Rrjetet sociale, gjithmonë e më tepër po krijojnë probleme serioze tek adoleshentët të cilët krijojnë përplasje me njëri-tjetrin. Një adoleshent 16 vjecar me inicialet N.K. nga Gjirokastra, është prangosur mbrëmjen e sotme pasi rezulton të jetë autor i një plagosjeje me mjete prerëse, në dëm të bashkëmoshatarit të tij me inicialet Xh.D. 16 vjec. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen 18 Shtatori ku mes dy 16 vjecarëve, ka pasur fillimisht një përleshje mes tyre cka më pas degjeneroi me përdorimin e një instrumenti prerës duke shkaktuar plagosjen e Xh.D. Sherri mes tyre, ka filluar virtualisht për t’u përplasur më pas edhe fizikisht. Mesa duket ka qenë një femër e synuar nga dy adoleshentët e cila ka shkaktuar konfliktin. Ajo mesa duket ka qenë e synuar mes dy 16 vjecarëve ndonëse minorenë dhe kjo “garë” u finalizua me një përplasje mes tyre. N.K. është sulur ndaj Xh.D. shok të një klase në Gjimnazin “Siri Shapllo” duke përfituar nga muzgu. Mirëpo agresori sapo ka parë edhe prezencën e të atit të shokut të tij të klasës, ka dashur të largohet menjëherë dhe në largim e sipër pasi e ka goditur me një mjet prerës, në ikje e sipër në mënyrë të pavullnetshme, ka qëlluar dhe të atin e viktimës së goditjes në momentin kur 45 vjecari, u sul që t’i ndante. Menjëherë babë e bir janë cuar në spitalin e Gjirokastrës për të mjekuar plagët e marra. Ndërkohë që pas 24 orësh u arrit të kapej agresori. Mbi 16 vjecarin N.K. rëndon vepra penale e vrasjes së mbetur në tentativë.