Sa janë ata që të duan ditën e fundit!? E di?!

0
400

Nga Frrok Cupi

Gjysma e titullit është “E di?”, “nuk është Edi”. Sepse vërtet shkrimi është për Edin që nuk e kishte menduar këtë ditë.

Jo vetëm një kryeministër, por ka plot njerëz që nuk e mendojnë “ditën e fundit” dhe këta i përkasin kategorisë së njerëzve të trashë, ose asocial, ose të marrë. “Dita e fundit” është një kategori jo thjesht biologjike, por në radhë të parë kategori filozofike. Fjala e urtë më popullore, që haset në mjedise të ngushta dhe në mjedise jo të vogla, është kjo: “Jetoje të sotmen si të jetë dita e fundit”.

Më të çmendurit, që nuk e mendojnë ditën e fundit janë disa politikanë, por kategoria e politikanëve të prapambetur. Këtu rreth e rrotull kishim Millosheviçin e Serbisë, Causheskun e Rumanisë, dhe brenda vendit tonë vetë Enver Hoxhën. Ditën e fundit ata u shfaqen si dordolecë, sepse atë të fundit nuk e kishin “projektuar” as brenda vetes, as me miq.

… Çfarë po mendoja në momentin kur po shikoja pamjen dhe gjendjen e kryeministrit Edi Rama, duke bredhur sa në një peshkatore, aq edhe në një avion për jashtë vendit; sa në një twitter, aq edhe në një ngërdheshje nervoze me vete… Sinqerisht që nuk e lidh me faktin e njohur që Edi Rama vjen nga një familje bllokmenësh që i rrëzuan jetën popullit shqiptar; por po e shikoja si një “kavje”  se si të bën ajo gjëja e keqe që gjatë rrugës nuk ke menduar për ditën e fundit. Edi tani po ecën me zor, po frikësohet nga Çadra dhe nga macet e zeza që kalojnë rrugës; trembet nga gazetarët e shkretë që nuk mbajnë mend më shumë se një pyetje dhe 50 fjalë në gjuhën shqipe, më shpesh shkon në Paris se në Surrel; Veton Surroi i Kosovës i shfaqet si fantazëm vetëm pse i duket se “Surroi” është si “Surrel”…

Ka njëmijë halle mendja njerëzore kur i afrohet fundit.  Nuk thonë kot se ata që e shikojnë fundin veç një sekondë, me siguri kanë qenë njerëz të mirë gjatë rrugës së jetës.

Agonia është gjëja më e keqe. Kryeministri Rama, veç gabimeve tragjike që ka bërë gjatë rrugës si qeveritar, po bën gabimin më të madh ndaj vetes: Po zgjat agoninë; nuk po dorëzohet para principit, para më të mirës që duhet bërë!…. Nuk po flas si ata kundërshtarë që i thonë tjetrit “Je në agoni”, dhe e tregojnë me gisht; por po flas si njeriu njeriut. Agonia e një kryeministri ose e një qeverie, ose e një mbreti të keq, ose e një diktatori… nuk i bën ndonjë të keqe të madhe popullit, turmës dhe të nënshtruarve. Sepse në mos sot, nesër populli shpëton prej litarit… Jo, të keqen më të madhe ia bën vetes; kjo është për gjynah.

Ia bën vetes sepse ndjell njerëz mizerrabël që të të vijnë te koka e të të thotë: “Më ke mua këtu, mos e çaj…!”. Nuk di çfarë do të thoshte psh., deputeti Braçe pas fjalës mos e çaj… Kokën?- do të thoshte ai. Por ti e lë veten në agoni që të kalojnë pranë shtratit ata që të ndotin më keq. Në një qytet të Veriut ka qenë një lider rajonal i Partisë së Punës. Ditën e fundit, kur u sëmur, priti- sipas mendjes së vet- që të brofnin në spital burra e gra, komunistë e heronj të Punës Socialiste, udhëheqës e popull pa fund… Mirëpo askush nuk u duk. Prit e prit e… bosh. Më në fund hyn një endacak i qytetit që njerëzit e merrnin për budalla. Udhëheqësi u tërbua e tha me vete “ja dita e fundit”. I marri që hyri e pyeti me përkëdhelje se “ku të dhemb, shoki…?”. Ai nuk u përgjigj. T’i përgjigjej “vrimës së fundit të kavallit”?. “Vrima e fundit” donte t’i gërryente nervat dhe e pyeti prapë: “E ku të dhemb, o shoki…?” . “Kan e kan”, u përgjigj udhëheqësi, “veç b…. nuk më dhemb”… “Ah bre shoki….!, si nuk të bani zoti krejt b…”- rënkoi i ardhuri para udhëheqësit në ditën e fundit.

Zoti Rama, në ditët e agonisë po pret “vizita”. E ka vizituar deputeti Erian Brace dhe ka deklaruar se “nuk i dua demokratët në qeveri”. Rama mendon se ky është trimi. Po trima të tillë ta vrasin mizën në lule të ballit. Se këta vetëm servilosen, nuk duan t’ia dinë për ligjësitë e demokracisë… E ka vizituar një ministre, që thonë se e ka kushërirë. Edhe kjo ka folur si para “të sëmurit në spital”. “Rama nuk ka zgjedhur veten, por populli”- ka thënë ajo si për të treguar se po i rri te koka si teze. Ka folur edhe kryetari i Bashkisë, Veliaj. Ky e ka quajtur protestën qytetare dhe kërkesën për qeveri “besimi” si “logje”. Në fakt Veliaj po mendon ditën e fundit për vete, është më i mençur se Rama që nuk e ka menduar. Ai lëshon një fjalë për “të sëmurin” e pastaj shikon punët e veta. Ai i ka parë të tjerët që nuk ishin “vrimë e fundit” por “vrimë e parë”, që sot janë kilometra larg pushtetit. Koço Kokëdhimën po e urren për vdekje zoti Rama. Sepse ditën e fundit, Kokëdhima po i thotë, si kapedani: “Hë, ti deshe të bësh luftë!, se me zgjedhje pa opozitën ka vetëm luftë!?”… Më keq se Koço i duket Ilir Meta. Iliri nuk i ka dhënë as numrin e telefonit të presidentit serb Tadiç që inauguroi koalicionin Rama- Meta në vitin 2013. Të paktën t’i bënte një thirrje Tadiçit e t‘i thoshte “a vjen pak se ky shoku yt ma bëri kështu e ashtu…, ditën e fundit”.

O zot, edhe këtë detaj e paska mbajtur Meta për ditën e fundit.

Edhe tre a katër vetë që kryeministri thërriti në zyrë sot në mëngjes, i thërriti si besnikë, por në fakt kjo ishte hera e fundit që i vijnë. Ata po shikojnë ku ta lidhin rrjetën e pushtetit.

Edhe vetë socialistët kanë nisur të kërkojnë në “thes” se cili mund të jetë kryetar në vend të këtij që shkoi…

Duhet përsëritur jeta në një planet tjetër që të mos gabosh më…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here