Shkon në 65 numri i personave të infektuar me COVID-19/ Mjekët paralajmërojnë se bumi i virusit do të jetë në javën e tretë

Shkon në 65 numri i personave të infektuar me COVID-19 në vendin tonë. Mësohet se e infektuara e re është një 65-vjeçare nga Patosi, e cila ishte vetë-karantinuar prej disa ditësh, por mbrëmë është nisur me urgjencë drejt Spitalit Infektiv, pasi gjendja e saj shëndetësore është rënduar. Ndërkohë, sipas bilacit të Ministrisë së Shëndetësisë në vendin tonë kanë humbur jetën dy të infektuar. Po kështi sipas saj mes të infekuarve janë edhe 3 italianë dhe 9 mjekë dhe infermierë, një nga Spitali i Durrësit dhe të tjerët nga spitali “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Lushnje, Fier dhe Kavajë.
Ndërkohë mjekët paralajmërojnë se bumi i COVID-19 do të jetë gjatë javës së tretë, ku sipas tyre do të ketë një rritje të numrit të personave të infektuar. Mjeku Pëllumb Pipero ka deklaruar se numri personave të prekur nga koronavirusi, është të paktën 10 herë më i madh se numri i personave të identifikuar deri më tani. Kryeministri Edi Rama nga ana tjetër bën thirrje që qytetarët të bëhen të përgjegjshëm dhe të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, pasi në këtë mënyrë situata nuk mund të dalë jashtë kontrollit. Një ditë më parë ai publikoi edhe planin ekonomik, ku njoftoi se deputetët, ministrat dhe vetë ai do marrin gjysmë rroge deri në fund të luftës, ndërsa Presidentit nuk i preket e tija. Kreu i qeverisë tregoi 7 pikat e planit, ku do ketë fonde shtesë për shëndetësinë, biznesin e vogël, shtresat në nevojë dhe për Ministrinë e Mbrojtjes.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment