Shqipëria braktiset nga të rinjtë, bizneset në emergjencë për punonjës

0
177

Rënia e përgjithshme e popullsisë, emigracioni i lartë i të rinjve dhe puna me sezone jashtë vendit po boshatis me shpejtësi vendin nga të rinjtë, teksa bizneset në të gjithë sektorët kanë shpallur emergjencën për punonjës. Situata është më kritike në sektorin e turizmit, industrinë e fasonit dhe në ndërtim, të cilat po injorojnë aftësitë, pasi thjesht nuk po gjejnë njerëz. Tentativat për t’i zëvendësuar me të huaj po rezultojnë me kosto të lartë dhe joefektive, pasi vendi ynë përdoret nga të ardhurit si trampolinë për të ikur në Europë. E ardhmja nuk është optimiste dhe ekonomia nuk mund të ngjitet në zinxhirët më të lartë të vlerës. Popullsia në moshë pune 15-64 vjeç u tkurr me mbi 32 mijë persona vetëm vitin e kaluar, me rënie vjetore 1.7%, më e thella në 30 vjet. Rezultatet e Barometrit të Ballkanit 2022 tregojnë se 42% e të anketuarve në Shqipëri planifikojnë të emigrojnë

Zgjerimi i sektorit të turizmit, volumet më të larta në ndërtim, rritja e kërkesës pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë për prodhimin në Shqipëri i ka vënë bizneset e këtyre sektorëve në emergjencë për punonjës.

Deficitet në tregun e punës janë shndërruar në shqetësim pesë vitet e fundit në të gjithë sektorët e ekonomisë pa përjashtim, pasi popullsia e vendit dhe, sidomos, forca e re e punës po tkurret me shpejtësi nga normat e larta të emigracionit dhe rënies së lindjeve, por së fundmi mungesat po pengojnë seriozisht shfrytëzimin e potencialeve për zgjerim të ekonomisë.

Tentativat për të mbuluar këtë nevojë me punonjës nga jashtë, sidomos nga Azia dhe Afrika, po rezultojnë me kosto dhe jo shumë efikase për të përmbushur nevojën urgjente që bizneset kanë në këtë moment, por sidomos ato në sektorin fason, ndërtim dhe turizëm.

Sipas të dhënave zyrtare nga rishikimi vjetor i popullsisë nga viti 2011, kur u bë censi i fundit deri në fillim të këtij viti, ka emigruar 7.5% e popullsisë së vendit, ose 213,748 persona, ku më shumë se 32 mijë persona janë larguar vetëm vitin e kaluar.

Fenomeni po thellohet më tej këtë vit, pasi vetëm për tre muajt e parë janë regjistruar gjithsej 2900 aplikime për azil në vendet e BE-së, gati trefish më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2021. Të dhëna më të detajuara tregojnë se, mbi 78% e tyre janë persona nën 34 vjeç.

Rënia e lindjeve me shpejtësi nga më shumë se 85 mijë në vitin 1990 në rreth 27 mijë në vitin 2021, sjellin një perspektivë të zymtë mbi ecurinë e forcës së punës në dekadën në vijim. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se popullsia në moshë pune 15-64 vjeç u tkurr me mbi 32 mijë persona vetëm vitin e kaluar, me rënie vjetore 1.7%, më e thella në 30 vjet.

Shkruaj nje koment