Sekuestrohet drogë, eksploziv C4 e kapsolla detonatore në Kakavijë, trafikantët ia mbathin nëpër pyll

0
287

Një aksion i madh antidrogë po zhvillohet në Kakavijë nga Policia Kufitare, Frontex dhe specialistët e Narkotikëve, ku deri më tani janë sekuestruar 44 kilogramë e 500 gramë kanabis, 4 kallëpë me lëndë plasëse C4, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës.

Policia njofton se vijon krehja e zonës për kapjen e autorëve, të cilët kanë mundur të largohen nëpër pyll, duke përfituar edhe nga moti i keq me shi dhe mjegull.

Si rezultat i kontrolleve të përbashkëta, në pyllin midis fshatit Kakavijë dhe fshatit Dritë,  shërbimet e Policisë kanë parë nëpërmjet dylbive, tre shtetas që po transportonin dy çanta në të cilat dyshohej se kishte lëndë narkotike.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të këtyre shtetasve, të cilët sapo kanë diktuar se po i ndiqte Policia, kanë braktisur çantat dhe duke përfituar edhe nga moti i keq me shi e mjegull  janë larguar me shpejtësi në thellësi të pyllit. Shërbimet e Policisë kanë lajmëruar menjëherë shërbimet homologe greke dhe vijon krehja e zonës në një perimetër të gjerë, për të bërë të mundur kapjen e tyre.

Grupi hetimor, gjatë kontrollit në çanta, gjeti 42 pako të mbështjella me qese plastike, në brendësi të të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike cannabis sattiva, me peshë totale 44.5 kg, 4 kallëpë me lëndë plasëse të llojit C4, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Strukturat hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, vijojnë punën  për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here