Rrethi i frikshëm vicioz ku po na fusin votimet e Edi Ramës

Nga Enton Palushi 

Para dy vitesh, universiteti i Jelit publikoi një libër të autorëve Nic Cheeseman dhe Brian Klaas me titull ‘Si të manipulosh zgjedhjet’, një analizë brilante për proceset zgjedhore në mbarë botën. Sipas studimit, i cili bazohet në qindra procese zgjedhore, liderët autoritarë që pranojnë të mbajnë zgjedhje, mund të qëndrojnë më gjatë në pushtet se autokratët që refuzojnë të lejojnë popullin të votojë. Arsyeja është e thjeshtë: ata manipulojnë votat. Në këtë mënyrë edhe qëndrojnë në pushtet, edhe i thonë botës demokratike perëndimore se po mbajnë votime.

Manipulimet zgjedhore janë një industri miliardash që vjen vetëm duke u përsosur. Parimi kryesor i kësaj industrie është se manipulimi duhet të kopsitet përpara se të printohen fletët e votimit. Vjedhjet zgjedhore bëhen në shkelje të ligjit, por edhe duke e zbatuar ligjin. Qetësia e ditës së votimeve u shërben vetëm vëzhguesve dhe ndërkombëtarëve për të hartuar ndonjë raport pozitiv. Ndërsa proceset zgjedhore po shtohen, demokratizimi për ironi vjen duke u zvogëluar.

“Ju ndoshta mendoni se zgjedhjet i dobësojnë autokratët. Mendohuni sërish. Zgjedhjet në fakt i ndihmojnë despotët që të rrisin kontrollin e tyre ndaj pushtetit. Mbajtja e zgjedhjeve difektoze i lejon këto qeveri problematike që të sigurojnë qasje në burime të vlefshme ekonomike, ndërsa forcojnë partinë në pushtet dhe- në shumë raste- përçajnë opozitën. Si pasojë, një numër regjimesh autokratike, që duket sikur janë në pikën e vdekjes, përdorin kutinë e votimit për të rivendosur dominimin e tyre politik. Fasada e demokracisë po kthehet në një mjet shtypjeje sepse një numër gjithmonë e më i madh udhëheqësish kanë zbuluar se si të manipulojnë zgjedhjet- ose të punësojnë dikë për ta bërë këtë. Në shumë pjesë të botës, manipulimi i zgjedhjeve nuk është përjashtim, por normë”, theksojnë autorët.

Problemi kryesor është se të gjithë këta liderë autokratë e kanë kuptuar se edhe nëse bota demokratike u thotë ndonjë llaf për prekjen e zgjedhjeve, realisht nuk u bëjnë gjë. Fakt është se sot rrallë ka ndonjë shembull bindës ku dikujt që ka prekur zgjedhjet, i ka hyrë ndonjë ‘gjemb në këmbë’. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për dhjetëra liderë autokratë në Afrikë, Azi apo Amerikë Latine, por merrni shembujt më të bujshëm mediatikë në botë. Lukashenkos- të cilit gazeta BILD ia publikoi manipulimet zgjedhore si Edi Ramës- nuk i ndodhi gjë; Maduros as që bëhet fjalë; Erdogani nuk shqetësohet për asgjë; Vuçiçi me disa miq të tij në BE nuk e vënë ujin në zjarr, pa folur këtu për Putinin, që të vetmin lider të opozitës, edhe atëherë kur nuk e vret me helm, e kalb në qeli.

Këtë gjë kaq të thjeshtë mendon se ka zbuluar edhe Edi Rama. Zgjedhjet në Shqipëri janë prekur, por manipulim industrial disa herë radhazi po bën vetëm Edi Rama.

Kushdo që ka pak memorie politike e di sa ndryshe kanë qenë gjërat. Përpara se Rama të niste konsolidimin e pushtetit, raportet që publikoheshin nga Transparency International apo Freedom House kishin efekt shokues në vend. Deklaratat e OSBE apo të Këshillit të Europës shkaktonin tërmet. Qëndrimet e Bashkimit Europian ishin të padiskutueshme. Kurse fjala e amerikanëve i vinte kapak çdo gjëje.

Sot në Shqipërinë e Edi Ramës, për raportet e Transparency dhe Freedom House nuk pjerdh njeri. OSBE dhe KiE nuk dihet nëse ekzistojnë më. Bashkimin Europian dhe integrimin nuk e zë më kush në gojë seriozisht. Kurse SHBA u bë kohë që nuk shihet si simbol i zgjedhjeve të ndershme, aq më pak i rezistencës për votën e lirë.

Në këtë mënyrë, Edi Rama po e çon vendin frikshëm drejt një rrethi vicioz. Ai vetë do të marrë zgjedhjet duke përdorur pushtetin dhe manipulimet. Opozita do zhytet në depresion edhe atëherë kur ka marrë vrull. Opinioni publik, të blerë e të pablerë, do i turren të dobëtit se përse nuk mbrojti votat. Opozita e kompleksuar do të kritikohet edhe kur ngre struktura për të ruajtur vullnetin e qytetarëve. Perëndimi do të kërkojë vazhdimisht që protestat të jenë paqësore. Njohja e zgjedhjeve bëhet objektiv primar, duke lënë mënjanë manipulimet.

Më e rënda është se në këtë rreth vicioz do të vazhdojë pakënaqësia ndaj politikës, mosbesimi te gara, urrejtja ndaj demokracisë, polarizimi ekstrem, varfëria në rritje, hendeku mes të pasurve dhe të varfërve, zhgënjimi nga drejtësia, shpopullimi masiv etj. Kulmi pastaj është që në këtë deformim kaq strukturor, të presësh që do vijë një valë e stërmadhe votash që do përmbysë çdo manipulim.

Edhe shpresa e ndërkombëtarëve se këtë rreth vicioz do e thyejë reforma në drejtësi u shkërmoq keqazi në këto zgjedhje. SPAK u tregua më së paku skandaloz në dy rastet flagrante të këtyre zgjedhjeve. Kur shpërtheu afera e patronazhistëve, SPAK tronditi Gjykatën e Strasburgut sepse iu turr gazetarëve dhe jo zyrtarëve socialistë. Kurse në rastin e vrasjes së Elbasanit, prokurorët e SPAK i ‘përdhunoi’ i vetëm Ardi Veliu, duke mos i lënë të hapin gojën teksa mashtronte live opinionin. Sa për blerjet e votave me legalizimet dhe skandalin prej dhjetëra milionë euro me fondet e buxhetit të shtetit, me të cilat u manipuluan fatkeqët e tërmetit, as që flitet fare në korridoret e drejtësisë.

Vendi po futet në këtë mënyrë në ditët më të zymta dhe më të vështira. Ky rreth vicioz po e lë Shqipërinë pa perspektivë, siç shkruante një analist gjerman. Fakt është se tensioni mbetet aty dhe ai ka vazhdimisht tendencë për të thyer rrethimin. Derisa të vijë një ditë kur të ndodhë ndonjë shpërthim, për të cilin nuk do ketë ndërkombëtar që të bëjë ‘kufizim dëmesh’.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment