Shkeljet në Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara: Pronat e konfiskuara rrezikojnë t’i kthehen krimit

0
155

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka publikuar raportin e auditit të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiksuara ku janë evidentuar disa shkelje. KLSH thekson se rrezikon që pronat e konfiskuara nga krimi i organizuar, apo korrupsioni rrezikojnë t’u kthehen personave të cilëve u janë konfiskuar.

Sipas KLSH-së, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara menaxhonte në fund të dhjetorit të vitit të kaluar prona me vlerë gati 140 milionë euro.

Në audit, KLSH thekson se për shkak të mos vendosjes në iventar sipas ligjit, shkeljeve të rënda në procedurat e shitjes apo punësimet e dyshuara nepotike dhe korruptive, është rritur risku i tjetërsimit të pronave dhe rikthimit të tyre në zotërim tek personat e dënuar nga drejtësia.

Sipas KLSH-së, mungesa e zbatimit të kritereve ligjore, mungesa e krijimit të një baze të dhënash në lidhje me një informacion të përgjithshëm për të gjitha pronat e sekuestruara e të konfiskuara, mungesa e regjistrimit dhe monitorimit të të gjithë objekteve të sekuestruara dhe të konfiskuara të dhëna me qira, janë tregues i qartë që objektivat e krijimit të sistemit nuk janë arritur e për rrjedhojë niveli i riskut në lidhje me mbarëvajtjen e punës për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara është i lartë.

Sipas KLSH, kartelat e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara në fund të dhjetorit të vitit të kaluar nuk përmbajnë ekstraktet bankare dhe kartelat e inventarit të pasurive sipas administratorëve të tyre, nuk gjenden procesverbalet dhe mungon organizimi e dokumentimi i veprimeve kontabël të aktivitetit të administratorëve që janë ngarkuar për këto prona.

Shkruaj nje koment