Shqipëria feston 109 vjetorin e Pavarësisë

28 Nëntori është dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe e nisjes së rrugëtimit të saj si një shtet më vete, i shkëputur nga Perandoria Osmane. Kjo datë është historikisht e veçantë për shqiptarët në të gjithë botën pasi shënon dy ngjarje historike: shpalljen e pavarësisë më 1912 dhe çlirimin e Krujës nga Skënderbeu më 1443.

Dita e Flamurit, Shqipëria feston 109 vjetorin e Pavarësisë

Sot, Shqipëria feston 109-vjetorin e shpalljes dhe pritet që shumë aktivitete festive të mbahen në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Ceriut dhe në Diasporë.

Shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali u deklarua në Kuvendin e Vlorës ku morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkan. Menjëherë pas saj, Asambleja formoi qeverinë e parë të pavarur, të kryesuar nga Ismail Qemali, si dhe Këshillin e të Urtëve të njohur ndryshe edhe si Pleqësia.

Dita e Flamurit, Shqipëria feston 109 vjetorin e Pavarësisë

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Shqipërisë dhe përcaktimi i kufijve shtetërorë të saj u bë në përfundim të Luftës Ballkanike, në Konferencën e Londrës, gjatë së cilës, për fat të keq, u kënaqën shumë nga synimet copëtuese dhe aneksuese ndaj trevave shqiptare të fqinjëve sllavo-grekë.
Gjithsesi, njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur e sovran nga ana e Fuqive të Mëdha dhe dora-dorës, edhe nga shtete të tjerë, ishte një akt me rëndësi jetike për popullin dhe kombin shqiptar. Kjo ngjarje shënoi menjëherë një linjë demarkacioni në historinë shqiptare. Ajo ishte frut i emancipimit të shqiptarëve si komb dhe i përpjekjeve të pareshtura të tyre për të qëndruar të lidhur me familjen europiane të kombeve të emancipuar.

Me Aktin e 28 Nëntorit të vitit 1912 afirmohet e drejta e pamohueshme e kombit shqiptar për të qenë një dhe i bashkuar në trojet e tij natyralë, e drejtë që mbrohet sot e kësaj dite nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. E drejtë që nuk mohon aspak atë të popujve dhe kombeve të tjerë ballkanikë të jetojnë të bashkuar, të lirë e sovranë në trojet natyralë të tyre.

Kjo aspiratë dhe kjo perspektivë, edhe pse sot është transferuar politikisht në idenë e integrimit në Bashkimin Europian të të gjithë popujve dhe vendeve të Ballkanit, mbetet ende e ushqyer në mendjet dhe në zemrat e shqiptarëve kudo ku jetojnë, në trevat e tyre historike në Ballkan si dhe shqiptarëve të shumtë të diasporës.

Shqipëria është tashmë shtet i pavarur dhe sovran prej më shumë se një shekulli. Ky vend i vogël ballkanik ka marrëdhënie diplomatike me 39 vende të botës dhe shquhet për politikën e tij paqedashëse në rajon dhe në botë si dhe kontribuon në disa misione në zona të nxehta të botës, në kuadrin e angazhimeve ndërkombëtare.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment