Sekuestrohen mbi 30 mijë euro në Kakavijë

0
177

Kakavijë
Policia Kufitare e Kakavijës parandaloi dhe goditi dy raste të tentativës për transfertë të paligjshme të parave, 1 rast të trafikimit të mjeteve motorike dhe 1 rast për shkelje të ligjit për Kontrollin Kufitar.
Procedohen penalisht 4 shtetas (dy shtetas grekë, një shtetas italian dhe një shtetas shqiptar).
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 30600 euro dhe 1 automjet i markës “Nissan”.
Në kuadër të masave parandaluese të marra për goditjen pa kompromis të krimeve ndërkufitare, nga shërbimet e Policisë Kufitare në Stacionin e Policisë Kufitare Kakavijë dhe shërbimet doganore janë evidentuar dhe goditur 2 raste të mosdeklarimit të të hollave dhe 1 rast i trafikimit të mjeteve motorike.
Konkretisht:
Në hyrje të Republikës së Shqiperisë, është ndaluar për kontroll një automjet i markës “Nissan”, me drejtues shtetasin italian A. B., 37 vjeç, banues në Napoli, Itali. Ky automjet ka rezultuar i vjedhur në Itali dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma.
Gjatë kontrollit të sendeve personale dhe bagazheve, në dalje të Republikës së Shqiperisë, shtetasit grek A. D., 46 vjeç, banues në Argos, Greqi, i janë gjetur të fshehura dhe i janë sekuestruar 20200 euro, të cilat nuk i deklaroi pranë autoriteteve doganore.
Po në dalje të Republikës së Shqiperisë është përzgjedhur për kontroll të detajuar shtetasi grek A. D., 30 vjeç, banues në Argos, Greqi, të cilit gjatë kontrollit në sendet personale i janë gjetur të fshehura 10400 euro, të cilat nuk i deklaroi pranë autoriteteve doganore.
Po kështu, krahas këtyre rasteve, është proceduar penalisht dhe është ndëshkuar administrativisht për shkelje të ligjit për Kontrollin Kufitar, shtetasi J. T., 33 vjeç, banues në Lezhë, i cili, për motive të dobëta, ka goditur me grushte dhe është konfliktuar me drejtuesin e një autobuzi.
Veprimet e para hetimore dhe procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve u kryen nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here