Deputeti i Partisë Demokratike në Qarkun e Gjirokastrës Tritan Shehu, ka komentuar veprimin e sotëm të Policisë së Shtetit, e cila ka blinduar Gjykatën e Tiranës pasi aty do të caktohet masa e sigurisë për 23 të arrestuarit e protestës së ‘ Rrugës së Kombit’.
Sipas Shehut, duke blinduar Gjykatën policia po mundohet të tregojë forcën, por nga ana tjetër tregon edhe frikën që ka nga revoltat e qytetarëve, si ajo e Kukësit.
Sipas deputetit demokrat, veprimet e Policisë së Shtetit janë të tilla sikur të jenë arrestuar ndonjë grup terroristësh dhe jo thjesht qytetarësh.
“Demostrim force, terror apo frikë?!
Sot është bllokuar gjysma e Tiranës.
Bëhet gjyqi i disa qytetarëve të varfër, që ju kundërvunë përshkallëzimit të mizerjes.
Masat policore janë të tilla sikur është arrestuar e po dënohet ndonjë grupim i fortë terrorist.
Në fakt ky rregjim po tregon tiparet e tij të vërteta, arrogancën e panikun.
Gjithmonë bashkëjetojnë këto.”-shkruan Shehu.