë betejë se nuk ka patur të tilla, përveç se në lojën imagjinare me pushtime të stisura në zborret tona ushtarake, dhe që d.m.th se nuk ka fituar asnjë betejë në jetën e tij.

Nga kjo vepër kuptohet se ky qytet madhështor është ndërtuar dhe ka mbijetuar nga;

  1. Tregëtia dhe tregëtarët. ( E kripës dhe vajgurit psh.)

Sot kjo kategori e rëndësishme dhe jetike për qytetin është zhdukur.
Vendin e tregëtarëve të mëdhenj që binin kafen nga Jemeni, Kripën nga Veriu, Vajgurin nga Janina,produktet e lluksit nga Kryeqyteti i Perandorisë, pra vendin e tyre e kanë zënë disa ambulantë të vegjël që i shesin njëri- tjetrit kafenë njëri e tjetri sheqerin.

  1. Toka bujqësore e punuar apo e dhënë me rentë.

Sot bujqësia në këtë zonë ka vdekur. Herë pas here mund të shikosh në tregun e qytetit ndonjë fermer të ndrojtur nga Lunxhërua që shet ndonjë dorë sallatë a prodhime të tjera të stinës. Tokat e pronarëve të mëdhenj ose janë dhënë në pronësi me 7501, ose janë parcelizuar nga ishfermat bujqësore të komunizmit që më shumë përdoren për kullotë dhe fare pak për vreshtari e pemtari.

  1. Administrata.

Ky qytet që në zanafillë ka qenë një qendër e rëndësishme administative rajonale që nga perandoria, në kohën e Mbëretit Zog, të Qeverisë së Regjentëve, të Diktaturës Komuniste dhe deri më 2013 në kohën e qeverisjes Berisha.
Tashmë nuk është më. Të gjitha institucionet rajonale si Bujqësia, Bordi i Kullimit, Arsimi, Shëndetësia-Spitali Rajonal, Arkivat, OSHE, Gjykatet etj janë larguar dhe do largohen drejt Fierit, Lushnjës dhe Vlorës në emër të reformës së re administrative nga harbuti i papërgjegjshëm që drejton sot vendin.

  1. Fajdet .

Si në atë kohë që trajton Ismaili edhe në këtë kohë, Fajdet i kanë sjellë vetëm fatkeqësi këtij qyteti, kanë qenë tragjike për shumë njerëz njësoj si vdekja e çiftit plak të Çanatëve që përshkruan Ismaili në këtë vepër “që s’kishin tu kthenin Hankonatëve borxhin e dyfyshuar nga fajdeja”.
Megjithëse edhe sot thuhet se ka ende ca fajdexhinj të vegjël klandestinë që veprojnë nëpër qytet, por kjo është sigurisht e pamjaftueshme për të bërë ekonomi.

Kjo nuk është zgjidhja!

  1. Dhënia me qera e shtëpive dhe e pronave !

Halla e Madhe, Shanua, dy shekuj më parë ndërtoi Hamame për burra dhe për gra, mullinj bloje, hane buzë rrugës, niqasi dhoma e shtëpi me qera te vendasit dhe të ardhurit, etj.

PO, edhe sot kthimi i shtëpive në hotele dhe hostele për turistët vendas e të huaj shikohet nga qytetarët si një rreze drite për shpëtimin nga erësira e prespektivës së zymtë që ka rënë mbi këtë Qytet për shkak të mungesës së politikave të zhvillimit ekonomik të zonës nga Qeveria Shqiptare.

  1. Njerëzit.

Në këtë qytet ka fare pak ose aspak mendje të mprehta si Ebubeqiri të studiuar në shkolla të “perandorive të mëdha” dhe i biri i tij autodidakt Basri Hankonati i ri sepse shumica profesionistëve të mirëfilltë janë larguar drejt Tiranës a në emigracion, ata të rinj që kanë guxuar e janë kthyer këto vitet e fundit pas studimeve ose janë larguar me të parë, ose i ka përpirë provinca dhe janë bërë “të leshtë” si të tjerët, ose nuk janë përfillur nga qeveritë.
Sot funksionarët e administratës janë në shumicën dërmuese ose me diploma të blera, ose militantë injorantë. Një pakicë e pazëshme është në vendin e vet të punës.

KONKLUZION !

Gjirokastra, ky qytet i madhërishëm, i bukur, unik në llojin e vet, vitrinë e Shqipërisë si pjesë e pasurisë botrore të trashëgimisë kulturore dhe historike, UNESCO për momentin ka këto 5 mundësi që mund ta shpëtojnë nga rënimi fizik, ekonomik dhe braktisja masive:

1▪ Duke shitur historinë e tij dhe duke rigjeneruar origjinën e ekonomisë lokale të shërbimeve, bujqësisë, blektorisë dhe pemtarisë në kushtet e një ekonomie moderne dhe të globalizmit. ( Sipas argumetnave të Akademikut Artan Fuga te libri Rënia e Qytetit)

2▪ Duke u kthyer edhe njëherë në kushtet e një qendre rajonale administeative, universitare,kulturore, sportive dhe spitalore. ( Me univeesitet dhe spitale prej vërteti)

3▪ Duke zhvilluar një turizëm lokal të integruar jo vetëm brenda Qarkut me qytetet e tij, por edhe me Qarqet fqinje dhe me Prefekturën e Janinës, Igumenicës e Korfuzit.

4▪Duke synuar investimet strategjike rajonale si psh ndërtimi i një aeroporti pse jo në shërbim të turizmit të sporteve të aventurës, etj.

5▪ Duke përzgjedhur kapacitetet njerëzore më të mira lokale dhe qëndrore në nivelet e larta derejtuese jo thjesht si kryetarë bashkish, prefekture e qarku, por sidomos në zyrat e projekim-zhvillimit dhe të ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve. Të mirëpaguar ama.

Nëse nuk do të ndalet kjo historia e marrëzisë së Kryeministrit shqiptar Edi Rama ndaj Gjirokastrës, brenda disa viteve shtëpitë dhe rrugët do jenë edhe më bosh se sot, dhe në vend të atij ansambli të bukur urban do të kemi veç krumbuj gurësh dhe trarësh që do jenë dëshmia e turpit tonë për brezat që do të vijnë…Jo turistë që nuk do të vijnë më, por as qyqet nuk do begenisin të këndojnë në një të tillë shkatërim.

Ato shtëpi dhe njësi tregëtare, ajo kala gjigande, që të mbahen në jetë, kanë nevojë për frymën njerëzore brenda tyre, dhe këta njerëz kanë nevojë për punë e para !

Mirë nuk jemi në gjendje që të ndërtojmë qytete të bukura dhe madhështore si këto, por do jetë e pa falshme për ne që të mos dimë të ruajmë ato xhevahire që na kanë lanë trashëgimi për breznitë Basri Hankonatët tanë.

Dhe unë besoj vërtet, se fillimi i fundit të dikujt që duhet të largohet nga Qeveria pa u larguar akoma më shumë qytetarë nga vatrat e tyre, do të jetë edhe fillimi i shpresës për rigjenerimin e ekonomisë së këtij qyteti të mbrekullueshëm.

Kjo Qeveri me politikat e gabuara të saj të arnave të fasadave urbane, apo edhe me mungesën e politikave dhe vizionit të posaçëm ndaj Gjirokastrës, e ka goditur atë mu në zemër, i ka vrarë gjenezën, sanafillën, dhe ka vënë në diskutim vet egzistencën si e tillë në terma afatmesme dhe afatëgjata.

Gjirokastër më 08 Prill 2018

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here