Salianji ngre pretendime se OFL u përdor për zgjedhjet, ç’thotë Çuçi

0
15

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji thirri sot për interpelancë në Kuvend, ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi. Salianji u ndal tek Operacioni Forca e Ligjit, duke nënvizuar se nuk ka dhënë rezultat.

Ai hodhi akuza se OFL është përdorur me qëllim për të vendosur gjoba kundër grupeve kriminale dhe për t’i përdorur ato në fushatën elektorale të PS-së për zgjedhjet e 25 prillit.

Salianji u shpreh se procesi i Operacionit Forca e Ligjit shërbeu për të luftuar vetëm në letra pasuritë e grupeve kriminale ndërkohë që pas zgjedhjeve, kjo strukturë ra në heshtje.

“Propagandimi mediatk dhe daljet e shpeshta para zgjedhjeve të 25 prillit pasuan me një vakum pas zgjedhjeve. Kryeministri e cilësonte procesin e pastrimit të policisë së shtetit një domosdoshmëri. Nëse ndjekim logjikën e Ramës ka dështuar procesi i vettingut në polici dhe prandaj ka marrë dhenë krimi në të gjithë vendin.

Pse Shqipëria renditet në listën gri të pastrimit të parave? Cilat para pastrohen nëse nuk janë paratë e grupeve kriminale. Kam kërkuar me shkresë në ministri për të ditur sa janë numri i subjekteve të OFL që janë referuar në SPAK dhe atyre që ende nuk janë referuar.

Që të dimë nëse ka selektime dhe nëse kemi dy standard në zbatimin e këtij akti normative. Sa është numri total për pjesën tjetër të nismave të qeverisë? Sa prej tyre e kanë kaluar vettingun? Sa punonjës të policisë së shtetit pritet të kalojnë vettingun? Këto janë pyetje që janë ngritur për ministrin.

A janë arritur të përmbushen qëllimet që ka pasur ky ligj? A ka deputetë dhe ish deputetë apo ish ministra që janë subjekt klasik i këtij ligj dhe ju i keni favorizuar për të mos i çuar në SPAK?”-deklaroi ai.

Ndërsa Çuçi i ka hedhur poshtë pretendimet e demokratit, duke e konsideruar sukses Operacionin Forca e Ligjit.

“OFL mbetet një moment historik i luftës së policisë kundër krimit, si një instrument efiçent dhe i shpejtë për të gjurmuar pasuritë e kriminelëve. Pavarësisht se zbatueshmëria mbaroi, rezultatet e OFL-së do i shtrijnë ndikimet edhe në të ardhmen.

Pretendimi juaj se OFL u përdor për qëllime elektorale, është i pambështetur. Është përgatitur në vitin 2019, dy vjet përpara zgjedhjeve. Është miratuar në vitin 2020 dhe ka pasur efekt vetëm një vit. Akti normativ, ka parashikuar kohën kur do veprohej. Nuk mund të mendosh se ishte një instrument për qëllime elektorale”, tha Çuçi.

Shkruaj nje koment