Shqipëria anulon hyrjen pa viza për turistët nga Rusia, VOA: Ambasada publikoi një njoftim “tepër urgjent”

0
49

Shqipëria ka shfuqizuar heqjen e vizave për qytetarët e Federatës ruse të cilët duan të vizitojnë vendin për arsye turistike. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së qeverisë ditën e enjte, ku u rishikua lista e shteteve, qytetarët e së cilëve përfitonin nga një masë e tillë. Kjo listë, e miratuar në vitin 2022, përfshinte 8 shtete dhe parashikonte hyrjen pa viza çdo vit për periudhat kohore nga 20 prilli deri më 31 dhjetor. Për tre nga këto shtete, përfshirë Federatën ruse, udhëtimi pa viza për qëllime turistike përfshinte një periudhë më të shkurtër kohore, nga 1 maji deri më 30 shtator.

Në faqen e saj zyrtare, ambasada e Shqipërisë në Moskë, publikoi më pas një njoftim “tepër urgjent”, ku njoftonte për vendimin e Qeverisë shqiptare duke shpjeguar se “për të vizituar Republikën e Shqipërisë është e nevojshme të aplikohet për vizë në përputhje me qëllimin e udhëtimit”.

Të premten pasdite, vendimi i qeverisë shqiptare u pasqyrua dhe në faqen e ambasadës ruse në Tiranë në Facebook, duke ju drejtuar “qytetarëve të Federatës ruse të cilët kanë për qëllim të vizitojnë Shqipërinë”, e duke shpjeguar se shteti i tyre “është përjashtuar nga lista e vendeve, qytetarët e të cilëve mund të udhëtojnë pa viza nga 1 maji deri më 30 shtator”. Me fjalë të tjera, për të vizituar Shqipërinë në këtë periudhë, ashtu si dhe në pjesën tjetër të vitit, qytetarët rusë duhet të kërkojnë një vizë shqiptare sipas qëllimit të udhëtimit”. Në një postim të mëvonshëm, pak para mesnatës, ambasada ruse bëri të ditur se do të ketë një reagim të shtunën në mëngjes.

Vitin e kaluar, pasi kishte miratuar vendimin me anë të të cilit qytetarët rusë mund të hynin në Shqipëri pa viza, për qëllime turistike, Kryeministri Rama, gjatë një konference shtypi e mbrojti qëndrimin që kishte zgjedhur, duke u shprehur se: “nuk mendoj se duhet rishikuar”.

Shkruaj nje koment