
Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçkën niset sot drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo vizitë lidhet me faktin se Shqipëria do të marrë presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 1 qershor, stafetë të cilën do e mbajë për 30 ditë.
Më 11 qershor të vitit të kaluar, vendi ynë u pranua si anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Shqipëria u pranua anëtare e OKB në 14 dhjetor 1955 dhe pas 66 vitesh anëtarësie, u votua për herë të parë për të qenë anëtare në Këshillin e Sigurimit.
Ky Këshill përbëhet nga 15 anëtarë, ku SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina janë 5 anëtare të përhershme kurse 10 vendet e tjera anëtare janë me një mandat dy vjeçar.