Shkarkohet nga KPK gjyqtari i Gjirokastres

0
205

Gjyqtari Guximtar Boçi, i pezulluar prej vitit 2016 pas publikimit të një audio-skandali, u shkarkua të martën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK.

Procesi i tij i vetingut u krye nga trupa e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonci Petkovic.

Gjatë seancës dëgjimore Boçit iu kërkuan shpjegime më së shumti për një audio-regjistrim sipas të cilit ai kishte kërkuar favore seksuale në këmbim të ndihmës për një çështje dhe për një apartament në Tiranë në pronësi të bashkëshortes, pasuri për të cilën ajo deklaron se zotëron ½-ën të trashëguar nga babai i saj i  ndjerë.

Boçi mohoi të ishte zëri i tij në audio dhe këmbënguli se ishte viktimë e presioneve.

Guximtar Boçi e ka nisur karrierën e tij në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar si gjyqtar dhe kryetar gjykate në Gjirokastër.

Në vitin 2016, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, KLD e shkarkoi Boçin nga detyra e kryetarit të Gjykatës dhe e pezulloi atë si gjyqtar, pas publikimit të një audioje në emisionin “Stop”, ku ai akuzohej se kërkoi favore seksuale në këmbim të një vendimi gjyqësor.

Në vitin 2017, prokuroria e pushoi procedimin penal ndaj Boçit dhe një vit më vonë ai fitoi pafajësinë me vendim të Gjykatës së Apelit të Vlorës. Boçi ka kërkuar prej asaj kohe rikthimin në sistemin gjyqësor, por Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka rrëzuar kërkesat e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here