Gjirokastër/Rreziku që vjen nga lëvizja lirshëm e kafshëve në rrugë

0
168

Çdo ditë drejtuesit e automjeteve përballen me manovra të rrezikshme, apo aksidente, duke shmangur kafshët, që lëvizin lirshëm në korsitë e shpejtësisë së lartë. Kjo situatë përsëritet në çdo aks të vendit, por nuk konsiderohet e mjaftueshme që autoritetet përgjegjëse të marrin masa. I njëjti problem vërehet edhe në Qarkun e Gjirokastrës. Sidomos në rrugët që të çojnë drejt fshatrave të ndryshëm. Barinjtë shpeshherë i lënë kafshët në mëshirë të fatit duke u endur sa andej këtej kur dalin për të kullotur dhe të bllokojnë rrugët ose në raste të tjera të bëhen edhe burim aksidenti .
Sipas Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, lëvizja e kafshëve duhet të bëhet në mënyrë të kontrolluar dhe është përgjegjësi e pronarit/­shoqëruesit të tyre, që të kujdeset për të zbatuar rregullat e qarkullimit dhe sigurisë në rrugë.
Por në Shqipëri nuk ka rrugë të kategorisë “A”, që ky rregull të aplikohet. Në këtë mënyrë për këtë problem që ndeshin qytetarët çdo ditë nëpër rrugët e vendit, nuk ka zgjidhje.
Në vendet e tjera të Europës, jo vetëm autostradat, por edhe rrugët me dy korsi nëpër fshatra janë të rrethuara, aty ku është konstatuar më parë se kalojnë kafshë, shtëpiake apo të egra.
Në Shqipëri, as rrugët e shpejtësisë së lartë nuk janë të rrethuara. Rrethimi me rrjeta, teli mungon edhe në rrugët e përcaktuara me ligj.
Problematika qëndron edhe me ato rrugë që me ligj duhet të kufizohen në të dyja anët me rrjeta teli, ku përveç kafshëve të egra apo të buta, nuk duhet të kalojnë as njerëz, as biçikleta.
Shqipëria është vendi i fundit në Europë për sigurinë rrugore dhe mbetet edhe pas Kosovës. Policia e Shtetit pranon se aksidentet me kafshët janë të pranishme në rrugët e vendit, por derisa kur autoritetet të ndërgjegjësohen se duhet vepruar sa më shpejt, rreziku do të vazhdojë të përndjekë drejtuesit shqiptare të makinave.

(Gjirokastër)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here