Sejko me përfaqësues të shoqatave të bizneseve: Rënia e euros nuk ka cenuar rritjen e eksporteve shqiptare

0
64

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi ditën e sotme një takim me përfaqësuesit e shoqatave të bizneseve eksportuese për të diskutuar mbi shqetësimet e ngritura nga ata lidhur me forcimin e kursit të këmbimit të lekut ndaj monedhës euro.

Ky takim u zhvillua për tu informuar lidhur me situatën si dhe për të sugjeruar instrumente e alternativa të koordinuara me industrinë financiare.

Në këtë takim mori pjesë gjithashtu dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, së bashku me përfaqësues të tjerë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë si dhe drejtues nga Banka e Shqipërisë

Nga ana e eksportuesve të pranishëm ishin Zak Topuzi, Shoqata Shqiptare e Turizmit Lumtor Shkreli, Bashkimi i Industrialistëve në Shqipëri, Edvin Prençe dhe Florjon Zekja, Shoqata Proeksport Albania, Filip Gjoka, Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike.

Guvernatori Sejko në nisje të takimit deklaroi se Shqipëria prej shumë vitesh ndjek një regjim të lirë kursi këmbimi.

Ai tha se në zbatim të këtij regjimi, Banka e Shqipërisë nuk targeton një nivel të caktuar të kursit të këmbimit, e megjithatë i kushton një vëmendje të veçantë ecurisë së tij.

Për sa i përket trendit forcues të monedhës vendase, sipas analizave të kryera, Banka e Shqipërisë gjykon se ky pasqyron përmirësimet strukturore të ekonomisë dhe të tregjeve financiare shqiptare, të shfaqura këto në forcimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe në rritjen e besimit të publikut në monedhën kombëtare.

Gjithashtu Guvernatori shtoi se tregu valutor ka funksionuar normalisht gjatë dy viteve të fundit, duke mos shfaqur çrregullime apo fenomene spekulative çka sugjeron se forcimi i kursit të këmbimit të lekut është një fenomen i përcaktuar nga ekonomia reale dhe jo nga tregu financiar.

Shkruaj nje koment