Shkatërimi i “Luftëtarit”, kronikë e një fundi të paralajmëruar

0
183

Nga Roland Bejko

Sot sportëdashësit gjirokastritë do ta ndiqnin normalisht ekipin e futbollit Luftëtari në një ndeshje me Elbasanin për Kupën e Republikës.
Por, për fatin e keq kjo nuk do të ndodhë.
Nuk do të ndodhë se Sport Klub Luftëtari nuk egziston më. Ka falimentuar. Ose më mirë e falimentuan.
Po, po, e falimentoi pushteti lokal dhe qeveria. Qeveria me mungesën e një ligji bashkohor të denjë për sportin dhe ekonominë e tregut dhe Bashkia me indiferentizmin e saj ku prej më shumë se një viti në detyrë, nuk ka treguar asnjë interes serioz për çështjen “Luftëtari”.
U desh të bëhej sensibilizimi i grupit të tifozëve të ekipit që u dhimbset kjo punë, që Kryetari i Bashkisë Flamur Golemi të fillonte vendosjen e kontakteve me Presidentin e papërgjegjshëm të këtij klubi dhe më tej çuarjen në gjykatë të çështjes që pret zgjidhje ligjore.
Nëse kjo gjë do ishte bërë muaj më parë, ndoshta nuk do ishim në këtë situatë, por do ishte gjetur një mundësi që Luftëtari ta vazhdonte aktivitetin e tij në kategorinë e parë dhe mosmarrëveshjet të ishin zgjidhur në rrugë e sipër.
Nga aq sa e kam ndjekur unë në media debatin midis Kryetarit të Bashkisë dhe Presidentit të Luftëtarit kam vënë re se i pari është i vonuar në reagimin e tij, i dyti është krejt i papërgjegjshëm për çka ka bërë dhe çfarë thotë.
Unë nuk arrij ta kuptoj si mund të bëhesh aksioneri kryesor, donatori i parë i një shoqërie aksionere dhe president i saj kur nuk i ke kapacitet dhe burimet financiare të mjaftueshme për ta zhvilluar këtë fushë. Ku të çon mushko, o derë bardhë?!
Një ekip sportiv me histori gati shekullore i qytetit, përpara se të jetë pronë private e dikujt ka qenë, është e do të vazhdojë të jetë pasuri publike.
Si mundet mor, që me një të rënë të lapsit shpërbëhet brenda ditës një pasuri publike e tillë?!
Aty është mundi dhe sakrifica e mijra sportistëve që me pasion, mund e sakrifica investuan potencialin e tyre, talentin e tyre, shpirtin e tyre për të argëtuar qytetarët e Gjirokastrës dhe për të nënshkruar historinë dhe lavdinë e një klubi.
Si mund ta marrë me kaq qetësi kryetari i Bashkisë gjithë këtë situatë ndërsa këmbanat e saj kanë më shumë se një vit që bien për veshët e tyre të dyllosura?!
Në fakt falimenti i klubit të futbollit Luftëtari për mua personalisht nuk është një befasi.
Si anëtar i këshillit bashkiak nga 2015-2019, kam kërkuar disa herë unë, por dhe këshillëtarë të tjerë të PD-së, transparencë për menaxhimin e fondeve të dhëna nga Bashkia për ekipin e Luftëtarit, por asnjëherë kjo transparencë nuk u bë e plotë.
Që në fillim, kontrata e shndërimit nga OJF në shoqëri aksionere midis bashkisë dhe grupit të blerësve është kundërshtuar nga ne këshilltarët e PD-së sepse e kemi gjetur të paplotë, jotransparente, spekullative dhe jo garante për jetëgjatësinë e klubit Luftëtari. Por me votat e këshilltarëve të PS dhe me urdhër partie, shitja e klubit kaloi klasën.
Ishte periudha kur për ca vende pune militantësh dhe për ruajtjen e kualicioneve, PS votonte symbyllurazi çdo vendim të rregullt apo të parregullt që paraqeste bashkia, me gjithë kundërshtimet tona si PD.
Ndaj sot ata duhet të ndihen të turpëruar para opinionit publik gjirokastrit se janë po aq fajtorë sa dhe presidenti i klubit me ortakët e tij për falimentimin e Luftëtarit. Po kaq fajtor sa ata janë edhe deputetët e PS Çuçi e Kumbaro që i telefononin këshilltarët dhe ndonjë “rebel” si P. Brahimi e urdhëronin të votonte vet, por të vinte në rresht dhe gjithë këshilltarët e tjerë socialistë se përndryshe u cënohej kualicioni qeverisës dhe humbisnin vendet e punës së militantëve socialistë në bashki.
Kjo është e vërteta, për fat të keq, përtej premtimeve elektorale të deputetëve dhe kryetarit të Bashkisë, z.Golemi se gjatë qeverisjes së tyre në Gjirokastër do të zhvillohej jo vetëm futbolli por edhe disiplinat e tjera sportive si basketbolli, volejbolli, mundja, boksi etj. Ku janë?! Kush i pengoi?! Pse nuk i bënë?!
Mirë nuk i bënë këto, po me futbollin si të vetmin mundësi argëtimi të atij qyteti, ç’patën?!
Ja pra, në ç’duar të papërgjegjshmësh ka rënë ai qytet.
Gjithsesi le të shpresojmë që drejtësia do t’i japë zgjidhje kësaj çështje dhe Luftëtari i Bozhorit, Brahos, Kallucit, Bonit, Çaros, Hitajt, Bonit, Seitit, Millos, Xhumbës, Litit, Haxhit, Çabeliut, Çumakut, Devollit, Çonit, Novit, Shehut, dhe i qindra e qindra futbollistëve të tjerë të talentuar, do të kthehet në piedestalin e lavdisë së dikurshme duke e hequr nga duart e papërgjegjshme të matrapazëve të rastësishëm që historia e sotme shqiptare i ka me shumicë si në politikë, ekonomi, qeverisje, por edhe në sport.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here