Roza Haxhiu 53 vite mungesë në jetë dhe fushën e blertë

0
1205

Sot më 19 maj 2017 familja e nderuar e qytetit të Lushnjes Haxhiu, shokët, miqtë, bashkëlojtarët, futbolldashësit dhe i gjithë sporti shqiptar, përkujtojnë 53 vjetorin e ndarjes nga jeta të dëshmorit të futbollit shqiptar, Abdurrahman Roza Haxhiu. Shumë vite mungesë në jetë dhe në fushën e blertë plot 53 vite pa legjendën, ikonën, gjigandin e fushës së blertë shqiptare, Roza Haxhiu që luajti dhe u shqua në futbollin shqiptar në vitet 1950-1960, si talent i rrallë dhe golashënues i klasit të parë me ekipin kombëtar, Traktorin e Lushnjës, e më pas me Dinamon, Besën e Partizanin. Roza Haxhiu lindi në qytetin e Lushnjës në lagjen “Kongresi i Lushnjës” më 30 shtator 1930. Djali i Bajram Haxhiut një nga anëtarët e komisionit nismëtar të thirrjes së Kongresit të Lushnjës. Roza Haxhiu jetoi shumë pak, rreth tri dekada e gjysëm, e thuajse gjysmën e viteve të moshës së tij, ja kushtoi futbollit, sportit të zemrës. Madje,në rast se do të thonim se sporti ka dëshmorët e tij, Roza është nga ata luftëtarë, që me të vërtetë ra në fushën e blertë të stadiumit, i aksidentuar për vdekje, nga një goditje vdekjeprurëse në kokë, e cila i ndërpreu në mes jetën që aq bukur dinte ta jetonte. Dhe kjo i ndodhi, kur ai mbante veshur fanelën e kuqe të Partizanit, duke nderuar jo vetëm ngjyrat e tij, por edhe të sportit mbarëkombëtar. Kësisoj, ai është një nga dëshmorët më të spikatur të futbollit partizanas dhe shqiptar. Ishte 19 maj i vitit 1964 që do të ndërpriste përgjysëm ëndrrën e Rozës që nisi që fëmijë në fushën e blertë të vendlindjes dhe që do të përfundonte po aty në fushën e blertë europiane nga një goditje vdekjeprurëse në kokë. Ishte 19 maj i vitit 1964 që rrëmbeu Roza Haxhiun nga gjiri i familjes, shokëve, miqve, të afërmve, bashkëlojtarëve. Abdurrahman Roza Haxhiu iku si rrallëkush. Ai pati fatin të ndahet nga jeta duke merituar respektin, vlerësimin dhe përjetësinë. Mijëra sportdashës lushnjarë e nga rrethet e tjera, fanfara nga Kavaja drejtonte kortezhin. Ashtu me duart e lëshuar Xha Bami (i ati) hedh vështrimin rreth e qark. Mizëri njerëzish. Përkulet tek koka e arkivolit: ”Ah mor bir, nuk e dija se kishe pasur kaq miq e shokë”. Roza Haxhiu ka vdekur vetëm fizikisht, ai do të mbetet i pavdekshëm në fushën e blertë shqiptare. Roza Haxhiu u nderua pas vdekjes në vitin 1971 me titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Në vitin 1999 nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Edi Rama, u nderua me titullin “Nderi i Sportit Shqiptar”, në vitin 1994 nga Bashkia Lushnje u nderua me titullin “Qytetar Nderi”, në vitin 2016 nga FSHF u nderua me titullin “Pllakatë”. Edhe për ta kujtuar gjithnjë këtë legjendë të futbollit shqiptar në tribunën e stadiumit të qytetit të lindjes, është shkruar një emër i nderuar Abdurrahman Roza Haxhiu në shenjë respekti për kontributin që ka dhënë ky futbollist dhe trajner në futbollin lushnjar dhe atë shqiptar. Abdurrahmani, bukuroshi që do të thirrej “che bella rosa” nga doktori italian, infermieret e spitalit tek e vizitonin aty nga viti 1947. Emri Roza do të përforcohej më tej edhe nga doktori Ihsan Çabej pas vitit 1950, për t’u përhapur më pas jashtë ambieneteve të spitalit dhe mbetur përgjithmonë i skalitur në mendjen e qindra mijërave sportdashësve e më gjërë. Roza-Trëndafil e quajti sepse trëndafil ishte në jetë dhe në fushën e blertë. Për sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti kontributi i fisit Haxhiu është një buqetë lulesh në mesin e të cilës bie në sy një trëndafil-Roza Abdurrahman Haxhiu.

Shkruaj nje koment