Sekuestrohen në Kakavijë 808 kartëmonedha dhe monedha koleksioni, procedohet një person

0
91

Policia Kufitare e Kakavijës, ka sekuestruar 808 kartëmonedha dhe monedha koleksioni, duke bërë që të procedohet penalisht një person i cili tentoi që t’i trafikonte në Greqi.

Shërbimet e PKK Kakavijë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, bazuar dhe në analizën e riskut, goditën një rast të tentativës për trafikim të veprave të artit dhe kulturës.

Shërbimet e Policisë, në dalje të Shqipërisë, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në çantën e shtetasit Q. H., gjetën dhe sekuestruan 223 kartëmonedha dhe 585 monedha koleksioni, të cilat nuk i kishte deklaruar sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Q. H., 57 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Shkruaj nje koment