Rreshkitje dheu në lagjen Punëtori, ndërhyn Emergjencat Civile

0
315

Terreni i paqëndrueshëm shtufor në themelet e një banese në lagjen Punëtori në qytetin e Gjirokastrës, ka shkaktuar rrëshkitje të dheut dhe rrjedhimisht bllokimin e një arterieje që të con në pjesën e poshtme të lagjes Cfakë. Shirat e rëna gjatë ditëve të fundit, duket se kanë qenë shkaku i kësaj ngjarjeje e cila mund të kishte shkuar edhe më keq akoma, nëse gjatë momentit kritik, do të kishte këmbësorë në rrugën Reshat Isufati. Për fat, gjithcka ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë ku asnjë banor i kësaj lagjeje nuk ishte në qarkullim. Sot është bërë i mundur, lirimi i gati 50% të rrugës nga inertet e rëna nga bazamenti i oborrit të banesës së braktisur prej 20 vitesh. Banorët aty pranë, pohojnë se pronarët e banesës, kanë dy dekada që nuk janë dukur dhe shtëpia është lënë në mëshirë të fatit ndaj dhe rrëshkitja e dheut, ka ardhur në kushtet kur askush nuk është kujdesur për ambjentet e jashtme dhe ato të brendshme të saj. Shefi i Zyrës së Emergjencave Civile në Bashkinë e Gjirokastrës Fatri Brahimi, shprehet se evadimi i mbetjeve inerte, po kryhet me intensitet dhe me kujdes me qëllim që krahas kësaj pune, të ndërhyhet edhe në përforcimin e bazamentit të krahut të shtëpisë me qëllim mos të ketë përsëritje të këtij fenomeni. Situata të ngjashme janë të pranishme në zonat kryesisht malore në qytetin e Gjirokastrës dhe kjo për shkak të prezencës së terrenit shtufor cka është mbajtës i lagështisë dhe ujërave.

Shkruaj nje koment