Shqipëria mbetet me të ardhurat dhe fuqinë blerëse më të ulët në Europë

0
82

Shqipëria vijon ta ketë të humbur garën për rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj.

Të dhënat e fundit të përditësuara të Eurostat (ky është përditësimi i dytë) tregojnë se vendi vijoi që të ishte i fundit në Europë, si për të ardhurat për frymë në raport me madhësinë e ekonomisë, ashtu dhe për të ardhurat në raport me fuqinë blerëse, me këtë të fundit që është një tregues i mirëqenies materiale të familjeve.

Ndonëse ekonomia po rritet më shpejt sesa rajoni, sërish familjet dhe individët shqiptarë janë më të varfër sesa shtetet e tjera fqinjë, sidomos kur maten për të ardhurat sipas fuqisë blerëse.

Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishin sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian. Ndonëse në rritje me tre pikë përqindje në raport me vitin e kaluar, sërish Shqipëria është e fundit në Europë (të dhënat për Kosovën nuk raportohen).

Nivelin më të lartë në rajon e ka Mali i Zi, me 50% të mesatares europiane, e ndjekur nga Serbia me 44%, Maqedonia e Veriut me 42% dhe Bosnjë-Hercegovina me 35%.

Përveçse me Bosnjën, diferenca në të ardhura me vendet e tjera të rajonit është thelluar, duke treguar për një zhvillim më të qëndrueshëm të shteteve fqinjë, që kanë arritur të përmirësojnë me ritme më të shpejta mirëqenien e qytetarëve të tyre.

Edhe treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat të ardhurat sipas fuqisë blerëse, apo mirëqenien e një familjeje e vendos Shqipërinë në fund, së bashku më Bosnjë Hercegovinën

Ky tregues është për Shqipërinë sa 41% e mesatares europiane. Përkeqësim ka bërë Bosnjë-Hercegovinë, ku raporti është njëlloj me Shqipërinë në 41%, nga 42% që ishte në përditësimin e parë.

Rekordin e mban Mali i Zi me 63%, Serbia me 53%, Maqedonia e Veriut me 50%.

Sipas Eurostat, Konsumi aktual individual, i referohet të gjitha mallrave dhe shërbimeve të konsumuara aktualisht nga familjet. Megjithëse PBB për frymë është një tregues i rëndësishëm dhe i përdorur gjerësisht i nivelit të mirëqenies ekonomike të vendeve, konsumi për frymë mund të jetë më i dobishëm për krahasimin e mirëqenies relative të konsumatorëve në vende të ndryshme, sqaron INSTAT.

Europa

Në vitin 2022, nivelet e konsumit aktual individual (AIC) në Bashkimin Europian patën dallime të konsiderueshme. E përdorur si masë e mirëqenies materiale të familjeve, AIC për frymë e shprehur në standardet e fuqisë blerëse (PPS) varionte nga 69% në 138% të mesatares së BE-së në vendet e BE-së.

Shkruaj nje koment