Sesioni i ri parlamentar/ Alibeaj shpall tre prioritetet: Reformë për dekomunistizimin e Shqipërisë

0
38

Kreu i grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj mblodhi sot disa deputetë të grupit parlamentar demokrat, duke shpallur edhe prioritetet për sesionin e ri.

Në fjalën e tij Alibeaj theksoi se tre shtyllat kryesore do të jenë, reforma legjislative, mbrojtja e interesit të qytetarëve dhe kontrolli parlamentar. Alibeaj vuri në dukje se një nga reformat do të jetë ajo për dekomunistizimin e shoqërisë.

Lidhur me këtë çështje ai u shpreh:

Ende sot pas 3 dekadave, ndoshta edhe për neglizhencë të Partisë Demokratike, kemi dështuar të gjithë si shoqëri që të ndërmarrim hapa seriozë dhe të rëndësishëm për t’u përballur me të shkuarën komuniste dhe për t’i dhënë fund një diskutimi 32-vjeçar, për të cilin kujtohemi sa herë interesi i ngushtë partiak e kërkon. Për këtë qëllim, katër iniciativat ligjore të Grupit Parlamentar të PD, si (1) hapja e plotë e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit; (2) ndalimi i simboleve të komunizimit; (3) lustracioni i plotë i jetës politike dhe publike; si dhe (4) krijimi i muzeve të kujtesës kolektive, janë nisma që do të jenë prioritet i yni”.

Ndër të tjera, Alibeaj shtoi se do të përdoren të gjitha mekanizmat e kontrollit parlamentar, përfshirë komisionet hetimore dhe interpelancat, për t’i faktuar qytetarëve aferat korruptive të qeverisë dhe abuzimet me pasuritë publike.

Ai renditi si më poshtë:

1.   Megaafera e “Portit të Durrësit”, ku Edi Rama, pa asnjë transparencë dhe pa garë, do të përdor në një projekt privat, miliarda euro pasuri publike; 
2.    Afera e “Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza”, ku Edi Rama, pa asnjë transparencë dhe pa garë, vendosi të zgjasë nga 20 vjet në 35 vjet afatin e kontratës koncesionare, duke dhënë kështu praktikisht një koncesion të ri që i siguron klientëve të tij edhe mbi 500 milion euro të tjera fitime;
3.    Aferat me pronat publike në bregdet me të ashtuquajturat “Investime Strategjike”, ku Edi Rama, pa asnjë transparencë dhe pa garë, po i fal miqëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, pasuri publike me vlerë miliona euro;
4.    Aferat në tendrat publik, PPP apo koncesionet në të gjitha fushat, që janë shndërruar në skema të pastra të vjedhjes së qytetarëve dhe janë kthyer në një gropë për Buxhetin e Shtetit; janë vetëm disa nga cështjet që do ti nënshtrohen kontrollit parlamentar dhe për të cilat do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për anullimin e tyre. Të gjitha këto afera korruptive janë në shkelje të ligjit, të Kushtetutës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, jashtë rregullave të konkurencës së lirë dhe lirisë ekonomike, që janë edhe detyrime që burojnë edhe nga MSA-ja dhe që kanë impakt në procesin e integrimit europian të vendit.

Shkruaj nje koment