Rreziku që vjen nga mbarështimi i kafshëve të imta në qytet/Instancat heshtin para fenomenit

0
55

Mbarështimi i kafshëve të imta në zona të populluara po përhapet me shpejtësi në Gjirokastër, duke u kthyer në një shqetësim serioz për banorët. Prej gati 3 vitesh,ky fenomen po shtrihet gjithandej ku këto kafshë janë vendosur në lagjet kryesore të qytetit të gurtë dhe pavarësisht se banorët janë ankuar vazhdimisht pranë bashkisë së qytetit dhe inspektoriatit të mjedisit siç dhe vetë pohojnë, zgjidhja është ende shumë larg. Individë të ndryshëm kanë krijuar “stanet” e tyre në oborrin e shtëpisë ngjitur me shtëpitë e tjera që nuk posedojnë kafshë të imta .Mbi 100 familje numërohen në qytet që mbajnë secila mbi 30 krerë . Ku sipas banorëve jetesa po u vështirësohet në shtëpitë e tyre që i kanë ndërtuar me mundime vetëm prej këtyre individëve.Era që përhapet gjatë mëngjesit apo mbrëmjes është e padurueshme por jo vetëm kaq dhe ndotja e mjediseve rreth shtëpive të tyre nga këto kafshë .Kjo dukuri ka pushtuar disa lagje të rëndësishme të qytetit si lagjja Dunavat, Katror, lagjja Kodra e Shtufit apo Gërhot etj. Keto të fundit për shkak të hapësirës dhe relievit shfrytëzohen nga këta individë për të kullotur aty kopet e tyre si dhe të krijojnë stane.Banorët e këtyre lagjeve po vuajnë dita ditës këtë fenomen edhe pse i janë drejtuar disa herë instancave përkatëse deri më tani, asnjë nga institucionet nuk ka mundur të ndjekë nga afër këtë problematikë, teksa çdo ditë kjo situatë po bëhet alarmante.

“Çështja e bagëtive është e papranueshme në qytet, pasi bagëtia ka lloj-lloj sëmundjesh. E gjithë kjo varet nga ata që kanë përgjegjësi aty lart në bashki. Unë e quaj të padrejtë, nuk lejohej dikur, madje dënohej me ligj nëse mbaje kafshë të tilla, sot nuk thotë njeri çfarë janë këto kafshë në mes të qytetit. Unë jam konfliktuar disa herë me këta zotërinj që i mbajnë këto kafshë për këtë arsye bashkë me disa shokë, komshinj të mi e i jemi drejtuar disa herë bashkisë, përgjegjësit kryesor për bujqësinë por jemi përcjellë me argumentin se kjo situatë është gjithandej në qytet dhe nuk kanë çfarë ti bëjnë”, thotë një qytetar.

Ndërsa një tjetër qytetar shpreh shqetësimin për të mbjellat në kopshtin e tij, që konsumohen në mënyrë masive nga bagëtitë e komshinjve. “Ato nuk të lënë asnjë pemë, asnjë gjë. Hedhja e lëkurëve ndër të tjera është një problem shumë i madh dhe fëmijët e lagjes shpesh i kapin me dorë, pasi hidhen në terren të hapur dhe në mënyrë krejt të pakontrolluar, duke u rrezikuar kështu të gjithë nga ndonjë sëmundje a epidemi e mundshme”, thotë ai.

Por çfarë rreziku i kanoset njerëzve që i kanë pranë shtëpive të tyre këto kafshë?! Për mjekun veteriner Jorgaq Gumi, i cili ka mbi 20 vite eksperiencë, mbajtja e këtyre kafshëve në ambiente të populluara është e rrezikshme, pasi sipas tij kafshët, sidomos delja apo dhia mbartin në vetvete sëmundje që mund të përhapen lehtësisht te njerëzit nëpërmjet kontaktit apo kushteve mjedisore, e tillë siç është sëmundja e plasjes. “Gjithashtu hedhja e lëkurëve vend e pa vend është shpërdorim me vullnet i njeriut. Çdo kafshë që ngordh duhet të groposet duke lajmëruar veterinerin për të dezinfektuar vendin si dhe në përshtatje kjo me ligjet që ka vendi ynë. Bashkia ka rregullat e veta dhe duhet të ndërhyjë në bazë të ligjeve për të mbrojtur popullatën”,shprehet mjeku veteriner.

Ndonëse qytetarët janë ankuar shpesh për këtë fenomen në drejtorinë e mjedisit apo dhe në bashkinë e qytetit ,asnjë masë nuk është marrë ,askush nga përgjegjësit nuk ngre një grup kontrolli për të parë nga afër gjendjen me të cilën përballen banorët e këtyre lagjeve vetëm se disa individë kanë “dëshirën” për të sjellë fshatin në qytet duke rrezikuar shëndetin e qindra njerëzve.

Shkruaj nje koment