“Shpërthimi” i ambasadorit Lu për agjendën gay tregon diçka tjetër

0
156

Nga Fitim Zekthi

Kultura është themeli mbi të cilin ndërtohet sjellja dhe institucionet politike. Duke qenë se SHBA që nga viti 1991 është aleati jo vetëm më i dashur por edhe më i rëndësishëm i Shqipërisë dhe duke dashur që demokracia, institucionet, ndarja e pushteteve, sundimi i ligjit, llogaridhënia etj., të rriten vazhdimisht kanë folur për kulturën. Ata kanë promovuar kulturën në lami të ndryshme, kanë financuar studentë, libra, aktivitete etj. Këtë gjë e kanë bërë vazhdimisht të gjithë ambasadorët që nga viti 1991.


Por kurrë deri në vitin 2008 ambasadorët amerikanë nuk kanë folur për homoseksualitetin si një “zgjedhje e lirë”, kurrë nuk kanë marrë pjesë në ekspozita apo filma ku flitet për vuajtjet apo artin e homoseksualëve, kurrë nuk kanë dalë në parada gay për të promovuar lirinë e të qenit homoseksual etj. Pra, ambasadorët Rajerson, Hill, Lejk, Lino, Limpreht, Xhefri, Ries nuk kanë folur ndonjëherë me gjuhën e agjendës gay. Disa nga këta ambasadorë janë dashuruar apo urryer nga socialistët, komunistët apo demokratët për qëndrimet politike mbi zgjedhjet, reformat apo protestat, por ata kurrë nuk janë marrë më homoseksualitetin.

Pas vitit 2008 kur në SHBA u zgjodh president Barack Obama nisi një tjetër qasje. Ambasadori Withers filloi të flasë për të drejta të homoseksualëve, shkonte në paradë gay, kërkonte që të hynim në një kulturë tjetër ku të mos shihej homoseksualiteti si një gjë e dënueshme apo e keqe etj. Madje ai solli në Shqipëri një aktiviste amerikane të çështjes gay e cila zhvilloi një takim në prani të ambasadorit në sallën Black Box të akademisë së arteve. Pra, ambasadori Withers e kishte shqetësim të rëndësishëm promovimin e të drejtave të homoseksualëve. Më pas ambasadori Arvizu ndoqi të njëjtën linjë, shkonte në paradat gay, vizitonte ekspozita etj. Ambasadori Lu po ashtu ishte në paradat gay deri në vitin 2016, ka folur në shumë raste për të drejtat e homoseksualëve, ka kërkuar përmirësime të ligjeve dhe të jetës institucionale etj.

Presidenti Obama, sekretaret e shtetit Klinton dhe Kerry e kishin kthyer në një çështje të rëndësishme të politikave të tyre çështjen e të drejtave të homoseksualëve nëpërmjet të cilës promovohet vetë homoseksualiteti.

Ka të paktën dy pikëpamje mbi homoseksualitetin. E majta, liberalët, ultraliberalët thonë se ajo është një sjellje e lindur, e drejtë, e mirë dhe e shëndetshme si heteroseksualiteti dhe kështu që homoseksualët duhet të kenë të drejtë të martohen dhe adoptojnë fëmijë, dhe pikëpamja tjetër: e djathta, konservatorët, tradicionalistët që mendojnë se homoseksualiteti është i fituar, është zgjedhje, është një çrregullim. Sipas tyre homoseksualët janë fatkeq që duhen respektuar, ndihmuar, ata meritojnë të trajtohen me dinjitet pa hyrë në agjenda poshtëruese për ta për të promovuar sjelljen e tyre seksuale etj.

Tashmë në qeverinë amerikane ka një politikë jo thjesht të ndryshme por të kundërt me atë të presidentit Obama dhe sekretarëve Klinton dhe Kerry. Debatet mbi homoseksualitetin do të vazhdojnë gjithnjë duke qenë se tashmë kanë hyrë edhe në agjenda politike por ajo që kanë kërkuar gjithnjë të djathtë dhe konservatorët është që agjenda gay, të majtët, liberalët të mos iu imponojnë të tjerëve idetë e tyre, të mos iu kërkojnë të tjerëve të mendojnë për homoseksualitetin siç mendojnë ata. Dhe kjo po ndodh. Në SHBA presidenti Trump anuloi përfshirjen e transgjinorëve në ushtri që e kishte bërë Obama duke iu imponuar amerikanëve idenë e vetë liberale. Presidenti Trump anuloi banjot e posaçme për transgjinorët, vendim i marrë po ashtu me imponim nga presidenti Obama. Pra, ka një ndryshim të madh dhe në SHBA, ka debate të mëdha politike mes palëve.

Kulturalisht agjenda gay ka qenë edhe në zemër të përpjekjeve të fondacionit Soros në botë dhe Shqipëri. Libra, tekste të ndryshme, autorë, sociologë apo psikologë që janë në anën e kësaj agjende janë botuar në Shqipëri dhe botë nga fondacioni Soros. Studime të ndryshme porositen nga fondacioni Soros në Shqipëri dhe botë për të mbajtur gjallë, forcuar, propaganduar agjendën gay, pikëpamjen e tyre mbi homoseksualitetin etj. Ka studime edhe në Shqipëri, në botë po e po, që thonë se nënat duhet t’i lënë djemtë të luajnë me fustane, me buzëkuqe se ata mund të zbulojnë veten se janë femra dhe po ashtu duhet t’i lënë vajzat të luajnë me pushkë, me makina se ato mund të zbulojnë se janë djem. Në grupin e njerëzve të fondacionit Soros ka njerëz që këto i besojnë vërtet. Të paktën dy pedagoge, që u bënë edhe deputete të PS-së së Ramës këto gjëra i thonë edhe publikisht.

Ambasadori Lu shpërtheu dje në kritika ndaj deputetëve dhe politikanëve që kanë kritikuar aktivitetet e agjendës gay në shkolla. Ambasadori Lu iu kërkoi atyre që të kenë kujdes duke i kërcënuar në farë mënyre. Çfarë ndodhi që Lu u rikthye te gjuha e ambasadorëve kur president ishte Obama dhe kur homoseksualiteti shihej ndryshe. Ambasadori Lu është vënë nën akuzë se ka ndihmuar, nëpërmjet fondacionit Soros, qeverinë socialiste, të kryeministrit Rama të marrë nën kontroll sistemin e drejtësisë. Këto akuza i vijnë nga vetë vendi i tij. Një organizatë e pavarur ka mbledhur material që sipas saj e vërtetojnë këtë gjë dhe materialet do t’i dërgohen gjykatës.

Të gjithë e mbajnë mend se si në vitin 2013 dhe sidomos në vitin 2014 qeveria e Kryeministrit nisi një luftë frontale ndaj Këshillit të lartë të Drejtësisë me qëllim marrjen e tij nën kontroll. Parlamenti i kontrolluar nga Rama shkarkoi në mënyrë antikushtetuese anëtarët Çefa dhe Lelcaj dhe vendosi aty dy njerëz të PS-së. Më pas parlamenti i kontrolluar nga Rama miratoi një ligj për Byronë Kombëtare të Hetimit, i cili i jepte të drejtën qeverisë nëpërmjet ministrit që do emëronte kryetarin e Byrosë dhe të gjithë stafin e tij që të hetonin dhe të ngrinin akuza për shpërdorim apo korrupsion. Pra qeveria merrte në dorë pushtet prokurorial të gjerë mbi të cilin nuk dilte dot askush. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi si antikushtetues. Këtu nis “Reforma në Drejtësi”. Në verë të 2015-ës, me shtysën e ambasadës amerikane ngrihet një grup pune nga “ekspertë të nivelit të lartë” dhe më pas gjithë historia dihet arrin tek Arta Marku dhe vettingu. Reforma ishte e gjitha imponim dhe e konceptuar vetëm për t’i dhënë gjyqtarët dhe prokurorët kryeministrit Rama. Tërë tradita e mrekullueshme e mendimit, por edhe ajo praktike e SHBA-së ka treguar se gjyqësori nuk rregullon dot qeverinë dhe parlamentin (kongresin). Përkundrazi, n.q.s. parlamenti dhe qeveria janë të korruptuara, atëherë do të kemi edhe gjyqësor të tillë. Xhejms Medison, një nga baballarët e Kushtetutës amerikane shkruan se peshorja nuk rregullon dot shpatën (qeverinë) dhe qesen (parlamentin).

Lu e shtyu përpara. Soros ishte aty. Qëllimi nuk ishte një gjyqësor i pavarur dhe i drejtë. Tërë aktiviteti i Soros në botë është i veshur nga togfjalëshi ‘shoqëri e hapur’, e cila nënkupton krijimin e shoqërive demokratike në të cilat është e pamundur të lulëzojë tirania dhe zhbërja e lirive. Soros e ka thënë edhe vetë se është një progresist liberal. Soros dhe fondacionet e tij janë promovueset më të mëdha në botë të lirive seksuale, homoseksualitetit, feminizmit, të një shteti të madh që përvijon kulturën kombëtare dhe që formëson deri edhe ndërgjegjen e njerëzve etj. Fondacionet Soros mbrojnë relativizmin kulturor, kundërshtojnë idenë e të vërtetës, të bukurisë dhe cilësive të natyrshme në vetvete. Gjithë kjo lëvizje kërkon të zhbëjë trashëgiminë kulturore dhe spirituale dhe zëvendësojë atë me një cekëtinë kulturore, ku thelbi janë imazhi dhe shfaqja.

Parë në këtë kënd, Rama, grupi i njerëzve pranë tij dhe qeveria që ai drejton janë ideali të cilin ai do të donte ta përhapte, rriste dhe mbante gjallë kudo. Që kjo të ndodhë atij i duhet të jetë i mbrojtur nga rreziqet. Rreziku kryesor është prokuroria dhe gjykata dhe kësisoj do të duhet të gjendet një mënyrë që ato jo vetëm të mos jenë rrezik por të jenë instrument i pushtetit të qeverisë. Këtu nuk bëhet fjalë për konspiracion. Ajo që bëri ambasadori Lu duke sulmuar deputetët që kanë kritikuar agjendën gay, ajo që bëri Lu duke mos qenë në një linjë me qëndrimet e sekretarit Tillerson dhe sekretarit Pompeo, ajo që po ndodh në SHBA ku po dalin dokumente dhe prova se Lu ndihmoi në dorëzimin e gjyqësorit te Rama nëpërmjet fondacionit Soros është provë e mjaftueshme. Tashmë Lu, kur loja u zbulua, duket se po i shkon asaj deri në fund brenda kufijve dhe diskrecionit që i lejon detyra. Tashmë është e qartë pse nuk u tha asnjë fjalë për mbjelljen e vendit me hashash dhe pse nuk u tha asgjë për mosarrestimin e ish-ministrit Tahiri, është e qartë pse u kërcënua opozita. E gjitha kjo tregon edhe diçka tjetër. Tregon se Lulzim Basha ka udhëhequr një opozitë në kushte ekstreme vështirësie duke patur kundër një koalicion qelbësirash, një koalicion tre partish (Rama-Meta-Idrizi) dhe duke patur kundër jo thjesht Lu-në, por një projekt më të madh se sa Lu. Ato kohë po ikin. Koalicioni i qelbësirave është krisur keq. LSI ka ikur. Idrizi nuk ekziston.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here