Shkruaji Kryeministrit!

Nga Enton Abilekaj

Po t’ i shkruash Edi Ramës mund të gjesh punë në privat. Nëse je një nga ata që ke besuar sloganin “Vende pune ka, por duhen profesionistë” dhe je nisur si profesionist të aplikosh në një vend të lirë, por ende nuk e ke gjetur, atëherë shkruaji kryeministrit!

Nëse je nga fatlumët që e kanë gjetur vendin e lirë, por duhet të përballesh me konkurentë të tjerë, që mund të jenë edhe më të mirë se ti dhe mund të ta marrin vendin, shkruaji kryeministrit! Nëse nuk e bën, atëherë mos u anko për vendet e punës, mos i kujto premtimin për 300 mijë vende pune, mos kërko ndihmë sociale! Faji është i yti. Adresën e ke, ta bëri publike. Mund t’ i shkruash edhe ti që nuk e beson sloganin për vende dhe profesionistë, edhe ti që e ke besuar dhe je zhgënjyer.

Thjesht nuk ke patur adresën e kryeministrit kur e ke provuar. Tani mund të aplikosh përsëri dhe të fitosh, por pasi t’ i shkruash Edi Ramës në adresën private. Edhe ti që e ke besuar, ke kërkuar, por nuk ke gjetur vende të lira. Riprovoje, por shkruaji më parë Kryeministrit në adresën private të emailit! Ai do t ‘i kërkojë privatit të marrë një punonjës më tepër. Privati do t’i bindet, jo se kryeministri ka ndjekur ndonjë politikë fiskale në shërbim të punësimit, si heqja e taksave për çdo vend pune. Jo për këtë. Kjo nuk ka për të ndodhur. Por ai do ia bëjë kryeministrit një favor dhe Kryeministri do të ta dhurojë ty favorin. Pa asnjë kusht, voto për kë të duash. Vetëm kur të vijë kamera e keyeministrisë të të xhirojë do thuash fjalët magjike. Mos i mëso fjalët, do jenë të shkruara, mjafton t’i lexosh rrjedhshëm.

Do kesh gjithë ditën e punës në dispozicion që të lexosh rrjedhshëm atë që do të të shkruajnë. Sa më mirë të interpretosh, aq më i famshëm do bëhesh. Mos vuaj, shkruaji kryeministrit! Mos e paragjyko këtë si aksion elektoral në prag të zgjedhjeve! Mos e shiko si tejfryrje të vendeve të punës në privat me rastin e fushatës elektorale! Mos e mendo si përqendrim të plotë të pushtetit dhe shpërdorim i paarsyeshëm i tij në funksion të votave të 18 qershorit! Përqëndrimi i pushtetit është në të mirën tënde. Nëse privati do vazhdojë të jetë i lirë të vendosë sa dhe kë do të punësojë, ti do mbetesh pa punë, ekonomia do zhvillohet pa kontroll dhe vendet e punës mund t’i marrin ata që kanë më shumë rezultat! Ndërsa ti ke çelësin e artë, shkruaji Kryeministrit! Apliko të marrësh një rrogë dhe t’i japesh fund varfërisë!

Të paktën deri në 19 qershor! Më pas nuk i dihet. Hiqe emrin nga Zyrat e Punës, tërhiqe cv-në, lëre shkollën, harroi notat, shkruaj bukur dhe nisja kryeministrit! Mos mendo kë do lësh pa punë! Ai nuk nisi e-mailin e duhur. Mos mendo kokëçarjen e privatit që do rrisë shpenzimet! Ai do të marrë një tender, do lërë pa paguar tatimet, do kalojë mallin pa doganë, në fund fare do fitojë më shumë se ti. Vetëm të ardhurat e xhepit të përbashkët të shqiptarëve do ta vuajnë, ti jo, ti do fillosh punë. Në privat, se në shtet ka konkurs, ka ligj. Mos mendo që kryeministri ndërhyn në punësimin në shtet me të njëjtën lehtësi që ndërhyn në privat.

Vartësit e tij nuk do ta lejonin kurrë. Me siguri kjo do jetë arsyeja që ai i është drejtuar privatit. Prandaj mos kërko në shtet! Bëje gati kërkesën dhe nisja Edi Ramës! Përfito që në Shqipëri ka një njeri që mendon për ty dhe ai është pikërisht Kryeministri. Imagjinoje veten në Gjermani, Francë, të humbur si qytetar të Europës! Sa fatkeq do të ishe! Nuk do gjeje dot vend pune, se nuk do ta kishe adresën private të Kryeministrit. Madje as në Kroaci e në Serbi, as në Bosnje e në Kosovë, nuk do ta kishe këtë mundësi. As nëpër fiset që jetojnë në kushte natyrale nuk do ta kishe kaq të lehtë komunikimin me të parin e fisin. Je me fat, je në të vetmin organizim social në botë ku mund të të fusë në punë Kryeministri. Mos e shpërdoro, shkruaji tani Kryeministrit!

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment