Sfidat e të moshuarve në Gjirokastër

0
193

Kohët e fundit po flitet gjithnjë e më shumë për plakjen e popullsisë në vendin tonë,kjo bazuar dhe në statistikat e publikuara së fundmi edhe nga Instat.Në Gjirokastër një pjesë e mirë e të rinjve kanë zgjedhur rrugën e emigrimit si zgjidhje të problemeve të tyre por ajo çka kanë lënë pas janë prindërit apo gjyshërit e tyre.Për fatin e keq rrugët e Gjirokastrës apo sheshet kryesore “popullohen” vetëm nga të moshuar që presin me mall fëmijët e tyre të kthehen ti vizitojnë.Mes mallit për fëmijët ,të moshuarit në qytet përballen me shumë sfida duke përmendur këtu pensionet qesharake që marrin prej shtetit Shqiptar.Një shumë minimaliste e cila sipas tyre nuk mjafton për “bukën e ditës”.

“Jemi futur në dietë “,-thonë ata me një humor të zi ,më të zi se fati që u ka rënë për të hequr. “Është e vështirë të jesh i moshuar në vendin tonë,nuk ka as lekë as shërbime.Çdo gjë është e papërballueshme.Mundohemi ,japim e marrim po mbetemi në vend.Drita ,ujë, ushqim ,ilaçe ,a dalin me 100 e 150 mijë lekë?Është pension qesharak ,me ne janë tallur e po tallen edhe më keq kur na thonë për rritje pensionesh “,-shprehet një pensionist tek sa po ecën i vetëm në bulevardin e Lagjes 18 Shtatori.

Aty në fund të bulevardit gjenden edhe një grup tjetër të moshuarish që po diskutojnë për jetën në Shqipëri ,flasin për fëmijët ,nipërit apo mbesat e tyre që enden rrugëve të botës por të paktën jetojnë nuk mbijetojnë si ata.

“Rrimë ulur në stola ,ku të shkojmë tjetër ,këtu s ka asnjë vend ku mundë të ulemi të pimë një kafe ,të bisedojmë diçka me miqtë tanë.Ka vetëm makina ,këta stola të dëmtuara këtu në fund të rrugës ,ku pas nesh kalojnë tubacione të ujrave të zeza,kjo është për të vënë duart në kokë,gjithë kjo Gjirokastër nuk ka një vend jo vetëm për ne pleqtë por dhe për kalamajt .Bashkia e qytetit na ka braktisur me kohë dhe as e marrin mundimin ti hedhin sytë nga kjo moshë.”-thonë këta të fundit me indinjatë të madhe për pushtetin vendor i cili nuk ka asnjë projekt për këtë kategori.

“Vend ska për ne ,lekë s ka ,shërbime jo e jo se vemi në spitale na ikin lekët pakuptuar me doktorë e infermierë dhe në fund ikim më të sëmurë seç ishim.Po çdo bëhet me ne ?!I jemi dorëzuar fatit kohës e po presim aq sa na ka mbetur ,lutemi të gjejmë një ditë të bardhë edhe ne”,-e mbyllin kështu të moshuarit e qytetit.

Midis shpresës dhe pesimizmit ,të moshuarit e Gjirokastrës sfidohen çdo ditë të jetës së tyre pasi siç ata vetë e thonë në Gjirokastër nuk jetohet por mbijetohet !

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here